Bledar Cakalli (Facebook)
Autori i pikturave murale Bledar Çakalli synon që përmes tyre të ngjallë te kalimtarët historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Ai është mbështetur në këtë iniciativë dhe nga të rinj të tjerë, që jetojnë në Shqipëri, por edhe në diasporë. Misioni i tij është të trashëgojë kulturën dhe historinë tonë nga njëri brez në tjetrin. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pasionin që ka për pikturën si dhe realizimin e protreteve të figurave historike.
CMG: Si lindi pasioni për pikturën?
Bledar Çakalli: Unë pikturën e kam të trashëguar nga babai, dhe më vonë ma kaloi mua këtë profesion, ndërsa unë ja kam kaluar dhe vajzës time. Unë vetë realizoj piktura që kanë lidhje me historinë dhe çështjen kombëtare si një reagim për të njohur më mirë historinë.
CMG: Ka talent vajza juaj për pikturën, dëshiron që ajo të bëhet piktore?
Bledar Çakalli: Vajza ime është e vogël, por shikova reagimet e saj që në moshën një vjeç e gjysmë ajo dinte të përdorte lapsin, ngjyrat dhe fletoret. Mendoj se ajo është në hapat e para për të vazhduar pikturën.
CMG: Çfarë pikturonte babai juaj?
Bledar Çakalli: Babai im realizonte mirë portretet, por unë e kam përmirësuar në vazhdim.
CMG: Ti realizon piktura murale, duke sjellë përmes tyre figura të historisë sonë.
Bledar Çakalli: Unë vetëm te pikturat murale e kam gjetur veten. Kam tentuar të realizoj edhe piktura të tjera, por isha gjatë gjithë kohës në stres sepse nuk e gjeja dot veten përveçse tek realizimi i pikturave që kishin lidhje me historinë dhe figurat kombëtare.
CMG: Sa kohë ke që merresh me këtë punë?
Bledar Çakalli: Unë kam shtatë vjet që merrem me këtë gjë, ku katër vjet kam punuar pa asnjëlloj interesi dhe pa e ditur se çfarë është fama apo pa e ditur që kjo punë mund të paguhet. Fatmirësisht shqiptarët e kanë parë këtë gjë, më kanë njohur nga afër dhe e dinë shumë mirë se çdo gjë e bëj me zemër dhe pa interes. Normal që sot po mbështetem nga ana financiare, por fillimet kanë qenë të vështira.
CMG: Kur pikturon një figurë historike bazohesh tek fotografia e personazhit?
Bledar Çakalli: Unë lexoj historikun për çdo figurë historike, kush ka qenë dhe çfarë kontributesh ka dhënë për atdheun. Ka shumë figura historike që nuk kanë foto për shkak të historisë dhe vitet e atëhershme, por bazohem dhe tek busti dhe çdo gjë që është e konfirmuar nga shteti shqiptar.
Bledar Cakalli duke realizuar nje pikture murale (Facebook)
Bledar Cakalli gjate realizimit te nje portreti (Facebook)
CMG: Çfarë materialesh përdor për të realizuar këto vepra?
Bledar Çakalli: Unë në fillim e kam nisur me 2500 lek një bojë të thjeshtë dhe një penel me 300 lek. Pastaj gjatë kohës është përmirësuar puna dhe kam përdorur bojra dhe kryesisht sprajt.
CMG: Ke menduar ndonjëherë të heqësh dorë nga ky pasion kur nuk kishe mbështetje financiare?
Bledar Çakalli: Me zemër nuk kam dashur të heq dorë asnjëherë, por ka patur momente të vështira. Këto ishin momente që çdokush e dinte që unë e bëja për vendin tim dhe asnjë interes tjetër. Një nga mbështetësit e mi në fillim ka qenë gazetari Marin Mema, një shtysë shumë e madhe për mua.
CMG: Këto portrete të figurave historike i realizon në rrugë?
Bledar Çakalli: Mendoj se sot shqiptarët kanë nevojë që ta shohin në rrugë një figurë kombëtare. Unë mund të pikturoj dhe në shtëpi në telajo, por nuk më jep kënaqësi sepse telajon do ta shesësh, ndërsa piktura murale shikohet nga të gjithë në rrugë, shqiptarë dhe të huaj.
CMG: Kur realizon një pikturë murale a i vendos dhe emrin tënd?
Bledar Çakalli: Dikur e vendosja emrin tim, por sot nuk është nevoja të vendos emrin sepse nuk e bëj për emër këtë gjë, por thjesht të ringjall historinë.
CMG: Ke një studio tënden që pikturon, apo je vetëm për pikturat murale?
Bledar Çakalli: Kam patur studion time në Durrës, por për shkak të angazhimeve shumë të mëdha jashtë Shqipërisë, është e papërballueshme për t’i bërë të gjitha.
CMG: Cilin nga portretet e realizuara do ta veçoje si më të arririn?
Bledar Çakalli: Mendoj se çdo figurë ka karakterin dhe historinë e vet. Unë në veprat që kam realizuar jam bazuar te disa luftëtarë, që nuk është shkruar shumë për ta. Mundohem të ringjall përmes veprave të mia dhe figura që kanë luftuar përkrah Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilëve ju përmendet shumë pak emri. Përmes veprave të mia i kam bërë të njohur këto figura historike.
CMG: Përpara se të realizosh një figurë historike lexon për jetën e tij?
Bledar Çakalli: Unë kam lexuar gjatë gjithë kohës për historinë e kombit shqiptar.
CMG: Ke menduar ndonjëherë të largohesh nga vendi në ndonjë shtet tjetër?
Bledar Çakalli: Kam jetuar dhe jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Nuk e kam menduar ndonjëherë të largohem përfundimisht nga vendi.
Bledari duke realizuar nje pikture murale (Facebook)
Bledar Cakalli gjate nje takimi (Facebook)
CMG: Kjo punë që bën të siguron ta ardhura financiare të majftueshme për familjen?
Bledar Çakalli: Unë kurrë nuk kërkoj një çmim të caktuar për të bërë diçka. Kam shpenzuar dhe nga vetja ime për të realizuar një pikturë murale, por fatmirësisht janë vetë shqiptarët që e vlerësojnë këtë punë dhe e dinë se unë kam një fëmijë për të rritur dhe për të mbajtur familjen. Pra kanë qenë kontributet e tyre që unë të vazhdoj këtë punë.
CMG: Ka të tjerë si ju që realizojnë piktura murale?
Bledar Çakalli: Ka dhe të tjerë, por jo te pjesa e historisë.
CMG: Sa reziston një pikturë murale?
Bledar Çakalli: Një pikturë murale mund të rezistojë 10 vjet, por unë po mendoj ta kthej çdo pikturë në gdhendje, që të jetë përjetësisht aty.
CMG: Sa kohë të është dashur për të realizuar një vepër të tillë?
Bledar Çakalli: Kjo varet nga situata dhe krahina ku jam, por nëse jam në Tiranë e përfundoj për 2-3 ditë.
CMG: Do ja trashëgosh këtë talent vajzës ?
Bledar Çakalli: Mendoj se ajo do ta ketë në gjak pikturën sikurse dhe unë, por jo te pjesa e historisë.
CMG: Të jesh artist në Shqipëri është e lehtë apo vështirë?
Bledar Çakalli: Unë kam thyer një tabu në Shqipëri, duke u bërë i njohur falë talenti dhe pasionit tim për piktuën. Çdokush që e dashuron me zemër artin mund të bëhet artist.
Intervistoi: Gazmend Agaj