Foto nga CFP
Kina do të punojë me Francën për të krijuar një partneritet të gjithanshëm strategjik më të fortë e më dinamik ndërmjet të dy vendeve dhe për të kontribuuar së bashku me mençurinë dhe forcën e tyre për paqen, sigurinë, begatinë e përparimin botëror.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin i tha këto të hënën në një takim të përditshëm me shtypin në përgjigje ndaj pyetjes përkatëse.
Duke vënë në dukje se Franca ishte vendi i parë i madh perëndimor që vendosi marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh me Kinën dhe se viti 2024 shënon 60-vjetorin e këtyre marrëdhënieve, Wang tha se vendosja e lidhjeve diplomatike gjashtë dekada më parë theu akujt e Luftës së Ftohtë dhe kapërceu ndarjen ndërmjet blloqeve të ndryshme, duke i nxitur marrëdhëniet ndërkombëtare të zhvillohen në drejtimin e duhur të dialogut dhe bashkëpunimit.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze vuri në dukje që gjatë 60 vjetëve të fundit, Kina dhe Franca kanë mbrojtur pavarësinë, kanë arritur zhvillim të përbashkët nëpërmjet bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë, kanë nxitur mësimin e ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve nëpërmjet shkëmbimeve të barabarta dhe kanë trajtuar së bashku sfidat globale nëpërmjet bashkërendimit shumëpalësh.
"Këto përpjekje jo vetëm kanë sjellë përfitime për popujt e të dy vendeve, por kanë luajtur gjithashtu një rol thelbësor në ruajtjen e paqes e të qëndrueshmërisë botërore, në nxitjen e një bote shumëpolare dhe në demokratizimin më të madh të marrëdhënieve ndërkombëtare," shtoi ai.