Iva Vaso është në profesion mjeke estetike, si dhe lektore në këtë fushë prej shumë vjetësh në disa shkolla që e ofrojnë këtë në Shqipëri.
Iva e nisi profesionin duke hequr dorë prej punës si farmaciste sepse siç ajo thotë: ‘Çdo gjë në jetën e një njeriu është cikël, i cili duhet të mbyllet në kohën e duhur’.
Iva Vaso ( foto personale)
Iva ka folur për marrëdhënien që ka me familjen dhe si ata i janë gjendur pranë në çdo moment të karrierës, por edhe për marrëdhënien që ka me dy djemtë e saj, tek te cilët sheh dritën e jetës.
Iva Vaso është e dedikuar për profesion, duke treguar se kohën më të madhe e kalon në punë, por kjo nuk e ka penguar të jetë po ashtu shumë e dedikuar në fusha të tjera të jetës edhe në momente shumë të vështira që mund të ketë kaluar. Ajo kujton me mall dashurinë ndaj gjyshërve dhe mënyrën se si e kanë rritur me shumë dashuri në qytetin e bukur të Elbasanit.
CMG: Iva ti je rritur në qytetin e bukur të Elbasanit, a të merr malli për atë qytet ?
Iva Vaso: Më merr malli sepse është një qytet ku unë kam thurrur shumë ëndrra dhe kam punuar shumë më pas për to. Elbasani është një qytet i vogël, por me njerëz që kanë një zemër shumë të madhe. Ndaj më merr malli dhe kujtoj vitet kur atje jam rritur nga gjyshërit e mi me shumë dashuri. Për Elbasanin kam një afeksion të rrallë sepse kam kujtimet më të shtrenjta.
CMG: Cila është marrëdhënia që ke pasur me gjyshërit?
Iva Vaso: Një marrëdhënie e përsosur do ta cilësoja sepse ata ishin njerëz të cilët më jepnin shumë shpresë dhe më mësonin shumë vlerën e një gjeje. Çdo gjë bëja për ata ishte vlerë .
Më kanë rritur me një frymë optimizmi, për të bërë sa më shumë vepra të mira ndaj do t'iu jem gjithmonë mirënjohëse. Sot që jam prind kuptoj se sa e rëndësishme është të rritësh fëmijë me dashurinë e gjyshërve.
Iva Vaso ( foto personale )
Fëmijëria është baza jonë dhe ajo për mua ka qenë një nga stinët më të bukura të jetës sime. Ka shumë për të thënë, por do e përmbledh me pak fjali. Të dy ata kanë qenë arsimtarë dhe ambienti ku unë rritesha ishte një ambient dijesh dhe dashurie. Kishte një ekuilibër të artë mes sasisë së dashurisë që jepej dhe rregullave të jetës. Unë kam qenë tejet e vogël, diku 10 vjeç dhe ajo periudhë ka lënë gjurmë të thella tek unë. Gatesat e gjyshes ishin perfekte, ajo më mësonte çdo gjë.
CMG: Iva cili është kuptimi i emrit tuaj ?
Iva Vaso: Emrin ma ka vendosur babai im. Është bashkimi i inicialeve të emrit dhe mbiemrit të tij, Ilir Vaso. Tek babai kam parë gjithmonë një njeri të përkryer. Tek ai kam parë gjithmonë një shok dhe një njeri me të cilin flisja për çdo gjë.
CMG: Cilat tipare ke trashëguar nga babai yt ?
Iva Vaso: Unë kam ngjarë identike nga babai im dhe në pamje dhe në sjellje, por megjithatë i ngjasoj edhe mamit. Mami im është një grua e bukur brenda edhe jashtë. Ajo ka qenë shumë e përkushtuar gjithnjë në jetën familjare dhe kjo gjë na ka mësuar shumë . Një nga mesazhet me të rëndësishme që prindërit na kanë mësuar është arritja e çdo gjëje përmes punës së ndershme. Tek prindërit unë kam parë gjithnjë një marrëdhënie të përkryer.
CMG: Si kanë qenë vitet tuaja të studimeve?
Iva Vaso: Periudhë unike, por ti e kupton rëndësinë e studimeve kur fillon dhe i merr rëndësinë. Shoqëria e fakultetit gjithmonë mbetet dhe ti mund të argëtohesh me ta. Shoqëria është shumë e rëndësishme. Vitet e mia të fakulteteve kanë qenë të bukura, por jam bërë prind në moshë të re dhe më është dashur të rris fëmijët ndërkohë që studioja.
CMG: A janë njerëz të lumtur ata që rrezatojnë dritë ?
Iva Vaso: Njerëzit e lumtur ose ata që rrezatojnë ndjesi të mirë janë ata që janë sprovuar më së shumti në jetën e tyre dhe e kanë kuptuar vlerën e tyre. Lumturia si term nuk ekziston, kemi thjesht grimca lumturie. Lumturia është çdo gjë që të bën të ndihesh mirë në momente të caktuara. Lumturi është edhe ky rrëfim që unë po bëj sot.
CMG: Çfarë shikon në sytë e djemve të tu?
Iva Vaso (foto personale )
Iva Vaso: Ata tani janë në moshën e adoleshencës dhe janë dy karaktere shumë të ndryshme. Shoh qetësinë në sytë e fëmijëve të mi. Qetësi ata marrin nga prezenca ime kur ju tregoj se jam aty për ata. Absolutisht që ata do kalojnë shumë sfida, por unë ju transmetoj siguri. Prindërit duhet të kuptojnë se fëmijët nuk ju përkasin, por prindërimi është mision i vështirë .
Për fëmijët dashuria duhet të jetë konstante dhe duhet t'iu mësohet se sa e rëndësishme është të jepet ajo .
CMG: Kur e kuptuat që puna që bëni është punën e ëndrrave?
Iva Vaso: Gjithmonë e kam dashur atë që bëj dhe mund të thoja një dekadë më parë. Unë kam punuar shumë vite si farmaciste sepse e doja këtë pune, unë vetë vij nga familje farmacistësh. Por, vjen një moment në jetë që ciklet mbyllen dhe kështu e mbylla edhe unë ciklin në farmaci. Ajo që mua më zgjonte ëndrrat tashmë ishte dermoestetika. Në këtë kuadër unë prej vitesh kisha filluar të shfaqja një interes mbi të bukurën. Nisa të jap këshilla e më pas të specializohesha e të thellohesha në këtë fushë.
Sot kam themeluar edhe një klinikë dhe fillova që këtë gjë ta bëja me një dëshirë të madhe. Mund të them që punën e ëndrrave e zbulova kur hoqa dorë nga profesioni im i parë. Njeriu duhet të ketë guximin të marrë vendime në jetë, të cilat janë të guximshme.
Aktualisht unë jap edhe mësim në këtë fushë dhe jam duke jetuar momentin më të bukur profesional të jetës sime.
Intervistoi Megi Latifi