Versioni tibetian i "Hamlet"-it u shfaq në Pekin/ foto nga "Sohu.com"
“Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja”!
Versioni tibetian i “Hamletit” u shfaq në Pekin gjatë turneut të tij të fundit në vitin 2023, pas premierës në vitin 2021 në Shangai.
Vepra u përkthye nga Nyima Dondrup, një dramaturg kombëtar i operës tibetiane.
Nyima Dundrup ka qenë i angazhuar duke shkruar drama për gala të ndryshme të Vitit të Ri në Rajonin Autonom Xizang të Kinës jugperëndimore, ndërsa afrohet Viti i Ri Tibetian dhe Festivali i Pranverës. Megjithatë, mendja dhe zemra e tij janë ende të përqendruara te veprat klasike të Uilliam Shekspirit dhe ai planifikon ta vërë në skenë shfaqjen në më shumë teatro në vitin e ri.
Versioni tibetian i "Hamlet"-it u shfaq në Pekin/ foto nga "Sohu.com"
“Ka një mijë Hamletë në sytë e një mijë njerëzve. Në sytë e mi, “Hamleti” i përket gjithë njerëzimit. Prandaj, ai ia vlen të përkthehet në gjuhën tibetiane”,- tha ai.
Nyima Dondrup, që tani është në të 50-at, ka lindur në një fshat në qytetin e Xigazes. Gojëdhënat e treguara nga të moshuarit, forma më e lashtë e operës tibetiane, shoqëruan shumicën e mbrëmjeve të tij gjatë gjithë fëmijërisë.
“Bënte shumë ftohtë gjatë dimrit, por e gjithë familja ngrohej e mbledhur rreth sobës duke dëgjuar historitë e nënës sime. Kam qarë për një histori për një motër dhe vëlla që mbetën të pastrehë pasi u takuan me një shtrigë”,- kujton Nyima Dondrup, që sipas të cilit, tregime të tilla ishin frymëzim për krijimet e tij.
Nyima Dondrup, dramaturg i operës tibetiane/ foto nga "Kultura Tibetiane"
Në vitin 2001, vepra e parë e vënë në skenë e Nyima Dondrup u nominua për Çmimin e Letërsisë Dramatike Cao Yu, një çmim në nivel kombëtar për letërsinë dramatike.
“Ky ishte takimi im i vërtetë me “Hamletin”, pasi çmimi ishte për një grup veprash nga Uilliam Shekspiri”,- tha Nyima Dondrup. Ai u angazhua me veprat në një kohë të shkurtër dhe në çdo lexim pati një kuptim të ndryshëm të tyre.
Gruaja e tij Kalzang Drolkar tha se ata kishin bërë një plan për të përkthyer veprat e plota të Shekspirit pasi të dilnin në pension, për të cilin ata prisnin se do të duheshin 17 deri në 18 vjet. Megjithatë, mundësia erdhi para daljes në pension.
Në fund të vitit 2020, Akademia e Teatrit të Shangait i dërgoi Nyima Dondrup një skenar të “Hamletit”, duke e ftuar atë ta përkthente në gjuhën tibetiane. Skenari ishte për një shfaqje të diplomimit në akademi dhe do të drejtohej nga Pu Cunxin, një aktor i njohur në Kinë.
“Ëndrra ime u realizua përpara afatit”,- tha Nyima Dondrup.
Nyima Dondrup dhe aktorë tibetianë/ foto nga "Kultura Tibetiane"
Nyima Dondrup ka parë shumë shfaqje shekspiriane të interpretuara në gjuhën mandarine, duke përfshirë ato të Pu. Ai tha se veprat e Shekspirit janë të mbushura me metafora të ngjashme me ato të letërsisë së vjetër tibetiane.
Ai pa versionin tibetian me djalin e tij, Tenzin Yonten, një student universiteti i cili ka një interes të madh për letërsinë dhe madje shkroi një përmbledhje prej 20 faqesh të “Hamletit” gjatë shkollës së mesme.
“Shpresoj që një ditë edhe djali im ta kritikojë punën time në më shumë se 20 faqe”,- tha Nyima Dondrup.