Shfaqja Bëhu trim pinguin i vogël (Foto nga instragrami i TKE)
“Bëhu trim pinguin i vogël” ishte një ndër shfaqjet e para për fëmijë, që u vu në skenë në fillim të vitit 2024 në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Në qendër të shfaqjes për fëmijë është pinguini Pip – Pip, i cili ka frikë nga uji. Të gjithë pinguinët kënaqen duke luajtur në det, përveç pinguinit të vogël Pip -Pip. “Bëhu trim pinguin i vogël” pas suksesit gjatë premierës në dhjetor dhe më pas në janar, kjo shfaqje pritet që të vihet sërish në skenë gjatë fundjavave të muajit shkurt në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Kjo shfaqje e përshtatur për fëmijët nga mosha 3 deri në 9 vjeç, i ka gëzuar fëmijët në ditët e tyre të pushimit në fillim të muajit janar. Në Intervistë për Radio Ejani Rreth shfaqjes për fëmijë “Bëhu trim pinguin i vogël”, flet në Radio Ejani regjisorja, koreografja dhe njera nga performueset e shfaqjes, Semela Skënderasi.
Semela Skënderasi Koreografe dhe regjisore e shfaqjes (Foto personale)
CMG: Gjatë këtij muaji keni punuar regjinë, koreografinë dhe njëkohësisht keni performuar në shfaqjen për fëmijë "Bëhu trim pinguin i vogël". Na trego më tepër për këtë shfaqje
Semela Skënderasi: "Bëhu trim pinguin i vogël" është një shfaqje dansi për fëmijë, që i përket moshës 3-9 vjeç dhe përfshin në vetvete dansin, aktrimin, muzikën, video-projeksionin dhe argëtimin për fëmijët e kësaj moshe. Kjo shfaqje ka patur premierën e saj në muajin dhjetor 2023, në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli". Tema kryesore e shfaqjes dhe mesazhi që ajo kërkon të përcjellë është: Çdonjëri nga ne ka frikëra, të cilat e pengojnë të arrijë diçka, por ne këto frikëra duhet t'i përballojmë. Të dalim përballë tyre me ndihmën e miqve dhe të familjes. Është një shfaqje që vë në dukje lidhjen e prindit me fëmijën, kryesisht atë të mamasë me fëmijën, për ndihmën që fëmijët kryesisht kanë nevojë, për disa frikëra që mund të duken dhe të vështira, gjithashtu edhe pjesa e shoqërisë për të na ndihmuar në këto momente të vështira.
Foto nga instragrami i TKE
CMG: Si është të bësh gjithçka vetë në një shfaqje? Çfarë ishte e vështirësi për ty?
Semela Skënderasi: Duke qenë koreografe, regjisore dhe performuese, më ndihmon të jem brenda ndjesive, emocioneve dhe mesazhit që një shfaqje përcjell. Regjia dhe koreografia në shfaqje të tilla shkojnë krah për krah njëra- tjetrës. Janë ndihmë dhe plotësojnë njëra- tjetrën dhe janë të pandashme. Të qënurit dhe performuese më bën të jem në brendësi kësaj situate, dhe jo ta shoh nga jashtë me një sy kritik, por edhe të jem brenda saj, ta përjetoj atë bashkë me performuesit e tjerë. Sigurisht që ka përgjegësitë e saj, se të duhet të bësh shumë gjëra në të njëjtën kohë, por ka edhe bukurinë e saj sepse të jep një liri artistike që të marrësh vendime për disa gjëra, të cilët janë komponentë të ndryshëm të shfaqjes.
CMG: Si e kanë pritur fëmijët këtë shfaqje?
Semela Skënderasi: Deri tani fëmijët e kanë pritur shumë mirë. Shfaqja ka shumë ngjyra, ka argëtim dhe atmosferë brenda saj. Fëmijët janë kënaqur dhe kanë kërcyer bashkë me ne. Fëmijët janë publiku më i sinqertë, madje ata shpesh japin edhe opinionet e tyre gjatë shfaqjes se si shkon rrjedha e ngjarjes. Por deri tani ka shkuar shumë mirë, duke qenë se kemi patur edhe një shitje të konsiderueshme biletash. Audioenca e vogël e teatrit e ka pëlqyer këtë shfaqje.
Foto nga instragrami i TKE
CMG: Kur do të vijoni sërish?
Semela Skënderasi: Shfaqja ka patur premierën e saj në 22 dhjetor, e më pas jemi kthyer në janar, pas pushimeve të fundvitit dhe pas dy javëve të para të muajit janar, ne do të rikthehemi sërish në shkurt, gjatë fundjavave në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spqhivogli".
Shfaqja për fëmijë “Bëhu trim pinguin i vogël” është realizuar me regjinë dhe koreografinë e Semela Skënderasit, performancën e Valentina Mytevelit, Erta Sinës, Denis Duros, Semela Skënderasit. Skenografia është realizuar nga Beqo Nanaj, kostumet nga Sofi Kara, teksti nga Valentina Myteveli, video art nga Renato Aliçkolli. Kjo shfaqje vjen si pjesë e programit “Edukimi përmes artit”.
Intervistoi: Sava Lena