Tregjet globale janë gjithnjë në zhvillim dhe sistemet moderne financiare janë përherë e më të ndërlikuara. Në këtë kontekst nevoja për mbikëqyrje vigjilente nga ana e autoriteteve bëhet jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme. Vendimet që merren në lidhje me qeverisjen financiare rezonojnë shumë përtej kufijve të sallave të këshillit dhe politikave fiskale, duke formësuar trajektoren e ardhshme të shëndetit ekonomik të një vendi. Nëpërmjet vendimmarrjes së informuar dhe angazhimit të palëkundur ndaj integritetit financiar, një qeveri ka fuqinë për të nxitur një mjedis me rritje të qëndrueshme, elasticitet dhe prosperitet.
Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në shkollë partiake për ndërtimin e sektorit financiar me cilësi të lartë, 16 janar Pekin(Foto:Xinhua)
Në mes të janarit 2024, Kina dërgoi një sinjal të fortë dhe të rinovuar për ndërtimin e vetes në një fuqi financiare, si pjesë e përpjekjeve të saj për të ndjekur një zhvillim cilësor të këtij sektori. Udhëheqja kineze është shprehur se një vend me një sektor të fortë financiar duhet të ketë një themel të fortë ekonomik, infrastrukturor e teknologjik.
Presidenti kinez Xi Jinping ka ripërsëritur angazhimin e Kinës në rrugën e zhvillimit financiar me karakteristika kineze dhe nxitjen e zhvillimit cilësor të këtij sektori. Në fjalën e tij drejtuar Shkollës së Partisë të Komitetit Qendror të PKK-së, e njohur gjithashtu si Akademia Kombëtare e Qeverisjes, presidenti Xi përshkroi përparimin e zhvillimit financiar në epokën e re. Xi theksoi rëndësinë e respektimit të parimit për të siguruar që shërbimet financiare t'i shërbejnë ekonomisë reale dhe duke e vendosur parandalimin dhe kontrollin e rrezikut në fokus të punës financiare.
Në fjalën e presidentit Xi kishte një artikulim të thellë të nevojave dhe pritshmërive për sektorin financiar, por le të ndalemi në tre pika kyçe të fjalës së tij: thelbi i financave socialiste me karakteristika kineze, financa në shërbim të ekonomisë reale dhe mbikëqyrja financiare.
Kuptimi i thelbit të financës socialiste me karakteristika kineze
Dekadat e fundit Kina ka ndjekur një ekonomi tregu socialist me karakteristika kineze. Termi "financat socialiste me karakteristika kineze" shpreh një kombinim unik të parimeve socialiste dhe politikave ekonomike, orientuar nga tregu që Kina ka adoptuar.
Në kinë ka qindra ekspert të shkëlqyer të financave dhe ekonomisë, dhe këtu do të veçonim, Hong Yixng, një profesor kinez që ka shkruar një nga librat më të lexuar jashtë Kinës të titulluar "Studim teorik mbi ekonominë politike të Kinës". Profesor Hong shpjegon se studimi në ekonominë politike socialiste me karakteristika kineze është i lidhur ngushtë me zhvillimin e forcës prodhuese. Filozofia e re e zhvillimit dhe paradigma e re e zhvillimit në fakt përcaktojnë teoritë e ekonomisë politike socialiste me karakteristika kineze. Filozofia e zhvillimit të ri në Kinë është një përmbledhje shkencore e praktikave dhe përvojave të Kinës në zhvillimin ekonomik dhe një pjesë kryesore e konceptit ekonomik të mendimit të Xi Jinping mbi ekonominë socialiste me karakteristika kineze për epokën e re. Ajo përfaqëson interesat e të gjithë njerëzve dhe përcakton atributin disiplinor të ekonomisë politike socialiste me karakteristika kineze, domethënë ekonominë me në qendër njerëzit.
Foto:VCG
Xi Jinping e ka përcaktuar thelbin e socializmit si eliminimin e varfërisë, përmirësimin e jetesës së njerëzve dhe realizimin gradualisht të prosperitetit të përbashkët. Ajo që përcakton linjën kryesore të ekonomisë politike socialiste me karakteristika kineze është çlirimi i potencialit, zhvillimi dhe mbrojtja e forcave prodhuese dhe arritja e prosperitetit të përbashkët. Mendimi i ri dhe praktikat e reja për rolin e tregut dhe qeverisë në epokën e re kanë hapur një sferë të re për analizën e operacioneve ekonomike dhe financiare.
Aspektet kyçe për të kuptuar financat socialiste janë të shumta, por le të shqyrtojmë ato me peshë më të madhe. Sistemi ekonomik i Kinës shpesh përshkruhet si një ekonomi tregu socialist. Kjo do të thotë se, ndërsa shteti ka një rol të rëndësishëm në planifikim dhe rregullim të ekonomisë, ka gjithashtu hapësirë të konsiderueshme që të operojë dhe të drejtojë forcën e tregut.
Kontrolli dhe planifikimi nga qeveria janë një tjetër karakteristikë, pasi ajo ka një zë të fuqishëm në sektorët kyç të ekonomisë, si financat, energjia dhe telekomunikacionet. Për më tepër, ndërmarrjet shtetërore vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në këto sektorë, dhe qeveria ushtron kontroll mbi industritë strategjike.
Sistemi financiar kinez ka një strukturë të veçantë, me një kombinim të bankave shtetërore dhe atyre private. Qeveria ka zbatuar politika të ndryshme financiare për të liberalizuar normat e interesit, për të internacionalizuar monedhën kineze (Renminbi) dhe për të zhvilluar tregjet kapitale. Banka Popullore e Kinës (PBOC) luan një rol qendror në politikën monetare. Nga ana tjetër ndërmarrjet shtetërore dhe operacionet e tyre mund të ndikohen nga objektivat më të gjera ekonomike dhe politike, dhe patjetër, vlerat socialiste të aplikuara në ekonomi. Kjo përfshin një fokus në drejtësinë shoqërore, eliminimin e varfërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Në thelb, qeveria synon të mbajë një ekuilibër mes rritjes ekonomike, mirëqenies shoqërore dhe shqetësimeve mjedisore.
Qëllimi themelor i financës në shërbim të ekonomisë reale
Financat, një nga segmentet kyçe të sistemit ekonomik, luajnë një rol thelbësor në lidhjen midis investitorëve dhe ata që kanë nevojë për kapital, duke përcjellë rrjedhën e kapitalit në aktivitete prodhuese. Për lidershipin kinez, kuptimi themelor i financave është ti shërbejë ekonomisë reale duke ndihmuar në ndarjen efikase të burimeve, stimulimin e investimeve dhe zhvillimin e aktiviteteve prodhuese.
Një nga detyrat kryesore të financave është ndarja efikase e kapitalit, duke drejtuar fondet në projekte, biznese dhe individë që kanë potencial për përdorim produktiv. Ky proces është jetik për rritjen ekonomike, duke mundësuar investime në infrastrukturë, teknologji dhe inovacion.
Foto:VCG
Çka është më e rëndësishmja, ato ofrojnë mjetet dhe instrumentet për menaxhimin e rreziqeve, duke ndihmuar bizneset të mbrohen nga pasiguritë e ndryshme. Përmes sigurimeve, derivateve dhe produkteve të tjera financiare, kompanitë mund të lehtësojnë presionin e rreziqeve të tilla si fluktuacionet e kursit të këmbimit, rritja e kostos së inputeve, dhe ngjarje të papritura të tjera. Ky aspekt i financave kontribuon në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e bizneseve dhe, në përgjithësi, të ekonomisë.
Për lidershipin kinez, financa inkurajon konkurrencën dhe inovacionin. Tregjet financiare efikase nxisin zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja financiare, duke përmirësuar ndarjen e burimeve dhe përmirësuar rendimentin ekonomik. Konkurrenca dhe inovacioni duhet të shërbejnë si katalizatorë për rritje dhe përmirësim të vazhdueshëm në efikasitetin e ekonomisë reale.
Për të arritur qëllimin e tyre themelor, financat duhet të jenë efikase, transparente dhe të kujdesen për integritetin e sistemit financiar. Në këtë mënyrë, financat kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke shërbyer si një motor kryesor i aktiviteteve prodhuese dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së komuniteteve. Këtu po vendoset theksi në Kinë, financat të luajnë një rol thelbësor në shërbim të ekonomisë reale duke ndihmuar në ndarjen e kapitalit, menaxhimin e rreziqeve, përmirësimin e infrastrukturës financiare dhe inkurajimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Një paradigmë e thjeshtë, drejtimi i politikave financiare në një qasje të orientuar nga populli tregon një angazhim për t’i shërbyer ekonomisë reale, duke siguruar që iniciativat financiare të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në mirëqenien e njerëzve. Në këtë rrugë, lidershipi i centralizuar dhe i unifikuar i Kinës kërkon një qasje të përqendruar te njerëzit duke respektuar orientim ndaj vlerave kombëtare. Pra, nëse “lojërat” e financës së lartë nuk i shërbejnë idesë dhe qëllimit fundor të mirëqenies së qytetarëve, ato duhen rishikuar, kontrolluar dhe rikalibruar.
Mbikëqyrja financiare duhet të ketë "dhëmb e gjemba"
Presidenti Xi vuri në dukje se për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë të sektorit financiar dhe për të ndërtuar fuqinë financiare të Kinës, është e domosdoshme të kombinohet sundimi i ligjit me sundimin e virtytit dhe të nxitet një kulturë financiare me karakteristikat kineze. Në këtë aspekt qendron fokusi i vazhdueshëm në parandalimin dhe kontrollin e rreziqeve si tema kryesore e punës financiare. Ky qëndrim demonstron një qasje proaktive ndaj mbajtjes së stabilitetit dhe mbrojtjes nga dëmet potenciale, duke përshtatur një strategji financiare të përgjegjshme dhe të qëndrueshme.
U përdorën fjalët "dhëmbë dhe gjemba" në fjalimin e Xi, të cilat në kontekstin e mbikëqyrjes financiare sugjeron nevojën për masa të forta dhe rigoroze për të siguruar kontrollin dhe zbatimin efektiv të politikave financiare. Metaforikisht, një organ shtetëror rregullator me "dhëmbë" ka aftësinë për të hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar individë ose entitete që shkelin rregulloret financiare. Kjo mund të përfshijë vendosjen e gjobave, tërheqjen e licencave, ose ndërmarjen e veprimeve ligjore. Fjala “gjemba” në mbikëqyrjen financiare do të thotë implementimin e masave shtrënguese që bëjnë që individët ose entitetet të reflektojnë mirë për pasojat, para se të angazhohen në veprimtari të padrejtë apo jo-etike.
Në thelb, metafora nxjerr idenë se mbikëqyrja financiare efektive nuk duhet vetëm të ketë autoritet për të zbatuar rregulloret, por duhet gjithashtu të ketë ndëshkime që dekurajojnë aktet kriminale. Kjo ndihmon në ruajtjen e integritetit të sistemit financiar, mbrojtjen e investitorëve dhe palëve të interesuara dhe promovimin e praktikave të drejta dhe transparente në industrinë financiare.
Foto:VCG
Ndërsa lundrojmë në peizazhin kompleks dhe dinamik të sfidave dhe mundësive ekonomike, është e domosdoshme që të njohim rolin kryesor që mbikëqyrja efektive financiare luan në ruajtjen e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe integritetit të institucioneve tona, tha Xi.
Njohja e nevojës për një balancë mes hapjes financiare dhe sigurisë është veçanërisht lavdëruese, duke treguar një kuptim të nuancuar të kompleksiteteve të përfshira në marrëdhëniet ndërkombëtare financiare.
Së fundmi, qasja e Kinës ndaj zhvillimit financiar përbën një shteg unik, që sipas kritereve, parimeve dhe nismave të shpalosura nga presidenti Xi tregojnë një angazhim për qeverisje financiare të përgjegjshme, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke kontribuar pozitivisht në zhvillimin dhe stabilitetin e përgjithshëm ekonomik të Kinës. Qenia e një fuqie financiare do të thotë se Kina e ka marrë zhvillimin financiar nga një perspektivë strategjike, e cila është e paprecedentë dhe tregon theksin e qeverisë qendrore te financat. Lidershipi synon të rrisë konkurrueshmërinë ndërkombëtare të sektorit të saj financiar në nivel global dhe ky drejtim strategjik ka si qëllim fundor zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Dr. Marsela Musabelliu