Mimoza Paraveli (Foto personale)
Këngëtarja e serenatave dhe muzikës popullore Mimoza Paraveli ka rreth tre dekada, që është një nga përfaqësueset më të denja të këngës së bukur korçare. Mimoza përcjell ëmbëlsinë e atij qyteti romantik e me tradita, që ia lexon në portret , ia dëgjon në zërin melodioz plot thjeshtësi dhe sharm. Në një intervistë për Radio Ejani, Mimoza Paraveli tregon për jetën e saj artistike dhe projektet muzikore.
Kengetarja nga Korca Mimoza Paraveli (Foto personale)
CMG: Si ka nisur karriera juaj muzikore?
Mimoza Paraveli: Fillimet e mia me muzikën kanë qenë në kopësht, ku organizoheshin festivalet për fatosa e pionerë dhe pastaj në shkollën e muzikës për kanto. Kam pasur mjaft aktivitete në qytetin e Korçës dhe në estradën profesioniste të qytetit.
CMG: Në vitin 1991 keni bashkëpunuar me artistin Mihallaq Andrea për realizimin e një albumi me serenata kroçare. Si erdhi ky bashkëpunim?
Mimoza Paraveli: Në atë periudhë Mihallaqi donte të nxirrte albumin e tij të parë si kantautor dhe provoi nga ana vokale shumë vajza në shkollën e muzikës. Fatmirësisht u përzgjodha unë nga të gjitha ato vajza që ai dëgjoi dhe ka qenë një album vërtetë i suksesshëm i Mihallaqit. Albumi u realizua me videoklip me mbështetje nga RTSH, duke qenë vërtetë një jehonë e serenatave, si dhe i ka rezistuar kohës, pasi dhe sot këndohen dhe dëgjohen këto këngë.
CMG: Pas këtij suksesi me Mihallaqin keni pasur bashkëpunime të tjera më vonë?
Mimoza Paraveli: Para dy vitesh, për natën e Vitit të Ri kemi kënduar në të njëjtin vend në Korçë. Kisha mjaft emocione që këndoja prapë me Mihallaqin pas kaq vitesh, sepse kishte ndryshuar mënyra e të kënduarit. Unë vazhdoja të qëndroja strikte në atë që kishim bërë në album, por ajo ishte shumë mbrëmje e bukur me plot emocione. Ne kemi mësuar nga Mihallaqi dhe zërat e tjerë të Korçës.
Mimoza Paraveli (Foto personale)
CMG: Si ndjeheni që e keni ruajtur traditën e muzikës shqiptare, duke qenë pjesë e artistëve me vlera të qytetit të Korçës?
Mimoza Paraveli: Unë i kam qëndruar besnike këngës shqipe, por është publiku që të dëgjon dhe të jep vlerësimin nëse ti i ke qëndruar korrekte asaj muzike, apo ke ndryshuar. Muzika evoluon dhe është e domosdoshme të sjellësh dhe gjëra të reja në tregun muzikor, por ato këngë që këndoj i këndoj fiks ashtu siç mi kanë mësuar. Unë këngët i kam marrë nga i madhi Piro Sulioti, nga vajza e tij Zhani dhe Spanja Pipa. Gjithashtu kam bashkëpunuar me Grigor Çanin, me profesor Josif Mingën, si dhe kam patur një pedagoge shumë të mirë Afërdita Zonjën. Mendoj që kam marrë nga këta artistë më të mirën dhe jam munduar që t’i ruaj ato vlera që kam fituar prej tyre.
CMG: Si erdhi pjesëmarrja juaj në spektaklin “12 në Hollwood” në vitin 1995?
Mimoza Paraveli: Unë në atë spektakël jam zgjedhur nga regjisorja Vera Grabocka. Ndërsa për këngët me të cilat u paraqita më ka ndihmuar shumë Josif Minga, i cili dhe i përpunoi mjeshtërisht këngët qytetare të Korçës duke i sjellë aq bukur. Unë në atë kohë kam qenë shumë e re dhe kur e shikoj atë filmim kam një emocion shumë të madh. Kam qenë shumë e ndrojtur sepse ishte një spektakël vërtetë masiv, ku pjesëmarrës ishin emrat më të mirë të muzikës.
CMG: Sa albume muzikore keni publikuar gjatë viteve të karrierës suaj?
Mimoza Paraveli: Unë kam realizuar tre albume muzikore dhe nuk ka qenë e lehtë, por dëshira gjithmonë të bën që të punosh fort dhe ta realizosh atë që mendon. Mundësinë për albumin e parë ma ka dhënë Sopot Serica me Afrim Hajdarin, i cili ishte një muzikant shumë i talentuar në Gostivar. Atje e kemi bërë albumin e parë që titullohet “Harroje, harroje”. Në vitin 1998 realizova në SHBA albumin e dytë sërish me serenata me Shpëtim Saraçin. Albumin e tretë e kam bërë në vitin 2001 me kompozitorin nga Elbasani, Edmond Rrapi.
CMG: Të gjitha këngët i keni të shoqëruara me videoklipe?
Mimoza Paraveli: Unë dy albumet muzikore i kam filmuar në RTSH dhe këngët e tjera pas vitit 2000 i kam realizuar me videoklipe, sepse nëse nuk i shoqëron këngët me videoklipe humbasin dhe nuk i dëgjon njeri.
CMG: Sa e vështirë ka qenë për ju t’i rezistoni këtij tregu të madh këngëtarësh të rinj vitet e fundit?
Mimoza Paraveli: Mendoj se vetëm me punë, sepse unë i këndoj të gjitha pa dalë nga natyra e këngës. Kënga shkodrane do karakterin e Shkodrës, këndimi popullor i jugut do karakterin e tij. Unë jam munduar të përshtatem në karakterin e këngëve. Unë këndoj këngë të Shqipërisë së mesme, të jugut sepse duke qenë gjithmonë në muzikë live, nuk mund të këndosh vetëm serenata.
CMG: Sa pëlqehen serenatat nga publiku i trevave të tjera?
Mimoza Paraveli: Serenatat i kërkojnë shumë, madje më ka rastisur para disa vitesh gjatë sezonit të verës kur këndoja në Lezhë, që njerëzit kërkonin serenata, derisa dikush më tha që të këndoja këngët e mia sepse kishin ardhur të dëgjonin serenata. Më vjen mirë që i kërkojnë serenatat.
Kengetarja Mimoza Paraveli (Foto personale)
CMG: Cilën nga serenatat do ta veçoni si më të dashurën?
Mimoza Paraveli: Unë nuk i ndj dot sepse i dua të gjitha, por i ndaj vetëm në mënyrën sesi janë orkestruar. Disa serenata janë bërë hite, si “Harroje, Harroje”, që këndohet dhe nga Ermira Babaliu. Gjithashtu dhe “Kali i bardhë”, që është bërë në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme, pasi unë albumin e kam bërë në Gostivar, ndërsa Ermira e ka bërë në Korçë. Serenatat kanë fjalë shumë të bukura, dhe unë i falenderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar. Unë kam bërë punën time që serenatat u shpërndanë jashtë territorit të Korçës, si dhe puna e gjithë këngëtarëve që punonin në diasporë i bënë këto këngë të dashura dhe të njohura në shumë treva.
CMG: Si ju ka pritur publiku i diasporës në koncertet për ta?
Mimoza Paraveli: Publiku i diasporës ka më shumë mall për këngët shqiptare, ose kishin në atë kohë sepse tani ka shumë aktivitete me këngëtarë të Shqipërisë.
Mimoza Paraveli (Foto personale)
CMG: Ju pëlqen më tepër të interpretoni serenata apo muzikë popullore qytetare?
Mimoza Paraveli: Mua më pëlqejnë shumë këngët e Shqipërisë së mesme, këngët e Isuf Myzyrit i kam shumë qejf. Unë jam dashuruar me këto këngë në vitin 1997 kur punoja me grupin muzikor të orkestrës së Teatrit Skampa. Ata kishin dhe këngëtaren Luljeta Pëllumbi dhe unë atje i mësova dhe u dashurova me të gjitha këngët që ata këndonin. Pastaj këto këngë i futa në repertorin tim dhe i këndoja gjithmonë.
CMG: Si u mbyll viti 2023 për ju dhe si ka nisur viti i ri 2024?
Mimoza Paraveli: Viti 2023 për mua ka qenë një vit shumë i vështirë, sepse kam pasur mamin të sëmurë dhe jam kujdesur shumë për të. Unë jam vajzë e vetme dhe jetoj me mamin dhe për mua prindi është i pari. Ndërsa vitin 2024 e kam pritur shumë bukur, sepse është hapur një vilë e re në qytetin e Korçës “Vila Ebel”, ku kam qenë me muzikantin nga Korça Zhani Llogori dhe kaluam një mbrëmje shumë të bukur. Unë i falenderoj që më zgjodhën mua për ta kaluar bashkë ndërrimin e viteve.
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me kolegët?
Mimoza Paraveli: Kam marrëdhënie shumë të mira, sepse përveç faktit që jam pozitive dhe nuk e kam xhelozinë pse dikush ka ecur apo ka arritur më shumë. Mendoj se asgjë nuk arrihet kot dhe vetë pa punë, por dikush që ka arritur diku ka derdhur mund dhe djersë, ka investuar dhe punuar për të arritur aty. Me të gjithë kam marrëdhënie shumë të mira, sidomos me ata që jam rritur në qytetin e Korçës.
Mimoza Paraveli ne interviste per CMG
CMG: A ndjeheni e plotësuar artistikisht?
Mimoza Paraveli: Njeriu asnjëherë nuk kënaqet. Mund të kisha bërë dhe më mirë.
CMG: Kur ka qenë momenti kulminant gjatë karrierës suaj ?
Mimoza Paraveli: Kur unë jam kthyer në Shqipëri në vitin 2003 deri në vitin 2019, kam qenë gjatë gjithë kohës në Tiranë dhe e kënaqur shumë më punën.
CMG: Cili ka qenë emocioni që keni përjetuar kur keni kënduar live?
Mimoza Paraveli: Emocioni më i bukur është kur njerëzit më afrohen dhe këndojnë me mua. Kam qenë në Strugë para dy vitesh, ishin një grup në moshë dhe këndonin të gjithë me mua. Këto janë momentet më të bukura, sepse nëse nuk arrin të bësh publikun të këndojë bashkë me ty, nuk ke arritur asgjë. Unë shpesh e bëj këtë gjë kur këdoj live dhe në dasëm apo evente të tjera.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore për këtë vit?
Mimoza Paraveli: Unë sapo jam rikthyer dhe nuk kam hyrë akoma në tregun muzikor të Tiranës. Kam projekte, por ja lemë kohës.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe fansat tuaj.
Mimoza Paraveli: Do ju uroj të gjithëve shëndet, dhuroni sa më shumë dashuri se jeta është shumë e shkurtër. Jetojeni jetën sikur është dita e fundit e saj! Ju uroj gëzime dhe lumturi në familjet tuaja!
Intervistoi: Gazmend Agaj