Nga ndërveprimet organizuese te veprimet financiare
2024-01-24 11:28:18


Foto nga VCG

“Të jesh lider nuk të jep fuqi për të komanduar të tjerët. Përkundrazi, të fuqizon të nxitësh rritjen e tyre dhe të rritesh me ta”,- deklaroi Cai Weiyuan, një drejtues i ri por me përvojë.

Në moshën 23-vjeçare, Cai ndjek studimet në matematikë financiare dhe ekonomi në Universitetin Shtetëror të Ohajos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur ishte në shkollën e mesme në Fuzhou, në provincën Fujian të Kinës lindore, ai zbuloi aftësinë e tij për organizimin e grupeve studentore, ku startoi edhe një klub kimie. Duke u zgjedhur kryetar i Shoqatës së Organizatave Studentore, ai luajti një rol kyç në themelimin e 38 klubeve të tjera.

Në një intervistë për “Panopath”, një llogari në media sociale kushtuar krijimit të një komuniteti online dhe platformës informative për studentët kinezë jashtë vendit, Cai tha: “Krahasuar me marrjen e njohurive nga tekstet shkollore, planifikimi dhe zbatimi i projekteve më stimulojnë më mirë. Duket se zbulimi dhe motivimi i të tjerëve janë aftësitë e mia të lindura”.

Pas përfundimit të tre viteve të shkollës së mesme, Cai vazhdoi arsimin e tij në Universitetin Shtetëror të Ohajos, në SHBA, një universitet me një komunitet të konsiderueshëm studentor kinez.

Duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij, Cai tha: “Në mënyrë të pashmangshme, kam hasur në shumë pengesa dhe kam bërë devijime në të kaluarën. Shpresoj që të mund t'i orientoj të tjerët në drejtimin e duhur në të ardhmen”.

Duke shfrytëzuar përvojën e tij drejtuese nga shkolla e mesme dhe duke bashkëthemeluar një llogari të suksesshme në mediat sociale, “Booky Island”, Cai mori ftesa nga organizata të shumta studentore në Universitetin Shtetëror të Ohajos. Përfundimisht, ai zgjodhi të drejtojë “Ingress Chinese Stock Investment” (ICSI).

ICSI-ja, një klub financiar i krijuar në vitin 2019, synon të ofrojë mbështetje gjithëpërfshirëse për studentët kinezë që aspirojnë të diplomohen në financë ose ekonomi dhe të nxisë një ndjenjë të fortë përkatësie në SHBA.

Falë planifikimit strategjik të Cai, ICSI-ja u bë shpejt një nga organizatat më të mëdha studentore në kampus, me 200 nga 700 studentë kinezë që aplikojnë çdo vit në një moment.

Foto nga VCG

Cai e transformoi ICSI-në nga një organizatë studentore në internet në një komunitet të lulëzuar. “Ndjenja e fitimit dhe përkatësisë është thelbësore për aderimin e një anëtari. Ata duhet të jenë të gatshëm të kontribuojnë në klub me dëshirën e tyre”,- tha Cai. Kjo ishte arsyeja pse ai prezantoi programin “Peer Mentor”, duke i udhëhequr anëtarët përmes orientimit, përzgjedhjes së kurseve dhe zhvillimit të karrierës.

Sipas tij, studentët që shpresojnë të punojnë në industrinë e financave dhe biznesit duhet të fillojnë herët dhe çdo hap është i ndërlidhur. “Nëse dëshiron të gjesh një punë menjëherë pas diplomimit, viti i parë kërkon që të pajisesh me të paktën njohuritë dhe aftësitë bazë, si raportimi financiar dhe vlerësimi. Më pas, në vitin e dytë, do të mund të futesh në programe për studentët në klasë. Dhe gjatë periudhës së Vitin e Ri, duhet aplikuar për një praktikë verore. Pas gjithë kësaj, ju mund të jeni në gjendje të siguroni një ofertë gjatë periudhës në vazhdim”.

Për të ndihmuar anëtarët në rrugët e tyre të karrierës, Cai krijoi kurse dhe plane të gjera trajnimi që do t'u kërkonin anëtarëve vite për t'i përfunduar.

“Shumë prej tyre më kanë thënë më vonë se ajo që kanë mësuar u ka ardhur në ndihmë gjatë intervistave apo stazheve të tyre. Ata gjithashtu janë bërë gjithnjë e më aktivë në klub dhe janë të gatshëm të ndihmojnë me çështjet e klubit. Gjatë kohës së tyre si anëtarë, kontributi i tyre është disi si shkollimi. Është një cikël shumë i shëndetshëm”,- tha ai.

Cai ka një devotshmëri në angazhimin ndaj klubit. Ai planifikon kurse financiare gjatë ditëve të javës dhe ua mëson ato anëtarëve gjatë fundjavave. Për të nuk mjaftojnë 24 orë në ditë. Dhe motivimi i tij më i madh është ndjenja e tij e përgjegjësisë.

“Një herë kam lexuar në një libër se çdo gjë që bëni duhet ta trajtoni si karrierën tuaj. Drejtimi i një klubi studentor ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e jetës sime, po aq e rëndësishme sa akademikët. Është sikur të jem shefi i një kompanie fillestare. Nëse diçka shkon keq, unë do të mbaj përgjegjësi. Më duhet të punoj fort që gjithçka të ecë mirë”,- tha ai.

Fitimi personal është një tjetër aspekt motivues për Cain, i cili e sheh kohën e tij në ICSI si një mundësi për eksperimentim dhe zhvillim personal. “Me ICSI-në kam provuar teoritë dhe metodat e mia, në drejtim të planifikimit strategjik dhe menaxhimit të ekipit. Mësimet dhe koha e kaluar në ICSI do të më shërbejnë për jetën”,- tha Cai.

Duke qenë se tani nuk është më lider i ekipit drejtues të ICSI-së, Cai parashikon një të ardhme ku klubi vazhdon të jetë një bazë e madhe ndihmëse për çdo student kinez që aspiron një karrierë në biznes dhe financë.

Si një ekspert në aktivitetet dhe klubet jashtëshkollore, Cai këshillon studentët të marrin parasysh qëllimet e tyre përfundimtare kur zgjedhin një klub. “Unë do të sugjeroja që ata të vlerësojnë përfitimet, vlerat dhe efektet afatgjata që një klub mund të ofrojë, bazuar në nevojat dhe mentalitetin e tyre individual”,- tha Cai.