Blegtorët shqiptarë dhe kostot e larta të fabrikave të përpunimit
2024-01-24 09:51:13

Prodhime bulmeti (Foto Agroweb)

Prodhime bulmeti (Foto Agroweb)


Shumë qytetarë ende stepen për të blerë produkte të bulmetit të prodhuar në Shqipëri për shkak të shtrenjtimit të cmimeve gjatë dy viteve të fundit.Theodhor Kristuli kryetar Unioni Tregtar Agroushqimor dhe industrial në një intervistë për mediat shpjegon faktin se këto subjekte janë të detyruara të mbajnë këtë nivel çmimi në treg për shkak të rritjes së kostove.

“Në gjykimin tim kjo rritje ka qenë justifikuar dhe kjo përforcohet nga fakti që po ti shikosh artikujt e tjerë në përgjithësi të gjithë kanë rënë, me naftën, merr karburantin, dmth merr miellin, merr vajin, këto artikuj pothuajse janë kthyer në çmimet para pandemisë. Për sa i përket bulmetit, po në këtë panel kemi shpjeguar edhe herë tjetër dhe kemi thënë që janë shumë arsye të cilat ndikohen në rritjen dhe mbajtjen stabël, të çmimit për këto artikuj.”-tha Kristuli.

Kristuli thekson shkaqet që çojnë në shtrenjtim të qumështit, kosit, djathit etj që prodhohen nga fabrikat shqiptare. Disa nga faktorët   janë rritja e çmimeve për ushqimin e bagëtive apo niveli më i ulët i subvencioneve krahasuar me vendet e rajonit çka e bën më pak konkurues produktin Made in Albania.

“Konkretisht arsye e parë është subvencionimi ka qenë tepër i ulët në blegtori, siç e kemi thënë dhe më parë, blegtoria dhe bujqësia janë të lidhura bashkë sepse fermeri do bëjë dhe ushqimin për blegtorin, kështu që në përgjithësi këto dy lloj ekonomish funksionojnë bashkë, mirëpo çfarë ka ndodhur deri në këtë periudhë? Për çmimet tepër të larta që ka pasur ushqimi i kafshëve nuk janë subvencionuar blegtorët, për çmimet e larta. subvencionimet e larta janë në vendet flas krahasim me vendet fqinje që kemi. vendet e rajoni, jemi shumë më dobët në financim. Konkretisht kemi dhe të dhëna që tregohet që për një hektar tokë tek ne, është hedhur 3 euro për hektarë, ndërsa Maqedonia e ka mbi 140 hektarë, mali i zi e ka diçka tek 30 euro për hektarë, Kosova që kemi komshi është mbi 70 euro.”-u shpreh Kristuli.

Eksperti ndalet tek shifrat e subvencioneve për fermerët dhe tek fenomeni i emigrimit si një detyrim për të kërkuar fitime më të larta në vende të tjera pasi këtu po shkojnë drejt falimentit.

Theodhor Kristuli (Foto Monitor)

Theodhor Kristuli (Foto Monitor)

“Serbia e ka 45 apo 46 euro për hektarë. Që këtu duket që fermeri jonë ka qenë shumë mbrapa për të hyrë në lojën e konkurrencës dhe për të rritur prodhimin. Duke qenë kjo lloj tregtie, kjo lloj  konkurrencë e pandershme le të themi me fqinjët tanë, detyrimisht që një pjesë e fermerëve dhe blegtorëve kanë falimentuar. Aktualisht mund të themi që dëmi është bërë shumë ferma shumë blegtorë i kanë mbyllur ato. Evidenca mesa di unë ka nga vetë fermerët dhe vetë shoqatat, por mbi atë që kemi ne janë gjysmë për gjysme që janë shitur, janë therur bagëtitë. “

Në intervistën për Tv Scan Kristuli  ngre shqetësimin se në këto kushte blegtori Shqiptar është I detyruar të largohet nga Shqipëria për të punuar në vende të tjera.

“Sot fatkeqësisht që njerëzit më të aftë këtu për të rritur bagëti, për të rritur ferma lopësh e delesh e kështu me radhë shkojnë e punojnë për grekun, italianin e kështu me radhë. “

Janë shumë faktorë që po e cojnë fermerin Shqiptar drejt emigrimit sipas Kristulit.

Bulmetra (Foto Tirana Today)

Bulmetra (Foto Tirana Today)

“ Emigrimi është një pjesë e elementit të kostos që ka detyruar fermerin dhe blegtorin të largohet konkretisht emigrimi ka bërë këtë që sot ke punëtorë mbi 50 apo 60 vjeç që punojnë me rendimet që e sigurte që është gjysmë për gjysmë me një moshë të re, dhe me rroga dyfish apo trefish të larta, se nuk ka njerëz, është një faktor. Ngushtësi shumë e madhe për fuqi punëtore, detyrimisht këto elementë kanë çuar në rritje të kostos. Mirëpo kur del në tregun rajonal, në rast se ne subvencionojmë 100 mijë lekë të vjetra për një lopë dhe në Kosovë financon 400 mijë lekë të vjetra për një lopë, financojnë në Kosovë 100 lekë të vjetra për litër, financojnë për bagëti të therura, financojnë për bagëti të hyra, pra me këtë radhë ai dhe gjurmon prodhimin ku e ka si e ka dhe anën fiskale e ka shumë më të qartë. Me gjithë këtë mbështetje blegtori jonë është e pamundur ti dali një kosto që të mbajë familjen e tij dhe të kënaqë edhe tregun. Mirëpo kur i del kosto e lartë detyrohet ta mbyllë dhe të largohet. “

Në finale sipas ekspertëve kostot e fermerëvë në Shqipëri janë shumë herë më të larta se në vende të tjera. Ajo që vihet re është fakti se edhe pse çmimet e karburantit kanë rënë, po ashtu edhe çmimet e inputeve, sërish kjo nuk është reflektuar tek konsumatori në nënproduktet e qumështit.

“Çmimi final e dimë se çmimet janë në raport kërkesë ofertë, në rast se ti ke prishur ofertën, në rast se ti ke pasur të themi 50 mijë blegtorë dhe sot ke 25 mijë blegtorë do të thotë se ke prishur ofertë dhe kjo çon në rritje të çmimit, pra është një dëm i cili do kohë të riparohet. Aktualisht edhe për sektorin bujqësor është pak a shumë e njëjta situatë. Vërtetë janë relaksuar disa çmime, siç janë karburantet dhe plehrat kimike, por po vuan shumë si blegtoria për fuqi punëtorë, dhe kanë kosto të tjera të shtuara. “

Blegtoria (Fto Gazeta Panorama)

Blegtoria (Fto Gazeta Panorama)

Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi  se ka hapur një hetim të thelluar ndaj 4 kompanive të prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit, Erzenit, Gjirofarmës, Lufrës dhe SHAKA Boboshticë. Hapja e hetimit të thelluar është vendosur në vijim të një procedurë të hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Hetimi u hap në muajin shkurt të vitit të kaluar, për të vlerësuar sjelljen e ndërmarrjeve në periudhën kohore nga 1 Janar 2022 deri në 31 Mars 2023. Nga monitorimi i tregut që Autoriteti zhvilloi në atë periudhë, pas raportimeve në media për rritje të paralajmëruar të çmimeve, rezultoi se çmimet e nënprodukteve të qumështit, kryesisht djathit të bardhë, djathit kaçkavall dhe gjalpit ishin rritur deri në 38% nga disa prej ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Rritja ndodhi në një periudhë të përafërt kohore dhe mund të jenë shenja të caktimit të çmimeve si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve.