Vangjel Gjikondi, piktori i filmave dhe i telajove
2024-01-24 11:48:43


Vangjel Gjikondi duke pikturuar nje peizazh

Vangjel Gjikondi ishte një piktor i lirë, një liri në plotkuptimin e fjalës, që jetën e siguronte përmes veprave të tij, artit dhe tabllove që shiste. Në studion e tij kishte gjithmonë njerëz, miq, klientë, vizitorë të artit që sodisnin pikurat e tij, bisedonin për pikturën, muzikën, librat. Ata ëndërronin të kishin një vepër të autorit.

Ai e bëri pikturën e tij të aksesueshme për të gjithë publikun e gjerë, pasi çdo ditë i nxirrte punët e tij jashtë studios. Miqtë dhe kolegët e kanë quajtur atë “dashnori i pikturës”. Vangjel Gjikondi ishte piktori gjithmonë prezent në jetën artistike të Tiranës, prezent me pikturat e tij, ku një ditë në vitrinë vareshin disa piktura, pastaj disa të tjera. Asnjë sy nuk mund të ishte indiferent ndaj tyre.

Kompozim. Dorezimi i Moisi Golemit pas tradhetise qe kish bere me turqit 

Piktori njihet sidomos për peizazhet, jo rrallë e kemi ndeshur me kavaletin e shpalosur në ndonjë cep, apo rrugicë të Tiranës, të cilën e pikturoi me plot frymëzim e dëshirë. Po kështu të shumtë janë peizazhet nga jugu i vendit, pasi ai ishte me origjinë nga Qeparoi, ndaj motivet e jugut dhe peizazhet e kësaj natyre, ngelen të papërsëritshme për piktorin.

Peizazhet e Tiranës, të disa qyteteve shqiptare, të jugut dhe të natyrës së vendit tonë, do të ngelen si vepra identifikuese të piktorit, me ngjyrat e tij tejet ekspresive. Kjo është shenja që do të mbahet mend më gjatë. Të katër stinët janë të pranishme në punët e tij, të cilat ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, koleksione private, por dhe muze ndërkombëtarë kudo në botë.

Një ndër arritjet që e bënë piktorin edhe më të përmendur për punën e tij, talentin, idenë, frymëzimin, studimin dhe realizimin plot art e madhështi, është padyshim cikli me 55 piktura me temë Heroin Kombëtar, Skënderbeun.

Tema lirike, frymëzimi që merrte nga natyra dhe peizazhi, në fund të viteve 2020 ia lanë vendin frymëzimeve epike. Bëhet fjalë për tabllo të përmasave të mëdha, ku spikat elementi epik, fragmente jetësore nga historia e Skënderbeut. Për herë të parë kemi një Skënderbe të ç’mitizuar, të vërtetë, trim, madhështor, por edhe real njëkohësisht.

Janë tabllo  gjigante që të mahnisin. Ngjizja e këtyre pikturave mes klasikes dhe penelatave moderne është krijuar pas leximit frymëzues të veprës së Marin Barletiti kushtuar Skenderbeut, duke pikturuar me muzikën klasike në sfond. Këto dy momente kanë qenë muzat frymëzuese të piktorit tepër të ndjeshëm ndaj historisë, letërisësë dhe muzikës.

Skenderbeu - kompozim nga Vangjel Gjikondi

Interesant është fakti që tablotë prekin të gjitha etapat e jetës së tij, që nga pagëzimi e deri në vdekjen e heroit. Për këtë cikël tablosh Gjikondi punoi 10 vjet, duke sjellë figurën e tij sa më njerëzore, larg madhështisë së realizmit socialist.

Vetë piktori thoshte se stili i tij ishte frymëzuar nga Rilindja Evropiane, të cilën e vlerësonte maksimalisht. Veprat e piktorit janë ekspozuar edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik Kombëtar, por edhe në galeri jashtë vendit.

Piktori Vangjel Gjikondi gjatë karrierës së tij krijoi një lidhje të fortë me kinemanë. Ai për vite punoi si piktor në Kinostudio “Shqipëria e re”, duke pikturuar jo thjesht me penelin e tij, por edhe përmes iamzheve dhe sekuencave filmike. Me filmin krijoi një lidhje shumë të fortë, derisa u largua nga Kinostudioja, por duke e dashur filmin me të njëjtën dashuri dhe pasion. Në kujtimet e të njohurve ai ngelet artisti i shumë dimensioneve, i filmit, peizazhit, natyrës së qetë dhe kompozimeve masive. Gjikondi mbetet artisti që dashuronte muzikën dhe letërsinë, që provoi të shkruante romanin e tij të parë, por fatkeqësisht nuk mundi ta mbaronte. Ai mbetet njeriu që pikturoi Tiranën ku jetoi, me të njëjtin pasion si edhe Rivierën së cilës i përkiste.

Piktori Vangjel Gjikondi lindi në Tiranë më 20 gusht 1958. Ai kreu pa shkëputje nga puna Liceun Artistik “Jordan Misja”, duke punuar paralelisht në Ndërmarrjen artistike “Migjeni”, në repartin e gdhendjes së drurit. Në vitin 1978 ai u regjistrua në Institutin e Lartë të Arteve, të cilin e mbaroi në vitin 1982, duke u diplomuar në degën e Kavaletës Monumentale. Në vitin 1983 Gjikondi nisi punën në Kinostudion “Shqipëria e re”, fillimisht në repartin e filmave vizatimorë për disa muaj e më vonë si piktor kostumesh në filmat artistikë.

Piktori ne studion e tij 

Vangjel Gjikondi ka qenë piktor në shumë filma, si “Duaje emrin tënd”, “Nxënësit e klasës sime”, “Treni niset në 7 pa 5”, “Gjurmë në dëborë”, “Asgjë nuk harrohet”, “Gabimi”, “Kur ndahesh nga shokët”, “Pas fasadës”, etj.

Në fillim të viteve ’90 Gjikondi  emigroi në Greqi ku punoi si piktor me porosi. Rikthehet në Shqipëri dhe hap një galeri të përbashkët arti me disa miq të tij. Në vitin 1998 hap galerinë e tij private me emrin “Gjikondi”. Duke filluar nga vitin 1985 piktori ka marrë pjesë në disa ekspozita të arteve figurative. Në 1991 ai u paraqit me punët e tij në GKA, si dhe në Bienalen e Aleksandrisë në Egjipt. Në vitin 1998 Gjikondi hapi në Paris një ekspozitë personale, por atje në vijim hapi dhe një tjetër ekspozitë. Vangjel Gjikondi ka qenë një piktor mjaft aktiv, duke marrë pjesë në ekspozita vetjake e kolektive, si dhe në kolonitë e piktorëve. Ai jetoi intensivisht, një jetë plot ngjyra, në telajo dhe sekuenca filmash, duke dëshmuar talentin dhe duke firmosur individualitetin e tij krijues.

 Neritana Kraja