Gjergj Kaçinari: Pas Festivalit "Luleborë", planet artistike për vitin 2024
2024-01-28 17:29:52

Gjergj Kaçinari në Festivalin e 62-të të RTSH-së (Foto RTSH)

Gjergj Kaçinari në Festivalin e 62-të të RTSH-së (Foto RTSH)

Gjergj Kaçinari është një kantautor që prej dy dekadash merret me muzikë. Ai ka kryer studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë, dega Kompozicion. Prej 15 vitesh ka qenë pjesë e bandës muzikore të Festivalit të Rtsh-së si instrumentist. Vitin që shkoi ai u vlerësua me çmimin e parë në Festivalin  "Luleborë" mbajtur në Shkodër me këngën "Shko dallëndyshe", me vargjet e Filip Shirokës dhe kompozim nga babai i tij Alfred Kaçinari. Gjatë karrierës artistike Gjergji ka realizuar disa koncerte recitale të artistëve shqiptarë, por vlen të përmendet edhe pjesëmarrja e tij si instrumentist në koncertet e realizuar nëpër Evropë me kitaristin e Bon Jovit, Phil X. Në intervistë për Radio Ejani, ai rrëfen ekperiencën e tij në “Luleborë”, si instrumentist në Festivalin e Rtsh-së, por edhe planet për vitin 2024.

CMG: E nisim bisedën tonë me fitoren tënde në Festivalin “Luleborë”. Si ndihesh pas kësaj fitoreje, që është çmimi i parë në këtë karrierë të gjatë artistike.

Gjergj Kaçinari:  Është e vërtetë, është  çmimi i parë. Në përgjithësi nuk kam eksperiencë apo lidhje të fortë me çmimet, për mua çmimi nuk simbolizon diçka. Sigurisht që e vlerësoj shumë që juria ka vlerësuar atë këngë si fituese. Shumë e rëndësishme për mua është që u mirëprit nga publiku, për dy netë me rradhë kënga u duartrokit, u  pëlqye dhe komentet ishin pozitive. Për mua ky ishte çmimi më i madh. Çmimi i parë pastaj  është në vetvete diçka simbolike, që e mban mend një javë dhe kaq. Impakti dhe përshtypjet që merr nga njerëzit dhe vlerësimi mendoj është fitorja më e madhe në këtë rast.

CMG: Duke qenë se është një çmim i parë në një festival prestigjoz si “Lule borë” ku këngët kanë qenë mjaft cilësore, një veçanti është se vije për herë të parë me babain tënd. Dy vite më parë në një intervistë, më ke shprehur se nuk kishte ardhur ora biologjike ende, për një bashkëpunim me Alfred Kaçinarin, por siç duket tani ishte momenti…Si lindi ky bashkëpunim?

Gjergj Kaçinari: Ndoshta ideja lindi nga ajo intervistë…(qesh). Këtë bashkëpunim e nisi babai im, sepse unë nuk isha në dijeni të këngës që ai po punonte. Ai kishte marrë një tekst të Filip Shirokës, që është shumë më e gjatë, por kishte përzgjedhur disa strofa dhe kish realizuar këtë pjesë muzikore. Më thërriti  në studio, ma tregoi këngën e më tha që do ta këndosh ti këtë. Në fakt mu duk shumë ndryshe nga materialet që kisha realizuar deri në ato momente, por më vonë u ambjentova. E regjistruam demon dhe e lamë për dy vite aty sepse vitin që ne menduam ta realizonim unë lëviza jashtë vendit dhe e pata të pamundur për të qenë pjesë e festivalit “Lule borë”. Këtë vit kishim mundësi, e riregjistruam dhe morëm pjesë në festival.

Më kanë pëlqyer shumë disa momente alternative, të cilat janë elemente që ne i kemi përdorur në muzikën tonë popullore qytetare prej vitesh dhe gjithashtu motivet shkodrane të vjetra. Të gjitha këto bënë një miks shumë të veçantë dhe unë mendova ta bëja sipas mënyrës sime, por pa e cënuar materialin, pra të rrija sa më tepër tek vetja duke qenë komod në mënyrën e interpretimit, por duke i ruajtur materialit krakteristika lirike vokale. Fatmirësisht rezultoi me sukses.

Gjergj Ka莽inari (Revista Bordo)

Gjergj Kaçinari (Revista Bordo)

CMG: A ishte kjo e vështirë për ty, duke u mësuar me një stil ndryshe?

Gjergj Kaçinari: Jo aspak, madje ishte e thjeshtë. Si fillim duhet vetëm të gjesh mënyrën sesi duhet të ndërveprosh me këtë material, por në momentin që e kupton se ku duhet të rrish, është bukur.

CMG: Menjëherë pas “Lule borë” u angazhove me festivalin e 62-të të këngës në RTSH, me prova të shumta së bashku me bandën muzikore. Na trego si u ndave pas gjithë këtij angazhimi intensiv?

Gjergj Kaçinari: Unë jam shumë familjar me atë ambient. Këtë vit bëhen 15 vite që unë jam pjesë e orkestrës si instrumentist, orkestrues, kompozitor, e si këngëtar dy apo tre herë. Provat me grupin i shijoj vërtet sepse është terreni që unë kam qejf të bëj. Grupi ynë profesionist me shokë e kolegë shumë të aftë prej vitesh, nën drejtimin e Elton Dedës dhe bashkë me gjithë  djemtë e tjerë, me të cilët jemi grup shoqëror edhe jashtë RTSh-së. Ishte një eksperiencë shumë e bukur si gjithmonë ku ne u kënaqëm dhe shijuam shumë, gjithashtu bëmë më të mirën që mund të bënim, e sigurisht që u ndamë shumë mirë.

CMG: Artistët i dëgjojmë të thonë se e shijojnë shumë bashkë me atmosferën që është në fundvit në festival. Është vërtetë emocion, por çfarë ka ndryshuar në krahasim me vitet e tjera?

Gjergj Kaçinari: Jo, një vit më pak rrëmujë e një vit më shumë. Këtë vit ka pasur shumë këngë pjesëmarrëse, mbi 30-të, ka pasur dhe shumë këngë të ftuara dhe ishte shumë rrëmujë. Të lodhin pak pritjet e zgjatjet sesa puna në vetvete.

CMG: Kur është emocioni më i fortë, kur je instrumentist apo kur je duke interpretuar në skenë si konkurent?

Gjergj Kaçinari: Më shumë sesa emocion unë do zgjidhja fjalën përgjegjësi, sepse për mua është përgjegjësi shumë e madhe kur je në band. Ose në rastin e festivalit kombëtar që u realizua në Kosovë, isha në piano dhe në drejtimin e bandës, e këtu është përgjegjësia më e madhe sepse je vërtet një hallkë shumë e rëndësishme dhe e fortë ku nuk mund të ngecësh. Ndërsa kur del në skenë dhe këndon jo, sepse përgjegjësitë janë shumë më të ulëta e sido që të dalësh problemin e ke vetëm me veten tënde. Në rastin tjetër duhet të përgjigjesh e japësh rezultat mjaft të lartë.

Gjergj Kaçinari  (Foto nga instagrami)

Gjergj Kaçinari  (Foto nga instagrami)

CMG:  Sapo na tregove që për 15 vite je pjesë e orkestrës në RTSH, një përgjegjësi shumë e madhe, por nëpër intervista dëgjoj gjithmonë që të quajnë  artist i ri, i talentuar. Ndërkohë që ke mbi 20 vite që  ushtron instrumentin e pianos, kitaren, këngën etj. Si ndihesh ?

Gjergj Kaçinari:  Më vjen mirë që më quajnë kështu, mua më bën mirë kjo gjë,  njëlloj si ai butoni i kompjuterit që shtypet përherë për “Refresh”, pra mbetem gjithmonë i ri. Unë kam filluar të studioj piano para 25 vitesh në mënyrë profesionale, sepse në mënyrë autodidakte kisha filluar vetë edhe më herët. Muzika ka qenë pjesë e rëndësishme e gjithë zhvillimit tim, pastaj pas daljes time në “The Voice”, vendosa që do merrem me këtë gjë sepse  deri në atë momente e kisha opsionale. Nuk kam qenë shumë konsistent nëpër daljet si këngëtar, prandaj ndodh edhe kjo, madje edhe në festival për herë të parë dola parvjet. Më pëlqen si term…

CMG: Lindur në një familje artistësh, në diskutimet tuaja familjare janë më të shpeshta kritikat, apo komplimentat?

Gjergj Kaçinari: Komplimentat nuk i aplikojmë, madje unë kur marr komplimenta me superlative, që janë gjithmonë nga mami, shumë rrallë nga motra dhe fare nga babi. Nuk i mirëpres, më pëlqen vështrimi objektiv, racional, i prerë. Kur u tregoj ndonjë material të ri në shtëpi dhe marr kritika, jam në rregull, kur fillojnë me komplimenta, nuk e dua shumë këtë pjesë.

CMG: Është një gjë vërtetë e mirë  dhe kjo sepse të ndihmon të rritesh më shumë artistikisht.

Gjergj Kaçinari: Po e vërtetë, sepse flasim për të rritur kualitetin e materialeve dhe të gjitha këtyre.

CMG: Brenda familjes, motra jote Ana është gjithashtu muzikante. Cilin nga ju të dy komplimentojnë më shumë prindërit për arritjet profesionale, Anën apo Gjergjin?

Gjergj Kaçinari: Asnjerin. Gjejnë gjithmonë diçka. Unë dhe Ana nuk kemi lidhje fare, ajo është pianiste klasike. Ndërsa me babin, që mund të quhet deri diku që bëjmë të njejtën gjë, prapë fokusimi është komplet tjetër, janë koncertet, performancat ‘live’, jam shumë larg studios, pasi studio për mua është punë, ndërsa pjesa tjetër është ajo që dua të bëj vërtetë. Ndërkohë e anasjellta është për Fredin, mami është dirigjente pra pavarsisht që jemi të 4 artistë në shtëpi në fushën e muzikës, jemi aq larg për dikë që është brenda dhe e sheh  që duket ndonjëherë sikur bëjm katër punë të ndryshme.

CMG: Patjeter që gjithësecili është unik edhe brenda artit. Gjergj, si i ke marëdhëniet me muzikën live kohët e fundit?

Gjergj Kaçinari: I kam shumë mirë, në frekuentim nuk mund të them që është duke lulëzuar tani sepse kanë ndodhur ndryshime në konsumin e aktiviteteve të tilla, por fokusin e kam në koncerte pak më të mëdha. Pra më pak sasi, më tepër cilësi është gjëja që mendoj që duhet të arrijë çdo artist, sigurisht që është një lloj progresi për mirë.

CMG: Ke qenë pjesë e shumë koncerteve të artistëve të ndryshëm. Na trego  për to.

Gjergj Kaçinari: Në koncertin e Altin Gocit kam qenë pjesë e kitarës solo dhe kaq, pjesë e bandës. Ndërsa në koncertin e Venerës dhe Lindit, kam qenë  Drejtus Artistik përveç  se isha pjesë e bandës, me drejtimin e orkestrës, realizimin e orkestrimeve, etj.  

Gjergj Kaçinari në intervistë për Radio Ejani

Gjergj Kaçinari në intervistë për Radio Ejani

CMG: Si po ecën puna jote momentalisht në studion tuaj muzikore, ku punon bashkë me babain, kompozitorin Alfred Kaçinari?

Gjergj Kaçinari: Ndajmë ambjentin bashkë do të thoja. Ajo është një studio që ka filluar investimin që përpara se të lindja unë dhe para shumë vitesh u përfshiva dhe unë që në moshën 12-13 vjeçare, kur më lindi kurioziteti për të qenë pjesë e saj. Shihja gjithçka se si funksiononte. Punojmë në të njëjtin ambjent dhe shumë herë punojmë bashkë për produksione, koncerte, qoftë për produksione për artistë të tjerë, kemi punuar për festivalin këtu në Shqipëri, për festivalin që u bë në Kosovë etj.

Është punë e bukur me të thënë të drejtën,  jo e preferuara ime, por dhe puna në studio është mjaft e bukur. Në studio punoj dhe me artistë të tjerë, e mira është që artistët për shkak të profilit që unë kam vetëseleksionohen dhe mua më bie të punoj me njerëz që dua shumë të punoj, me njerëz që kemi shumë kimi, përputhje shijesh të njejta, ide, koncepte. Bëhet fjalë për artistë alternativë që nga Kastro Zizo që është shumë ndryshe nga Lindi dhe Venera, por që janë shumë ndryshe nga Renisi, gjithsesi më lidh diçka dhe kjo gjë më pëlqen shumë tek puna në studio që unë bëj.

CMG: Mua më pëlqen shumë ta përmënd dhe ftesën që të është bërë dikur nga kitaristi i Bon Jovit , si janë kontaktet tani me të?

Gjergj Kaçinari:  Po kam ende kontakte, është një nga miqtë më të ngushtë që kam dhe flas shpesh me të për çdo gjë, madje dhe për koiçidencë pak para se të vija për këtë intervistë, po shkëmbenim mesazhe. Ndoshta këtë vit nëse realizohet diçka nga Europa, ndoshta mund të jem në ndonjë koncert. Kjo ka qenë një gjë që tregon se funksionon universi, të çon vetë në ato pika, në ato vende dhe ndonjëherë je  në momentin e duhur, në vëndin e duhur dhe sigurisht që unë u përgjigja fillimisht profesionalisht dhe më pas lindi dhe miqësia që edhe vazhdon. Këto janë gjëra shumë të bukura, që muzika të lidh në çdo vënd të botës që mund të jesh dhe kjo është dhe pjesa më e bukur.

CMG: I tregon këngët e tua, për t’i marr ndonjë ide ose mendim përpara se ta bësh publike?

Gjergj Kaçinari:  Po, mund të jetë i vetmi person që i kam treguar këngët përpara se t’i publikoj, i kam marr mendim dhe ajo çka është më e bukura dhe më vlerësuese për mua është që edhe i kam dhënë mendim atij ndonjëherë. Me Phil X, kam një raport shumë të ngushtë shoqëror dhe profesional.

CMG: Gjergj, a do të të shohim në një të ardhme me një koncert recital?

Gjergj Kaçinari: Në aktivitetet që po bëj me grupin tim ose dhe vetëm sigurisht dhe një pjesë janë materiale që i kam publikuar prej vitesh herë pas here. Këtë vit do t’i jap formë me një grup që prej vitesh unë e kam drejtuar nën zë, e më në fund iu dha forma atij grupi dhe do të nxjerrë një album me këtë grup që quhet “Rool”. Me këtë grup kam fokusin primar për t’i dhënë një formë të duhur, për të zhvilluar videoklipet, koncertet, e për t’ju fokusuar totalisht këtij grupi.

CMG: Po motër e vëlla do ju shohim në skenë në të ardhmen?

Gjergj Kaçinari: Dhe kjo është folur nëpër shtëpi, është diskutuar. Unë me Anën bashpunuam një herë vetëm kur ka realizuar një pjesë  për Elizën e Bethovenit, një version alternativ-rrok që produksionin muzikor ja bëra unë, ndërsa orkestrimin dhe gjithë idenë e ndërtimin e  bëri Ana. Me Anën bashkëpunoj shumë për punët në studio, shumë tekste i bëjmë bashkë për këngëtarë të tjerë, sidomos për këngë fëmijësh në festivalet në Tiranë apo në Shkodër.  

Intervistoi: Sava Lena