Foto nga VCG
Studentët e huaj në “University's Overseas Education College” në Jiangsu u mblodhën më 21 janar për festën e shkollës të Festivalit të Pranverës, për të kremtuar Vitin e ardhshëm të Dragoit.
Shkolla organizoi aktivitete të ndryshme, duke përfshirë gatimet prej brumi të “dumplings”, tip byreçkash, prerjen e letrës, shkrimin e letrave për Festivalin e Pranverës, si dhe lojëra të ndryshme.
Për Sonia Najam, një studente 29-vjeçare nga Pakistani për doktoraturë në menaxhimin e burimeve njerëzore, çdo aktivitet ka rëndësinë e vet të veçantë. Për shembull, akti i përgatitjes së byreçkave përfaqëson rëndësinë kulturore të përgatitjes dhe ndarjes së ushqimit me të dashurit, duke simbolizuar harmoninë dhe lidhjet familjare.
Shkrimi i hieroglifeve kineze nxjerr në pah vlerën e dëshirave të mira dhe artin e lashtë të kaligrafisë, i cili është i rrënjosur thellë në kulturën kineze.
“Të jesh pjesë e aktiviteteve tradicionale dhe të dëshmosh emocionet e komunitetit lokal më ka lejuar të kuptoj rëndësinë e familjes, bashkimit dhe nuancat kulturore të këtij sezoni festiv”,- tha ajo.
Megjithëse kulturat kineze dhe pakistaneze vlerësojnë familjen, Najam tha se traditat dhe zakonet specifike që lidhen me Festivalin e Pranverës i dallojnë festimet kineze në një mënyrë unike që ajo nuk i kishte përjetuar më parë.
“Besoj se çdo element kontribuon në aspekte të ndryshme të trashëgimisë kineze dhe ofron njohuri për historinë dhe vlerat e vendit”,- tha ajo.
Ekuadoriania Andre M. Vaca Lucero, që studion për doktoraturë për menaxhimin, vlerëson gjithashtu theksin kinez mbi familjen. Ajo e vizitoi për herë të parë Kinën në vitin 2009, ku përfundoi masterin në provincën Shaanxi të Kinës veriperëndimore dhe vendosi të kthehej në vitin 2022, këtë herë si një grua e martuar dhe nënë e një djali 5-vjeçar. “Motivimi im për t'u kthyer në Kinë erdhi nga djali im. Doja t'i jepja atij një përvojë që do të formësonte jetën dhe të ardhmen e tij”,- tha ajo.
Lucero vuri re ngjashmëri midis kulturave kineze dhe latine në nderimin e tyre ndaj familjes. “Për latinët, ngrohtësia në zemrat tona buron nga ngrohtësia e familjes”,- tha ajo.
Lucero beson se vlera kulturore e vendosur në lidhjet familjare mund të kontribuojë në nxitjen e lidhjeve midis kombeve.
“Shkëmbimet kulturore, si ky event festiv, hapin mundësi për rritjen e marrëdhënieve mes njerëzve të ndryshëm”,- tha ajo.
Wojciech Palasz, një student 22-vjeçar polak për tregtinë elektronike, ishte i magjepsur nga detajet unike të traditave kineze dhe vëmendja e kulturës ndaj simbolizmit.
“Më bëri shumë përshtypje kur mësuesi shpjegoi të gjitha kuptimet e formave dhe ngjyrave gjatë prerjes së letrës”,- tha ai, duke kujtuar përpjekjen e tij për të realizuar prerjen e një letre në formën e një lingote ari të lashtë kineze. Mësuesi i tha se ajo simbolizonte fuqinë, pasurinë, fisnikërinë dhe lumturinë.
Foto nga VCG
“Kultura kineze e ngjyrave është e pasur, me çdo ngjyrë që ka një kuptim të veçantë”,- tha ai. Dy ngjyrat që lanë përshtypjen më të fortë te Palasz kur ai mbërriti për herë të parë në Kinë ishin e verdha, që simbolizon autoritetin dhe është e lidhur ngushtë me perandorët e lashtë kinezë, dhe e kuqja, të cilën ai e përshkroi si të dukshme në të gjithë Kinën dhe simbolizon pasurinë.
Palasz zbuloi dhe një paralele kulturore intriguese midis Polonisë dhe Kinës. Të dy kombet kanë një traditë të gatimit të “dumplings”. “Kam zbuluar se “dumplings”, në fakt, e kanë origjinën nga Kina. Ndërsa metoda e gatimit është në thelb e njëjtë, të dy llojet e byreçkave kanë mbushje të ndryshme”,- tha ai.
Palasz dha shembuj të një shumëllojshmërie mbushjesh, të tilla si djathi, qepa, lakra, apo edhe boronicat dhe luleshtrydhet, të cilat janë të njohura në Poloni, por që gjenden rrallë në byreçkat kineze.
Fathiya Mohamed Said, një studente mjekësie 24-vjeçare nga Tanzania, kishte përvojë të mëparshme me festimet e Festivalit të Pranverës kur e vizitoi për herë të parë Kinën në vitin 2018. Gjatë asaj kohe, ajo zakonisht merrte pjesë në aktivitetet e Festivalit të Pranverës me miqtë e saj kinezë. “Por këtë herë ishte ndryshe. Unë munda të merrja pjesë së bashku me kolegët e mi mësues dhe studentë me prejardhje të ndryshme kulturore”,- tha ajo, duke theksuar unitetin dhe respektin kulturor të nxitur nga këto aktivitete.
“Ajo që më ra në sy ishte entuziazmi i studentëve të huaj për të mësuar për kulturën kineze, gëzimin dhe angazhimin që kishim të gjithë, sikur të ishte pjesë e kulturave tona”.
Said mori pjesë në shortin e fatit gjatë festës. “Fati ishte vërtet në anën time”, tha ajo me shaka. "Kam fituar një zinxhir të bukur çelësash dhe mezi pres ta përdor si mbajtëse çelësash këtë vit”,- theksoi studentja nga Tanzania.
Ajo vuri në dukje se këto aktivitete i kanë ndihmuar njerëzit të kenë një vlerësim të thellë të diversitetit në botë dhe kanë nxitur ndjeshmërinë dhe respektin për kulturat e ndryshme.
“Këto festa shërbejnë si një platformë për shkëmbimin e historive, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e kujtimeve të qëndrueshme së bashku”,- tha ajo.