Përkushtimi 20-vjeçar i shkrimtares franceze për promovimin e shkëmbimeve kulturore Kinë-Francë
2024-01-26 11:56:57


Foto nga people.cn

Për Christine  Cayol, një shkrimtare franceze e përkushtuar ndaj nxitjes së shkëmbimeve kulturore Kinë-Francë për gati dy dekada, takimi i saj me Kinën dhe kulturën kineze ishte "i paracaktuar”. Lidhja me këtë vend nisi me një histori dashurie në vitin 2002, kur Cayol ndoqi të fejuarin e saj, i cili u zhvendos për të punuar në Kinë. Më pas ata u martuan në Kinë dhe jetuan në Pekin.

“Me shtetin ku lidh kurorë ndihesh sikur martohesh pak edhe me të”,- tha Cayol për “Xinhua”. "Që nga dita e parë kur mbërrita në Pekin kam ndier fuqinë e popullit kinez për të kënduar, për të qeshur dhe për të dashur jetën".

Nuk ishte aspak si ajo që i kishin treguar për Kinën përpara se të vinte në këtë vend. “Gjithmonë duhet të shkoni dhe të shihni se çfarë po ndodh në realitet”,- tha ajo. Për të, "nëse doni të flisni për Kinën, atëherë duhet të  shkoni në Kinë".

Ajo filloi të mësojë mandarin në Pekin dhe të eksplorojë Kinën duke biseduar me fermerë, punëtorë, akademikë dhe artistë. Vetëm pas njohu dhe  kuptoi popullin dhe kulturën kineze, ajo nisi të shkruante libra, të cilët sot konsiderohen si ura kulturore midis popullit francez dhe atij kinez.

“Kur je i ri dhe ke qenë në Kinë ky udhëtim do të lërë gjurmë gjatë gjithë jetës tënde”, - tha Cayol për “Xinhua”. “Kur mbërrita në Kinë, isha e befasuar por në të njëjtën kohë e kënaqur që isha në gjendje të mësoja shumë gjëra”.

Në vitin 2009, Cayol themeloi shoqatën “Yishu8”  në Pekin për të nxitur shkëmbimet kulturore midis artistëve francezë dhe kinezë.

Nisma “Yishu8” u jep artistëve të vlerësuar me çmime nga Franca dhe Kina mundësinë për të banuar në kryeqytetet përkatëse, duke u ofruar atyre një platformë për të marrë frymëzim nga mjedisi artistik vendas dhe për t'u zhytur në stilin e jetës kulturore të vendit pritës.

"Ne kemi krijuar një miqësi përmes artit. Këto janë miqësitë mes artistëve, por edhe miqësi me qytetërimin kinez. Është një korrier i paqes, një korrier i harmonisë dhe i së ardhmes",- tha ajo.

Foto nga people.cn

Në vitin 2013, Cayol u nderua me Legjionin e Nderit në Ambasadën Franceze në Pekin nga Jean-Pierre Raffarin, ish-kryeministri francez, për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në shkëmbimet kulturore Kinë-Francë.

E pyetur për rolin e shkëmbimeve kulturore në marrëdhëniet Kinë-Francë, Cayol tha se marrëdhëniet diplomatike janë "çatia e shtëpisë", por brenda shtëpisë duhet të ketë takime midis njerëzve, si artistë, drejtues biznesi apo studentë.

"Janë këto marrëdhënie njerëzore që bëjnë të mundur krijimin e lidhjeve reale midis dy vendeve”, - tha ajo.

Viti 2024 shënon 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Francës, si dhe vitin e 22-të të përpjekjeve të Cayol për të lidhur Francën dhe Kinën përmes kulturës.

“Besoj se në të ardhmen është e nevojshme që edhe pala franceze, edhe ajo kineze të ruajnë një kuriozitet të ndërsjellë”, - tha ajo.