Kanë mbetur pak më shumë se dhjetë ditë nga ardhja e Festës së Pranverës e Kinës. Kompanitë kineze të postës së shpejtë janë tashmë të gatshme ta presin këtë festë tradicionale.
Sipas të dhënave të publikuara të hënën nga autoritetet kineze, në vitin 2023 sektori kinez i postës së shpejtë dërgoi gjithsej 132 miliardë e 70 milionë pako, 19.4 % më shumë në krahasim me vitin 2022, duke zënë vendin e parë në botë për 10 vjet me radhë. Posta e shpejtë përfshin postën e brendshme e postën ndërkombëtare dhe klientët janë të shpërndarë në gjithë globin. Gjatë një dekade, vëllimi i postës së shpejtë të Kinës arriti nga 10 miliardë në më shumë se 100 miliardë, duke zënë mbi 69 % të vëllimit global të postës së shpejtë. "Brenda 5 ditëve, erdhi në shtëpi detektori automobilistik që e bleva në internet,”thotë konsumatori spanjoll Jose Rodriguez. Ai provoi kohët e fundit një blerje ndërkufitare dhe u habit me shpejtësinë e postës së shpejtë kineze.
Arsyeja kryesore e rritjes së postës së shpejtë kineze është kërkesa e lartë e konsumatorëve kinezë. Mbi 1.4 miliardë banorë kinezë përbëjnë një treg konsumi me potencialin më të madh në glob. Sot sektori i postës së shpejtë i Kinës trajton mesatarisht në ditë 350 milionë pako. Vitin e kaluar, kontributi i konsumit për rritjen ekonomike të Kinës arriti në 82.5 %, duke e ngritur këtë rritje me 4.2 pikë përqindjeje. Tani numri i përdoruesve të internetit në Kinë i kalon 1 miliard dhe vëllimi i shitjes me pakicë në internet zë 27.6% të vëllimit të përgjithshëm të shitjes me pakicë të mallrave të përditshme.
Foto nga CFP
Nga ana e ofertës, shpejtësia e dërgimit lidhet me kënaqësinë e klientëve. Sot Kina është i vetmi vend në botë që zotëron të gjitha kategoritë industrialë të përcaktuara nga OKB-ja. Aftësia e fortë mbështetëse dhe zinxhiri i plotë furnizues kanë siguruar shpejtësinë e prodhimit dhe të reagimit të sipërmarrjeve kineze.
Me lulëzimin e biznesit ndërkufitar, produktet kineze janë mirëpritur nga konsumatorët e huaj. Në vitin 2023, në sfondin e rënies së tregtisë ndërkombëtare, eksporti i tregtisë elektronike ndërkufitare të Kinës u shtua me 19.6 %.
Në të njëjtën kohë, infrastruktua e transportit dhe sistemi i logjistikës kanë siguruar transportin e shpejtë të mallrave. Deri tani, Kina ka ndërtuar rrjetin më të madh të hekurudhave me shpejtësi të lartë e të autostradave në botë dhe grupin më të madh të porteve të rangut botëror, duke formuar një rrjet gjigant me një gjatësi të përgjithshme prej 48.7 milionë kilometrash, mbi 230 mijë pika të postës së shpejtë dhe mbi 700 milionë klientë në ditë.
Më e rëndësishmja është që inteligjenca dhe informatizimi kanë nxitur zhvillimin e sektorit të postës së shpejtë. Në një park të logjistikës së zgjuar në qytetin Qingdao të provincës Shandong, çdo raft mallrash lëvizet automatikisht nën komandën e robotëve nën raft. Rendimenti i punës së robotëve është pesë herë më i lartë se i njerëzve.
Sot posta e shpejtë është bërë një "kartëvizitë" e Kinës. Rritja e shpejtë e këtij sektori tregon ngritjen e prodhimit dhe të konsumit, duke nxitur kërkesën e tregut. Çdo pako pasqyron zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kineze. (Fani)