Ligji për investimet strategjike. Ekspertët flasim për efektet
2024-01-29 09:51:46

Projekti THE-CLIFF (Foto Revista Monitor)

Pas skadimit të afatit më 31 dhjetor 2023, Partia Socialiste propozon që afati për ligjin e investimeve strategjike të zgjatet deri në 31 dhjetor 2027, me 4 vite të tjera. Projektligji i propozuar nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi është depozituar tashmë në Kuvend, dhe në relacion thuhet se kjo zgjatje e afatit i jep mundësi kompanive të aplikojnë për të investuar në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Përveç afatit, janë parashikuar edhe ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me vlerën e investimit. Kështu sipas propozimit të bërë, statusi “investitor strategjik” me procedurë të asistuar, në çdo sektor do të jepet nëse vlera e investimit është mbi 50 milionë euro si dhe duhet që të garantohen minimalisht 300 vende pune.

Në ligjin aktual vlera e investimit për këtë procedurë fillon nga 1 milionë euro me kusht që të krijohen 150 vende pune. Çfarë ka sjellë gjatë zbatimit ky ligj dhe a i ka përmbushur objektivat e synuara? I pyetur nga mediat për këtë paketë investimesh strategjike, Reshard Këlliçi, negociator për investimet dhe anëtar bordi në Dhomën Amerikane të Tregtisë bën një paralelizëm me Kroacinë për të kuptuar ku jemi. Këlliçi thotë se ka nevojë të bëhët me shumë në këtë drejtim.

Eksperti Reshard Këlliçi (Foto startup line)

“Cilat vende tërheqin investitorët strategjikë? Të asaj natyre që kërkojmë, nuk po flas për investitorët strategjikë që pastaj duhet të shkosh në gjykata dhe ta gjesh  ka apo s’ka konflikt. Po flas për investitorët strategjikë të mirëqenë, sa kemi ne këtu? Sa ka në Kroaci? Fakti është që ka më shumë për të bërë me ligjin për investitorët strategjikë. Fakti që kemi në mënyrë sporadike pasi nuk mund t’i mohojmë, kemi patur investitorë strategjikë, të mirëqenë që vijnë dhe përfitojnë nga këto dhe ndërtojnë diçka dhe lënë diçka mbrapa. Këtu është një kontribut pozitiv, një efekt i dëshiruar nga ligji për investimet strategjike.

Fakti që kemi njerëz që janë të lidhur me interesat e tjera, qoftë interesa në pushtet apo përdorin ligjin e investitorit strategjikë për të zaptuar prona, për qëllim përfitimi ai është një keqpërdorim i ligjit për investitorët strategjikë. Pra nuk duhet të ngatërrojmë ligjin me mënyrën sesi aplikohet.”, tha Këlliçi

Ka shumë vende që japin në forma të ndryshme indicje për nxitjen e investimeve strategjike.

“Unë kam nderin sëbashku me studion time ligjore të përfaqësojmë ndoshta të vetmin investim strategjik nga SHBA këtu, që mori statusin në dhjetor të investitorit strategjik. Është një projekt turizmi në bulevardin e ri The Cliffs . Disa nga përgjigjet apo komentet që do jap sot këtu vijnë edhe nga eksperienca e përditshme në 4 vitet e fundit për mua që kemi punuar për ta sjellë këtë investim këtu, por dhe puna e palodhur e atyre njerëzve që janë investitorë strategjikë pas këtij investimi që janë emra që njihen kudo në botë. Në vitin 93 ligjet për investimet strategjike për të tërhequr investitorë të huaj në Shqipëri në një mënyrë apo tjetër janë orientuar për të zgjidhur plagën e pashërueshme që ne kemi, konfliktet mbi pronësinë e tokës. Nuk mund të dështojnë projekte madhore për zhvillimin e një infrastrukture apo sektori, qoftë energjia apo turizmi sepse dy apo tre pronarë tokash vendosin të mos e pranojnë projektin apo vendosin më vonë të vijnë dhe të ngrenë padi mbi tokën apo mbi çështje të ndryshme”, u shpreh ai

Eksperti Këlliçi thotë se Shqipëria ka bërë hapa për t’u vlerësuar në fushën e projekteve.

“Ajo që ndodhi më pas është që nga 1993 deri më sot ka patur një zhvillim galopant në fushën e financimit të projekteve. Nëse në vitin 1993 për të sjellë këtu projektet ishin dhe madhësia më e vogël, pra në kostot financiare 30 apo 40 milionë. Të sjellësh një projekt 200 milionë dollarë në Shqipëri dhe ta financosh, të arrish që t’i bindësh këta investitorë, ata duan të dinë diçka për tokën dhe janë dy pyetje. E para është sa e sigurt është pronësia mbi tokën. Në këtë rast përgjigjet ligji dhe ta garanton shteti. Por pyetja e dytë është gjithmonë a mund të përdoren të drejtat tona mbi tokën, çfarë garancie mund t’i japim institucioneve që e financojnë këtë projekt.”

Investimet strategjike (Foto Revista Monitor)

Eksperti Këlliçi thotë se duhet që çdo person të ketë siguri maksimale kur toka që gëzon bëhet objekt i investimeve të tilla strategjike.

“Në një kontekst tjetër, që qeveria të thotë më jep pronën tënde se do vijë investitori strategjik dhe do bëjë diçka, mund të jetë dhe një tejkalim. Megjithatë ka dhe vende të tjera ku në praktikën ligjore kjo njihet është domeini për të mirën e qeverisë, apo të kombit më saktë sesa të qeverisë, për të mirën e një shteti që i jep të drejtën që ta shpronësojë qoftë në kosto apo të shkëmbejë truall. Por në këtë rast është shumë e nevojshme ajo që kemi parë rregullisht me institucionet financiare veçanërisht ato ndërkombëtare, që të financojnë këto projekte kërkojnë të kenë disa siguri, kërkojnë ta dinë dhe dëgjojnë nga qeveria se kur kanë probleme në këtë projekt në lidhje me pronësinë. Pse? Në konceptin për investimet strategjike qëndron një shkëmbim; qeveria bën të disponueshme tokë më të disponueshme për mbështetjen e infrastrukturës, e gjërave që duhet të ndodhin. Fakti që ne do vijmë dhe do bëjmë infrastrukturën që është përreth investimit tone, por duhet të jetë investim strategjik, tregon çfarë koncepti të prapambetur kemi për zhvillimin e infrastrukturës. Zhvillimi i infrastrukturës i rrugëve, i transmetimit të energjisë elektrike, i sistemit të kanaleve ujore, kanalizimeve e të tjera nuk duhet të jetë diçka që të vije me investimet strategjike”

Sipas Këlliçit, plotësimi i kushteve në infrastukturë është domosdoshmëri dhe kjo tërheq më shumë investitorë. E gjithë filozofia është që ligji mos të keqpërdoret.

“Nëse ligji për investimet strategjike u krijua sepse kishte në shënjestër diçka të caktuar, të jepte disa garanci tek investitorët e huaj për të sjellë investimet dhe për të garantuar disa të drejta…Ajo që ndodh është që me këtë turmë vjen një turmë tjetër që janë këtu dhe thonë unë kam qejf dhe nevojë të kem kanalizimet. të kem këto gjëra  dhe do bëhem investitor strategjik. Unë dua këtë tokën këtu.”

Nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit dhe deri tani, sipas të dhënave janë trajtuar 88 projekte investimi, prej të cilave 40 kanë përfituar status strategjik, 14 projekte janë refuzuar dhe 34 të tjera janë në fazë vlerësimi.