Shtëpia e Biznesit, një strukturë që ndihmon konkretisht
2024-01-26 10:55:43

Këshilli Ekonomik Kombëtar në takimin për Shtëpinë e Biznesit (Foto Revista Monitor)

Këshilli Ekonomik Kombëtar në takimin për Shtëpinë e Biznesit (Foto Revista Monitor)

Më 13 janar 2024, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e shtetit për sipërmarrjen dhe klimën e biznesit Delina Ibrahimaj, paraqitën përpara një grupi të gjerë sipërmarrësish projektin e Shtëpisë së Biznesit. Shtëpia do të realizohet nga një strukturë e quajtur Sekretariati i Këshillit Ekonomik Kombëtar. Sekretariati do të ketë komitete sektoriale. Këto komitete do të adresojnë çdo shqetësim dhe kërkesë të biznesit për rimbursim, inspektim, bllokim, pritje pafund për një leje aktiviteti, leje mjedisi, zhurme, zjarri, etj.

Me këtë nismë, qeveria kërkon të vihet në provë. Pret që biznesi të bëhet pronar i Shtëpisë së Biznesit dhe kjo strukturë të shërbejë si një urë dhe derë bashkëpunimi.

Shtëpia e Biznesit ndodhet në krah të Kryeministrisë. Ajo do të shërbejë si një shtëpi, ku përfaqësuesit e lartë të qeverisë në vendim-marrjen ekonomike publike, jo vetëm do të mirëpresin bizneset për adresimin e problematikave të tyre, por do të shërbejë edhe si vend për takime të përjavshme të sekretariateve teknike, që do të ngrihen pas mbledhjes së parë të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Takimi dy ditë pas mbledhjes së Këshillit Ekonomik Kombëtar, më 14 janar 2024, ishte me përfaqësuesit e industrisë së tekstileve dhe këpucëve për eksport, ku qeveria u angazhua me një paketë konkrete në ndihmë të tyre.

Ndihma konkrete për sektorin e eksporteve të mallrave të Shqipërisë, i cili, sipas INSTAT, dha mbi 1.2 miliardë euro eksporte për vitin 2023, përfaqëson vetëm fillimin e një strategjie të ndërveprimit, të komunikimit dhe harmonizimit të iniciativave ligjore dhe nënligjore, që qeveria do të ndërmarrë në vijim, me qëllim marrjen e dijes që gjendet në të gjitha bizneset dhe në të gjitha shoqatat e sipërmarrjes.

Qeveria synon të krijojë një platformë model  të partneritetit publik-privat, me qëllim mirëqeverisjen dhe marrjen e vendimeve të duhura për nxitjen e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit.

Nga  ana tjetër, Sekretariati i Shtëpisë së Biznesit do të informojë dhe ndërgjegjësojë biznesin e Shqipërisë për sfidën e integrimit evropian. Integrimi europian i biznesit është sfida më afatgjatë e tij. Ministrja  e shtetit për sipërmarrjen dhe klimën e biznesit realizoi takimin e parë me përfaqësuesit e ndërmarrjeve të teknologjisë digjitale për financat, të quajtura fintech, po atë ditë që u prezantua Shtëpia e Biznesit, më 13 janar 2024. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj komenton krijimin e Shtëpisë së Biznesit

CMG: Më 13 janar 2024, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e shtetit për sipërmarrjen dhe klimën e biznesit Delina Ibrahimaj, paraqitën përpara një grupi sipërmarrësish projektin e Shtëpisë së Biznesit. Si e vlerësoni këtë nismë?

Presidenti i KASH Agim Rrapaj në intervistë për CMG

Presidenti i KASH Agim Rrapaj në intervistë për CMG

Agim Rrapaj: Nisma është pozitive, është dobiprurese për biznesin. Jo vetëm për të, por edhe për qeverinë.

Arësyeja qëndron në faktin se krijohet një klimë tjetër bashkëpunimi. Krijohet një mënyrë tjetër komunikimi dhe krijohet po ashtu një hapësirë më e lehtësuar, nga pikpamja burokratike, për të bashkëpunuar edhe biznesi midis vetevetes, por edhe biznesi me qeverinë dhe me donatorët.

Shtëpia e Biznesit është perzgjedhur si term shumë i mirë, por edhe si pozicion shumë i mirë, sepse është ballë për ballë me Këshillin e Ministrave, në derën e Kryeministrisë.

Realisht kjo strukturë ka disa avantazhe, që biznesi deri sot nuk i ka patur. Kjo, ngaqë kuptohet, të hysh në zyrat qendrore të qeverisë qendrore nuk është e thjeshtë. Përveç burokracisë, por edhe axhendës që atje ka, duke përfshirë rregullat strikte që janë atje.

Në Shtëpinë e Biznesit nuk ekziston një burokraci e tillë dhe është më e lehtë për të hyrë, e para.

E dyta, vetë Shtëpinë e Biznesit e ka krijuar biznesi dhe jo qeveria. Edhe qeveria është e mirëpritur në Shtëpinë e Biznesit, dhe qeveria është e kënaqur që të vijë në Shtëpinë e Biznesit.

Kjo është ana pozitive nga pikëpamja formale. Po ta shikosh në thelb të çështjes, Shtëpia e Biznesit do të trajtojë çështje shumë thelbësore. Ajo do të jetë paradhoma e Këshillit Ekonomik të Biznesit, ku do trajtohen probleme të rëndësishme në nivel teknik.

Këtu qëndron një përshkallëzim tjetër i Shtëpisë së Biznesit, që përveçse do të jetë paradhoma e Këshillit Ekonomik Kombëtar, aty do të punojnë edhe nënkomisionet teknike, të cilat do të ndërtojnë një marrëdhënie të ndryshme, nga sa ka qenë më parë, me mjaft problematika të ndryshme e serioze, që jane trajtuar dhe do të vijojnë të trajtohen.

Mbledhja e parë e Këshillit Ekonomik Kombëtar e mbështeti një nismë të tillë të biznesit, si dhe, njëkohësisht,  filloi me ligjin për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Kjo është një nismë për një riformatim tashmë, të organizimit të biznesit.

Aktiviteti vazhdoi pastaj me eksportuesit, që kishin një sërë probleme të rëndësishme.

Këto jane dy hapa shumë domethënës, që në momentet e para të krijimit të Shtëpisë së Biznesit dhe do të vijojnë me problematikën që do të ketë biznesi dhe që nuk janë pak tema e probleme.

CMG: Qeveria, përmes kryeministrit, është shprehur se kërkon të vihet në provë, duke pritur që biznesi të bëhet pronar i Shtëpisë së Biznesit dhe kjo strukturë të shërbejë si një urë dhe derë bashkëpunimi. Si mund të arrihet kjo?

Agim Rrapaj: Natyrisht që është një premtim publik i mirëpritur. Premtimi publik është përgjegjësi, nuk besoj që bëhet për të shkuar radhën, por është premtim i domosdoshëm dhe i mirëpritur nga biznesi.

Nuk ka nevojë që ne të vëmë në provë qeverinë për çështje që ne jemi të interesuar të dyja palët, pasi të dyja palët kanë të njëjtin mendim tashmë.

Edhe ne themi që kryeministri të na vërë në provë, për ato çfarë ne do të propozojmë dhe realisht të shohim si do të dalë prova, por shpresojmë që prova do të dalë me sukses.

CMG: Ju folët për komisionet dhe nënkomisionet sektoriale. Sekretariati i Shtëpisë së Biznesit do të informojë dhe ndërgjegjësojë bizneset për sfiden e integrimit evropian. Si e gjykoni këtë detyrë të tij? Do të arrijë ai të ndihmojë biznesin tonë, sidomos biznesin agro-ushqimor, i cili e ka një sfidë të jashtëzakonshme, në nivel të standardeve që duhen plotësuar për eksportet në vendet e Bashkimit Evropian?

Kryeministri Edi Rama në takimin për krijimin e Shtëpisë së Biznesit (Foto Albanian Post)

Kryeministri Edi Rama në takimin për krijimin e Shtëpisë së Biznesit (Foto Albanian Post)

Agim Rrapaj: Kjo është një sfidë afatgjatë që ka filluar prej kohësh dhe do të vijojë të përballet me biznesin dhe qeverinë. Është një sfidë e vështirë.

Për sektorin e ekonomisë së ushqimit është akoma edhe më e vështirë, për arësye se ne kemi të bëjmë me ndryshim rrënjësor në disa aspekte, me ndryshim rrënjësor në aspektin e kooperimit.

Kooperimi aktual nuk është në përputhje me atë çka Bashkimi Evropian ka në praktikën e vet të kooperimit.

Nuk mund të hysh i pa kooperuar në Bashkimin Europian, pasi fermerët  individualë shqiptarë nuk mendohet se do të arrijnë të bashkëpunojnë me fermerë  të Bashkimit Europian, të cilët kanë një strukturë të mirëpërcaktuar dhe të konsoliduar.

Elementi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me fushën e mekanizimit, inovacionit dhe dixhitalizimit. Edhe ky është një moment i vështirë e sfidues i integrimit, për të cilin ne po punojmë. Ai natyrisht që është i lidhur me të parin.

Ne nuk mund të mendojmë që fermerët tanë, që janë 354 mijë, të kenë 354 mijë traktorë! Është e pamundur që një situatë e tillë të realizohet.

Por do të kemi njësi të mekanizuara për njësi të kooperuara, të bashkuara për të prodhuar bashkë. Njësitë e kooperuara  do të jenë në sipërfaqe të caktuara, që kanë një limit ekonomik efiçience.

Natyrisht që këto bëjnë që ne të kemi një sfidë të madhe, që është inovacioni, dixhitalizimi dhe mekanizimi. Nuk mund të presim vite të tjera, por është domosdoshmëri ta bëjmë tani, dhe jo kur të shpopullohet vendi, pasi ne kemi nevojë për fuqi punëtore. Duhet ta ndërpresim tani shpopullimin, nëpërmjet këtij mekanizmi.

Elementi i tretë ka të bëjë me financimin dhe disbursimin e fondeve grant. Bashkimi Evropian ofrohet me fonde grant, sidomos me programet IPA të para-anëtarësimit në BE.

Veçse ky ofrim është me kushte. Nuk është ofrim emergjence, është ofrim i mirëmenduar, i mirëprogramuar.

Të tëra këto aspekte i kemi të domosdoshme në procesin e integrimit. Dhe Shtëpia e Biznesit e ka këtë detyrë kryesore.

Elementi tjetër ka të bëjë me legjislacionin dhe aktet nenligjore. Në rradhë të parë, aktet nënligjore administrative, që janë element kyç i integrimit. Kryeministri ka premtuar se do të përdorë inteligjencën artificiale në këtë fushë.

Shpresoj që do të dalë me sukses, sepse kjo iniciativë na ndihmon  të shkurtojmë sa më shumë kohën, për paraqitjen e dokumentave që duhen prezantuar në BE.

Këto janë katër ­çështjet që do i diskutojmë tek Shtëpia e Biznesit.

CMG: Ju përmendët veprimet e para konkrete të qeverisë përmes Shtëpisë së Biznesit. Një prej tyre ishte mbështetja e sektorit të industrisë së veshjeve dhe këpucëve për eksport. Po në bujqësi dhe në zhvillimin rural, cili sektor duhet ndihmuar më shpejt dhe më fort?

Agim Rrapaj: Këtu nuk bëhet fjalë për ndihmë, por për bashkëpunim, për të kapërcyer një stanjacion që ka ardhur për disa arsye.

Kohët e fundit, eksporti i produkteve bujqesore mori një rritje të konsiderueshme, si rrjedhojë e financimeve dhe e investimeve. Por nga ana tjetër, edhe si rrjedhojë e objektivit që qeveria i ka vënë vetes dhe po mbështet që të arrihet. Ajo i ka vënë vetes që të ndihmojë në realizimin e 1 miliardë eurove eksporte bujqësore deri në vitin 2030.

Natyrisht që kjo është e ndarë në vite. Ky program është ambicioz dhe duhen marrë parasysh edhe sfidat.

Sfida është disbalancimi i kursit të euros. Kjo nuk i prek vetëm fermerët.

Sfida e dytë janë kostot edhe kjo nuk përballohet vetëm, pasi ka edhe faktorë objektivë, që ndikojnë në rritjen e kostove.

Në rast se fasonët kanë faktorë objektivë vetëm kursin e këmbimit të valutës, bujqësia ka faktorin tjetër të kushteve të motit, përvec faktorëve të tregut.

Kapriçiot e tregut tek bujqësia nuk i parandalon dot. Ato janë të vështira për t’u parashikuar, pasi nuk janë si tek fasoneria, që i parandalon me kontratat.

Subjektet tona nuk lidhin kontrata afatgjata, por edhe po ndjejmë mungesën e financimit të fondeve dhe granteve kohët e fundit. Të fondeve të Programit IPARD.

Prandaj kërkohet bashkëpunim i qeverisë me bizneset eksportues, që të gjitha palët të japin kontribut. Kontribut po jep prej kohësh biznesi privat, i cili nuk e ka ulur ritmin, as edhe inisiativën për të vepruar.

Qeveria ende nuk është në nivelin e hapit që ka hedhur biznesi privat. Është më mbrapa, për arsye se në këtë sektor nuk ka instrumenta për të përballuar sfidat që përmenda.

Kohët e fundit, po mendojmë për të filluar takime të ndryshme. Të enjten kemi takim me Zv-Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Evropës,  Besart Kadia, për të aktivizuar institucionet tona diplomatike jashtë vendit. Kemi pastaj edhe një takim tjetër me 3 ministra, po për këtë çështje dhe shpresojmë të arrrijmë në program të përbashkët, që të dyja palët të punojnë në sinkron me njëra-tjetrën.

Intervistoi Fatos Çoçoli