Foto nga CCPIT
Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës (CCPIT) zhvilloi të martën një konferencë shtypi, ku zëdhënësja e tij Yang Fan bëri të ditur që mbi 90 % e ndërmarrjeve të pyetura mendojnë që tregu kinez ka fuqi të madhe tërheqëse. Ndërkohë, për të stabilizuar tregtinë e jashtme dhe për të zgjeruar tregun ndërkombëtar, CCPIT do të nisë programin "Mijëra delegacione jashtë vendit", me synim që të mbështetë modelin e ri të tregtisë së jashtme të Kinës.
Zëdhënësja Yang bëri të ditur që në tremujorin e 4-t të vitit 2023, CCPIT bëri një sondazh me mbi afro 600 ndërmarrje të huaja. 68 % ndër to janë të vogla e mikrondërmarrje dhe 65 % merren me përpunim dhe prodhim. Rezultati i sondazhit tregon që ndërmarrjet e pyetura janë më të kënaqura nga mjedisi i biznesit në Kinë.
“Për perspektivën e tregut, afro 70 % e ndërmarrjeve që morën pjesë në sondazh janë optimiste për gjendjen e tregut kinez, 1.8 % më shumë se herën e kaluar, dhe mbi 90 % mendojnë që tregu kinez ka të njëjtën ose më shumë fuqi tërheqëse. Për gjendjen e biznesit, mbi 90 % e të pyeturve parashikojnë që në 5 vitet e ardhshme, përfitimet prej investimeve të tyre në Kinë do të ruhen në të njëjtën nivel ose do të rriten më shumë. Ndërkohë, ndërmarrjet që synojnë shtimin e investimeve janë rritur me rreth 4.5 %,”u shpreh Yang.
Zëdhënësja vuri në dukje që, në bazë të të dhënave të sondazhit për tërë vitin 2023, mbi 80 % e ndërmarrjeve me investime të huaja të pyetura e vlerësuan mjedisin e biznesit në Kinë si në nivel "të kënaqshëm" apo më lart më 2023, më shumë se 90 % besojnë se tregu kinez është tërheqës dhe gati 70 % janë optimiste rreth perspektivave të tregut kinez në 5 vitet e ardhshme. Rezultatet e mësipërme tregojnë që baza e Kinës për rritje të qëndrueshme e afatgjatë nuk ka ndryshuar dhe forca tërheqëse e tregut kinez për investimet e huaja po bëhet më e madhe.
Foto nga VCG
Tregtia e jashtme shihet si një nga tre forcat nxitëse për ekonominë kombëtare. Në vitin 2023, niveli i importeve dhe eksporteve i Kinës vijoi të rritet dhe cilësia e zhvillimit është përmirësuar. Duke u përgjigjur se si mund të jepet mbështetje për ndërmarrjet e huaja ta stabilizojnë dhe ta zgjerojnë biznesin e tyre në Kinë në vitin 2024, Yang Fan tha se CCPIT do të mbështesë aktivisht zhvillimin e formave të reja të tregtisë së jashtme.
“Do të mbështesim me fuqi të plotë zhvillimin e edicionit të 2-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Zinxhirit të Furnizimit dhe do të formojmë më shumë platforma tregtare me cilësi të lartë. Për partnerët kryesorë, si Europa, ShBA-ja, Japonia, Koreja e Jugut, ASEAN-i dhe Amerika Latine, ne do të organizojmë mbi 1000 delegacione ndërmarrjesh të dalin jashtë vendit për të marrë pjesë në ekspozita e panaire dhe negociata biznesi, me synim që të ndihmojmë ndërmarrjet të marrin më shumë porosi dhe të zgjerojnë më tej biznesin e tyre, duke nxitur pushtetin vendor të tërheqë më shumë investime. Lidhur me ‘tre të rejat’e tregtisë ndërkombëtare, tregtinë e mallrave të ndërmjetme, tregtinë digjitale dhe magazinat ndërkombëtare për tregtinë elektronike ndërkufitare, do të bëjmë studime specifike dhe do të marrim më shumë rezultate cilësore studimore, me synim që të ofrojmë mbështetje inteligjente për hartimin e politikave përkatëse,” tha Yang Fan.
Sipas raportit studimor mbi mjedisin e biznesit për investimet e huaja në Kinë për tremujorin e 4-t të vitit 2023, të publikuar nga CCPIT-i të martën, ndërmarrjet e huaja pjesëmarrëse në sondazh janë më të kënaqura për mjedisin e biznesit dhe vlerësimet për nivel "të kënaqshëm" ose më lart janë ngritur në krahasim me tremujorin e 3-të.
Foto nga VCG
“Një mjedis biznesi i orientuar nga tregu, me sundim të ligjit dhe i ndërkombëtarizuar është një masë e rëndësishme për stabilizimin e mëtejshëm të pritshmërive shoqërore, ngritjen e besimit për zhvillimin dhe stimulimin e gjallërisë së tregut,” u shpreh Yang. Ajo theksoi që, vitet e fundit, krahinat dhe sektorët e ndryshëm kanë shtuar pandërprerë fuqinë e reformave në fushat kryesore të mjedisit të biznesit dhe mjedisi i biznesit në Kinë është përmirësuar vazhdimisht. (Jiang Lei)