Jovan Tere (Foto personale)
Jovan Tere ka 20 vite që jeton bashkë me familjen në Toronto të Kanadasë. Ai u largua nga Shqipëria në vitin 2003, për të siguruar një jetë më të mirë. Ai është diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën e inxhinierisë dhe prej disa vitesh ka punuar si inxhinier nafte, por pasioni i tij më i madh mbetet muzika. Jovani ka marrë pjesë në mjaft aktivitete muzikore në Shqipëri qëkur ishte fëmijë, duke u vlerësuar dhe me çmime. Para një viti ai u kthye në atdhe për të marrë pjesë në festën e këngës shqiptare, një festival muzikor organizuar nga Gjergj Leka. Ndërkohë Jovani është aktivizuar me këngën në mjaft aktivitete artistike të organizuara nga shoqata të ndryshme në Kanada. Në një intervistë për Radio Ejani Jovan Tere tregon për jetën e tij në emigracion, pasionin për muzikën si dhe lidhjet e tij me atdheun.
CMG: Kur keni emigruar në Kanada dhe si u integruat ?
Jovan Tere: Unë emigrova në Kanada në vitin 2003. Fillimi gjithmonë është i vështirë, sepse dhe sikur të lëvizësh nga një qytet në tjetrin në Shqipëri është i vështirë, dhe jo ne që kaluam oqeanin dhe u vendosëm në një vend tjetër shumë herë më të madh dhe të panjohur nga mënyra e jetesës, por dhe nga klima. Kishim lexuar që në periudhën më të madhe të vitit është vend i ftohtë. Muajin e parë e ndjen vështirësinë, por pastaj të rrëmben mënyra për t’u pështatur më shpejt dhe më mirë. Ndjenja e mallit jo se zhduket, por të zvogëlohet dhe mundohesh të përshtatesh sa më shpejt dhe më mirë. Kuptohet që nuk është e lehtë, se jo çdo gjë është fushë me lule për të gjithë emigrantët.
CMG: Cila ishte arsyeja e largimit tuaj nga Shqipëria?
Jovan Tere: Arsyeja e largimit ishte viti i mbrapshtë 1997, që na detyroi të mendonim të lëviznim diku ku fëmijët të ishin më të sigurtë dhe me më shumë mundësi ekonomike. Kuçova ku unë kam lindur dhe banoja e përjetoi keq atë vit, ku një periudhë kohe të caktuar dhe furra e vetme e bukës u mbyll, pa përmendur shumë shqetësime dhe situata të tjera jo të mira që kaluam.
CMG: Cili ka qenë angazhimi juaj në Shqipëri, para se të emigronit në Kanada?
Jovan Tere: Pasi mbarova universitetin në Tiranë në vitin 1984, ku u diplomova si inxhinier kam punuar pa shkëputje në industrinë e naftës në ndërmarrjen e shpim-kërkimit në Kuçovë. Ndërkohë që vetë mënyra dhe puna që bënim ishte larg Kuçovës në zona të ndryshme të Shqipërisë me puset e naftës. Para se të vija në Kanada kam punuar si agjent sigurimesh pranë shoqërisë SIGMA.
Jovan Tere dhe familja (Foto personale)
Jovan Tere me familjen (Foto personale)
CMG: Si kanë qenë këto 20 vite në emigrim për ju dhe familjen?
Jovan Tere: Në Kanada thonë se janë të zënë dhe kjo fjalë i përshkruan të gjitha. Këtu është aq intensive mënyra dhe stili punës dhe i jetesës, sa duket sikur koha nuk ecën, por fluturon. Hapësirat këtu janë të mëdha, ku vetëm për të shkuar të bësh pazarin e radhës ndonjëherë duhet të udhëtosh me makinë gjysëm ore ose më shumë. Janë këto gjëra që herë pas here e bëjnë akoma më të vështirë stilin dhe mënyrën e jetesës, por jo të papërballueshme. Pastaj fillon e integrohesh me jetën, shikon opsione të tjera se ku mund ta gjesh veten për vete dhe fëmijët, pa harruar përvetësimin çdo ditë të gjuhës angleze sepse nëpërmjet saj të krijohen shumë mundësira si për informacione, por dhe për punë.
CMG: Një pasion i hershëm i juaji ka qenë muzika dhe vitin e kaluar morët pjesë në festën e këngës shqipe të organizuar nga Gjergj Leka. Flasim për këtë aktivitet.Jovan Tere: Në fakt ishte një bashkëpunim i rastësishëm me shokun tim të ngushtë të fëmijërisë Sokol Lekaj, djali i kompozitorit të njohur Zef Lekaj, i cili është autori i këngës shumë të njohur “Qengji i vogël”. Sokoli mundësoi këtë bashkëpunimin, ku kënga që ai kompozoi u përzgjodh nga Gjergj Leka dhe ishte dëshira e tij që ta këndoja unë. Kështu mu krijua mundësia dhe u prezantova në skenë pas afro 37 vjetësh.
CMG: Si u ndjetë në skenë përkrah emrave të njohur të muzikës shqiptare?
Jovan Tere: Unë u ndjeva mrekullisht sepse isha në skenë krahas emrave që i kishim ikona për brezin tonë, si Arta Babaramo, Liljana Kondakçiu, Alida Hisku, Bashkim Alibali, Kozma Dushi, Pëllumb Elmazi dhe shumë të tjerë. Për mua ishte me të vërtetë një kënaqësi dhe u ndjeva i nderuar, sepse ishte e rëndësishme pjesëmarrja në atë eveniment përkrah këtyre emrave të mëdhenj.
CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja në muzikë?
Jovan Tere: Unë kam kënduar që i vogël, jam aktivizuar me këngën që në vitet e shkollës fillore me pallatin e pionerëve. Kam qenë në klasën e katërt kur kam kënduar në festivalin e parë të këngës naftëtare, ku jam vlerësuar me çmimin e parë. Kjo ishte një arritje që më krijoi mundësinë që në të njëjtin vit të marr pjesë në festivalin kombëtar të fëmijëve në Shkodër në vitin 1970. Kënga që unë këndova së bashku me dy pioneret e tjera Merita Liaj nga Fieri dhe Valentina Xhezo, të shoqëruara nga kori i fëmijëve morën çmimin e dytë. Për mua ai aktivitet është një nga ngjarjet më të rëndësishme, që kurrë nuk fshihet nga kujtesa ime. Në atë festival kam qenë sëbashku me këngëtarë të famshëm si Frederik Ndoci, Zana Qatipi, Elida Korreshi dhe të tjerë.
Më vonë vazhdova të këndoj në shkollën e mesme dhe aktivitete lokale, por kujtimet më të mira i kam gjatë kohës kur isha student në Tiranë. Kam kënduar në Koncertet e majit me grupin artistik “Studenti”, që ishte një ansambël shumë i mirë me këngëtarë profesionistë si Ermira Babaliu, Irena Margariti, Tatjana Buzi, Halit Kola apo shkrimtari dhe regjisori Arjan Koliqi. Drejtues i grupit ishte kompozitori Ilir Dangëllia dhe drejtues kryesor Kujtim Selmani. Kur mbarova vitin e parë të universitetit konkurova dhe për degën e kantos dhe u paraqita mirë, por nuk mu dha mundësia që të vazhdoja sepse nuk mu ndërrua dega.
Jovan Tere gjate nje aktiviteti (Foto personale)
Jovan Tere gjate nje eventi (Foto personale)
CMG: Keni marrë pjesë në aktivitete artistike në Kanada?
Jovan Tere: Më vjen mirë që në atë kohë kam qenë pjesë e një konkurence, pasi të gjithë ishin këngëtarë të talentuar. Unë pata një shkëputje sepse punova në sektorin e vështirë të naftës, dhe kur erdha në Kanada mu rikthye pasioni i vjetër dhe kam marrë pjesë në disa koncerte këtu të organizuara nga shoqata të ndryshme. Në një aktivitet kam qenë pjesë e grupit të këngëtarëve sëbashku me Frederik Ndocin, Eli Fara që ishin të ftuar nga Shqipëria, si dhe aktori i madh Mirush Kabashi. Ky ishte një koncert që më la mbresa të jashtëzakonshme.
Gjithashtu doja të përmendja dhe pejsëmarrjen në koncertin e madh me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që ishte një koncert mjaft i bukur festiv, ku u angazhua një grup i madh artistësh profesionistë, të cilët kishin emigruar në Kanada. Një kënaqësi tjetër ka qenë kur në Kanada dhe SHBA ne kënduam të parët këngë polifonike në skenë.
CMG: Sa shpesh e vizitoni Shqipërinë dhe për çfarë ju merr malli më shumë për vendlindjen?
Jovan Tere: Në Shqipëri vij shpesh se kam prindërit. Sado larg të jesh, madje dhe në vendin më të bukur të botës, si vendi yt nuk ka. Janë kujtimet për miqtë, shokët apo ngjarjet e mira që të sjellin më pranë në lidhje, megjithëse me dhimbje dua ta pranoj se tashmë periudha 20 vjeçare ka bërë të veten. Kanë mbetur shumë pak nga brezi im në Kuçovë, sepse pjesa më e madhe është në emigracion dhe ka shumë të ardhur pas vitit 2000. Kur shkova në Shqipëri herën e fundit u ndjeva pak si i huaj sepse nuk njihja shumë persona.
CMG: E keni menduar ndonjëherë rikthimin përgjithmonë në Shqipëri?
Jovan Tere: Unë aktualisht jam në punë, ku kam dhe disa vite që të dal në pension, por atë që po shikoj dhe nga të tjerët duket pak si e vështirë. Fëmijët e emigrantëve tashmë kanë krijuar familjet e tyre dhe nipërit dhe mbesat të lidhin. Ashtu si prindërit tanë u kujdesën për fëmijët tanë, ashtu dhe ne e kemi për detyrë të kujdesemi për të vegjlit. Megjithatë kurrë mos thuaj kurrë, sepse nuk i dihet.
CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Kanada?
Jovan Tere: Shqiptarët në Kanada janë një komunitet relativisht i ri nëse do t’i krahasoja me fqinjët tanë grekët dhe italianët. Megjithatë komuniteti ynë ka një rritje të ndjeshme, ku shumica janë përqëndruar në Toronto, Hamilton dhe në Montreal. Kjo gjë ka krijuar dhe mundësinë e krijimit të shoqatave të ndryshme të cilat në programet e tyre, por dhe në aktivitetet praktike kanë bërë një punë të lavdërueshme në ruajtjen dhe promovimin e traditave të çdo treve. Këtu çdo qytet ka shoqatën e shqiptarëve që lidhen dhe bëjnë aktivitete. Gjithashtu dhe individë të veçantë kanë krijuar shoqata të vogla dhe po bëjnë një punë të mirë. Kjo gjë ka rënë në sy të qeverisë kanadeze dhe parlamenti kanadez vendosi që nëntori të jetë muaji i traditës shqiptare, që është një arritje e shkëlqyer për komunitetin shqiptar.
Intervistoi: Gazmend Agaj