Ekspozita e portretit ne Shkoder - foto Galeria e Arteve Shkoder
Portrete në skulptura, të dala nga fondi i Galerisë së Arteve në Shkodër u paraqitën në ekspozitën “Krye për kry”, e para që hap siparin e aktiviteteve për vitin 2024.
Një titull ironik dhe provokues në të njëjtën kohë është zgjedhur për këtë ekspozitë, sepse shoqëria shqiptare është e lidhur me kreun dhe përballja në këtë ekspozitë me shumë koka të ngrira është një ndjesi që lind shumë pikëpyetje, thotë drejtori i ekspozitës, Fatmir Juka:
“Është një element shumë i rëndësishëm në procesin e komunikimit. Koka është një institucion dhe ne na pëlqen ta diskutojmë dhe ta vëmë në diskutim atë shpesh herë. Jemi në një kohë kur çështjet e individit shtrohen dhe merren përditë në analizë. Por koka në vetvete është deri diku edhe një element historik. Ne shqiptarët jemi të lidhur me “kreun” historikisht, me kreun e familjes, me kreun e shoqërisë, me kreun që merr vendime, por kjo marrëdhënie me kreun ka ndryshuar. Kur ne pastaj ndodhemi me një kokë përballë, diskutimi mes nesh si publik dhe një kokë si formë skulpturale, është shumë më i afrueshëm. Ky është pikërisht momenti që ne na ka interesuar ta vëmë përballë: një kokë të gjallë dhe një kokë të ngrirë. Të dyja kanë një moment transmetimi, hulumtimi, dyshimi”, shprehet ai.
Skulpturat e paraqitura në këtë ekspozitë të disa artistëve të njohur shkodranë, i përkasin fundit të viteve ’70 deri në vitet 2000.
“Është një periudhë 40-50 vjeçare e krijimtarisë së skulptorëve shkodranë, Ferit Kola, Ashim Kruja, Skënder Kraja, Sadik Spahia, Sali Kola, Petrit Bilali… Pra, janë një grup autorësh që na përcjellin pak nga skulptura e traditës, por edhe nga mundësitë e eksperimentit që u është dashur asaj kohe të bëjnë me skulpturën, por pse jo, na tregon edhe marrëdhënien me subjektin që kanë marrë si model, në përpunim e sipër… Ka shumë emocion brenda si ekspozitë”, komenton drejtori Juka.
Në promovimin e ekspozitës që u bë me 20 janar në Shkodër, u mbodhën të gjithë artistët skulptorë, për të riparë punët e tyre ndër vite, që sot i përkasin fondit, por që u ekspozuan me shumë dashuri në ekspozitën e portreteve “Krye për kry”.
Ekspozita Krye per Kry - foto Galeria e Arteve Shkoder
Ekspozita Krye per Kry - foto Galeria e Arteve Shkoder
Një ndër ta skulptori i njohur shkodran Sadik Spahia shprehet për emocionet e ekspozitës dhe ballafaqimin me punët e pas kaq shumë vitesh në Galerinë e Shkodrës:
“Veprat e eksozuara i përkasin një periudhe prej 40 vitesh më përpara. Në atë kohë sapo kishim mbaruar studimet, ishim kthyer në Shkodër dhe po bënim përpjekjet tona të para për t’u prezantuar para publikut shkodran. Galeria e Shkodrës ishte i vetmi vend ku ne mund të ekspozonim, sepse ishte institucioni më miqësor që ofronte ofertën më të rëndësishme kulturore për qytetin. Këtu mund të përmendim emra të cilët na ndihmuan në rrugën tonë, krijuan atë hapësirë të nevojshme reflkesioni që ka të bëjë me veprën, me artin krijues”.
Galeria e Arteve në Shkodër ka një fond të rëndësishëm dhe autorë po kaq të rëndësishëm që përfaqësojnë vitet, nga 1970, 1980 dhe 1990.
Autorët me peshë të qytetit, ose të quajtur ndryshe, autorët klasikë vijnë me veprat e tyre kryesisht me gjininë e portretit, pasi vetë ekspozita është ndërtuar bazuar te portreti, vijnë me lirishmërinë e tyre, teknika të ndryshme, si qeranikë, gur, mermer, derdhje në allçi, portrete të stilizuara, portrete më akademike, etj.
E bukura e kësaj ekspozite është se sa i takon tematikës, janë portretet ku dallohen pajtimet ndjesore, janë momente kur artisti lidhet së tepërmi me persona të jetës së tij, pra portrete të familjes, por në ekspozitë ka edhe portrete që janë të lidhura me figurat tona historike, janë vepra monumentale të destinuara për sheshe, shkolla, etj, të cilat pas viteve ’90, e humbën funksionin e tyre dekorativ, u grumbulluan të gjitha në fondin e Galerisë dhe tani ekspozohen para publikut.
Përvec punëve të ekspzuara të mësuesve të skulpturës në Shkodër, ndër vite e breza, kjo ekspozitë shërben edhe si thirrje për skultorët e rinj, që me punët e tyre e kanë një vend në këtë galeri. Është thirrje për aristët e rinj, që të ecin sipas shembullit frymëzues të artistëve më të njohur të qytetit dhe veprës së tyre.
Neritana Kraja