“Testamenti” premierë më 31 janar në Teatrin Kombëtar ‘ArTurbina’
2024-01-26 11:14:44

"Testamenti", një komedi e zezë me autor dhe regjisor Leka Bungon dhe protagonist Viktor Zhustin,  do të jetë premiera e parë e këtij viti në Teatrin Kombëtar ‘ArTurbina’. Protagonisti i komedisë, i vetmi në skenë me monologun e tij real dhe surreal, le një testament, si një mesazh që i drejtohet publikut. Kuqo, gjen gënjeshtra në realitet dhe kritikon mënyrën se si shkruhet historia. Ai me testamentin e tij do të vërë pikat mbi ‘i’ duke dashur të japë historinë e tij.

Aktori Viktor Zhusti (Foto nga Instagrami)

Aktori Viktor Zhusti (Foto nga Instagrami)

Në prononcimin e tij për mediat autori dhe regjistori i shfaqjes Leka Bungo thekson; “Kjo është një vepër e ndërtuar me një metaforë të madhe, me një gjuhë sarkastike dhe përpiqet të ruajë historinë kronologjike. Është një vepër  e cila është shkruar me shumë dashuri, është një spektakël për nga dramaturgjia e veçantë, ndryshe nga veprat e tjera që unë kam bërë. Është një vepër që realizohet vetëm me një aktor dhe që e kam quajtur ‘Testament’”

Ndërsa aktori i mirënjohur Viktor Zhusti, është shprehur për mediat se ky është një nga rolet më të vështira që ai është përballur ndonjëherë.

Aktori Viktor Zhusti gjatë interpretimit (Foto KultPlus)

Aktori Viktor Zhusti gjatë interpretimit (Foto KultPlus)

“Në vetëm 60 minuta ne do të shohim të parakalojë në skenë, e gjithë historia e Shqipërisë. Vepra është e një tipi krejt të veçantë, qoftë në shkrim, qoftë edhe në konceptim. Për herë të parë kur e lexova, nuk e di përse më shkoi mendja tek disa nga veprat e letërsisë botërore  si “Don Kishoti i Mançës”, “Ushtari i mire Shvejk”, që janë personazhe sa realë dhe irealë, sa të vërtetë aq edhe të sajuar dhe mendova se çfarë mund t’i bëhet këtij lloj personazhi, kështu, në atë gjendje që ai është”  është shprehur aktori Zhusti.

Foto nga instagrami i Teatrit Kombetar ArTurbina

Foto nga instagrami i Teatrit Kombetar ArTurbina

“Testamenti”, një komedi e zezë me autor dhe regjisor Leka Bungon dhe protagonist Viktor Zhustin, do të shfaqet ditën e fundit të janarit si premiera e parë e këtij viti në Teatrin Kombëtar. Me një staf artistësh si As/Regjisore Doriana Çaushi, skenografi nga Beqo Nanaj dhe kompozitor Fatos Qerimi, vepra do të vihet në skenë edhe pas premierës  në datat 1,2,3,4 shkurt, por edhe në vazhdim. Tashmë janë realizuar provat për shfajen dhe është gjithçka gati që vepra të vihet në skenë për publikun kryeqytetas në Teatrin Kombëtar.

Sava Lena

Gjatë provave të shfaqjes (Foto nga Instagrami i TK)

Gjatë provave të shfaqjes (Foto nga Instagrami i TK)