Flori Zavalani dhe tradita familjare në sport
2024-01-24 11:17:22

Flori Zavalani që në  fëmijëri ka pasur pasion basketbollin dhe prej disa vitesh është aktivizuar si basketbollist. Ai ka studiuar  për ekonomi dhe aktualisht punon si ekonomist. Gjithashtu babai i tij ka luajtur basketboll në kohën e artë të lojrave me dorë,  kurse motra e tij Ida është një volejbolliste e talentuar. Flori është një djalë pasionant me ambicje për të ardhmen  dhe mendon të investojë në karrierë në Shqipëri. Ai ka ditur mjaft mirë  të bashkojë pasionet  me punën e përditëshme, duke e menaxhuar kohën më së miri. Në një intervistë për Radio Ejani Flori Zavalani tregon për pasionin për basketbollin, angazhimin e tij si ekonomist dhe synimet për të ardhmen.

Flori Zavalani ne ndeshje basketbolli (Foto personale)

Flori Zavalani ne ndeshje basketbolli (Foto personale)

CMG: Prej vitesh ke qenë basketbollist profesionist, si nisi pasioni për basketbollin?

Flori Zavalani: Pasioni për basketbollin nisi që në moshën tre-katër vjeçare, si spunto nga babai, i cili ka qenë një ish-lojtar basketbolli me ekipin “Partizani” në kohën e artë, jo i njohur sepse luajti rreth dy vite me ekipin e parë, por ka qenë gjithmonë ëndrra e tij që unë të bëhesha basketbollist. Fillova në moshën shtatë vjeçare siç bën çdo fëmijë dhe më pas u transferova tek ekipi i të rinjve. Ndërkohë më vonë vazhdova të luaja me ekipin e pare, derisa para një viti e gjysmë mu desh të  shkëputesha nga ky sport sepse puna kaloi në prioritet.

CMG: Gjithë viteve që ke luajtur basketboll e ke marrë kënaqësinë e pasionit të hershëm për këtë sport?

Flori Zavalani: Basketbolli tek unë ka ndikuar shumë dhe më ka përmbushur si person tek pjesa emocionale. Ndërkohë që në pjesën finaciare dhe përmbushje të tjera jo, por ka krijuar te unë një Flor që do të donte shumë të ishte sportist akoma. Unë i kam dhënë më të mirat e mundshme, por dhe bashketbolli më ka dhënë mua.

Flori Zavalani gjate nje ndeshje basketbolli (Foto personale)

Flori Zavalani gjate nje ndeshje basketbolli (Foto personale)

CMG: Ndërkohë edhe motra juaj binjake Ida Zavalani është një volejbolliste e talentuar. Pra një lidhje familjare me sportin, që vazhdon traditën e hershme.

Flori Zavalani: Unë e nisa pak më përpara se Ida basketbollin, pastaj ajo donte të impenjohej me diçka në verë dhe vinte me mua në stërvitje. Unë e vazhdova basketbollin, ndërkohë që motra e bënte gjatë verës, derisa në një periudhë kohe dikush i tha që ajo bënte për volejboll dhe duhet të vazhdonte për këtë sport. Kështu që unë vazhdova basketbollin dhe Ida volejbollin dhe tani ajo po luan te ekipi i Flamurtarit. Ajo është edhe gazetare sportive, por nuk i ndahet volejbollit. Ndërkohë që morëm drejtime të ndryshme, sepse ajo ka profesion tjetër dhe vazhdon sportin, kurse unë kam profesion tjetër dhe nuk e vazhdoj. Eshtë gjeneza ajo që basketbolli ka qenë tek ne, pastaj ndarja është diçka tjetër.

CMG: Keni  shkëmbyer këshilla për sportin me njëri-tjetrin?

Flori Zavalani: Gjithmonë kemi folur kur kemi pasur ndeshje të vështira, që janë ndeshje ku ndonjëherë ke siklete. Edhe një ditë përpara jemi konsultuar bashkë, ose mbas ndeshjes nëse nuk ishim të kënaqur me rezultatet që kishim dhënë ose diçka nuk kishte shkuar mirë. Mbështetjet dhe këshillat i kemi dhënë gjithmonë me njëri-tjetrin, por Ida ka qenë mbështetja ime më e madhe. Ndërkohë që unë nuk kam qenë dhe aq i mirë për të, sepse nuk shkoja gjithmonë në ndeshjet e saj, ndërsa Ida ka ardhë gjithmonë në ndeshjet e mia.

Flori Zavalani (Foto personale)

Flori Zavalani (Foto personale)

CMG: Ke studiuar në fushën e ekonomisë, ku punon prej vitesh në këtë profesion. Pse zgjodhe për të studiuar në këtë fushë?

Flori Zavalani: Unë në vit të fundit të gjimnazit nuk e kisha menduar këtë degë, por kisha në mendje inxhinierinë ose bioteknologjinë. Bëra një intervistë në një shkollë, që është Tirana Bussiness University Collleague dhe aty takova rastësisht ish-administratorin Artan Hoxha. Pasioni me të cilin më foli për atë shkollë dhe shumë gjëra të tjera më bënë që ta mendoja dhe pastaj të vendosja. Kështu që vendosa të studioja në degën e ekonomisë sepse ishte diçka që do ja vlente.

Flori Zavalani gjate nje udhetimi (Foto personale)

Flori Zavalani gjate nje udhetimi (Foto personale)

CMG: Mendon se ja ka vlejtur kjo degë, tani që punoni si ekonomist?

Flori Zavalani: Mendoj se ja vlen dhe besoj që do ja vlejë edhe në të ardhmen. Unë deri tani jam i kënaqur për disiplinën që morëm në punë, për vitet që kam investuar dhe po investoj te vetja, si në anën monetare ashtu dhe në atë karakteriale. Kështu që deri tani jam i kënauqr me punën.

CMG: Si i ke menaxhuar basketbollin, shkollën dhe punën njëkohësisht?

Flori Zavalani: Nuk është asnjëherë e lehtë dhe e vetmja gjë që duhet të ndash me veten është se pesë vitet e para do jetë një stuhi me oraret dhe lodhjen. Unë në mëngjes shkoja në shkollë, pastaj në punë dhe pas pune në stërvitje. Lodhja fizike ishte e madhe sepse kisha vetëm një të dielë pushim, por ajo që kuptova është se përgatita veten për të ardhmen.

Nëse ditët e sotme janë oraret e zagjatura të punës ose më duhet të menaxhoj mirë kohën për disa gjëra njëkohësisht, besoj se jam i kompletuar ta bëj.

Flori Zavalani dhe ekipi i basketbollit (Foto personale)

Flori Zavalani dhe ekipi i basketbollit (Foto personale)

CMG: Vazhdon t’i ndjekësh ndeshjet e basketbollit tani që je larguar nga ky sport?

Flori Zavalani: Unë ndjek ndeshjet ndërkombëtare të basketbollit, kurse në Shqipëri nuk kam dëshirë t’i shikoj sepse shumicën i kam shokë, por më vjen keq për nivelin i cili mbetet po i njëjtë, ose po bën hapa pas. E vetmja gjë që mendoj për momentin është se basketbolli më ka dhënë një shoqëri shumë të mirë me sportistët, por për nivelin mendoj se ka nevojë shumë për t’u përmirësuar.

CMG: Përveç basketbollit ke pasione të tjera në jetë?

Flori Zavalani: Kam shumë pasione të tjera, një ndër to është udhëtimi,  më pëlqen shumë të udhëtoj. Gjithashtu kam pasion leximin, artin në përgjithësi, muzikën, pikturën, por dhe historinë. Pëlqej kulturën që është një pasion shumë i madh i imi.

CMG: Cilin vend do të veçoje si më interesantin gjatë udhëtimeve që ke bërë?

Flori Zavalani: Italia është vendi që kam një lidhje të hershme dhe vazhdoj ta kem akoma, por do të doja shumë të vizitoja Azinë, që më duket shumë interesante me një kulturë që nuk është e njohur për ne europianët, por që është shumë e lashtë dhe ja vlen të shikohet në të ardhmen.

Flori Zavalani me ekipin (Foto personale)

Flori Zavalani me ekipin (Foto personale)


CMG: Kur ke qenë i vogël ke punuar në radio në emisionet për fëmijë. Mbetet radio akoma një pasion për ty?

Flori Zavalani: Radio nisi si një shtysë nga ana familjare, për të qenë më të artikuluar dhe për të mos patur turp në fjalime publike. Unë bashkë me motrën e nisëm në moshën 10 vjeçare punën në radio dhe vazhdon të jetë pasioni im. Unë do e veçoja si një pasion për të ardhmen, si diçka që do e bëja për qejf, që të kem mbase një emision timin për të folur rreth disa temave që nuk preken në radio, siç mund të jenë pasionet e njerëzve ose tema komedish. Kjo do të mbetet për të ardhmen.

CMG: Sa të ka mbështetur familja në rrugën e sportit, por dhe gjatë studimeve?

Flori Zavalani: Familja ime është shtylla kryesore  dhe prindërit i kam shokë në radhë të parë, pastaj i kam prindër. Ata më kanë lënë të gaboj, të bie poshtë dhe të ngrihem, për çdo gjë i kam në krah dhe besoj se kështu do i kem.

Flori Zavalani me motren Ida Zavalani (Foto personale)

Flori Zavalani me motren Ida Zavalani (Foto personale)

CMG: Ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëra për të investuar në karrierë jashtë vendit?

Flori Zavalani: Unë mundësinë e kam, sepse kompania ku punoj aktualisht është pasaportë ndërkombëtare. Sidomos për në Europë më kanë ardhur oferta nga Luksenburgu apo Italia. Çështja është se unë e shikoj si opsion të investohem në Shqipëri  dhe vetëm në rast se nuk do ecin gjërat ashtu si mendoj është një zgjidhje direkte për t’u larguar, por  për t’u larguar vazhdoj ta mendoj akoma.

CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja?

Flori Zavalani: Dita është impenjative përsa i përket punës. Zgjohem nga ora 7.30 dhe në orën 9.00 fillon puna. Unë jam një person që shkoj pak më herët në punë sepse dua të jem i pari që të shikoj emailet dhe shumë gjëra të tjera, që mbase më kanë mbetur nga një ditë më përpara. Punoj deri në orën 6.30 mbasdite, por ka ditë që punoj dhe më shumë. Mbas pune shkoj në shtëpi për të pushuar pak dhe më vonë  bëj një aktivitet fizik, vrap ose palestër. Ndërsa në darkë mund të lexoj diçka, të pushoj ose të punoj.

Flori Zavalani ne nje ndeshje basketbolli (Foto personale)

Flori Zavalani ne nje ndeshje basketbolli (Foto personale)

CMG: Së fundi një mesazh për të rinjtë dhe përshëndetje për dëgjuesit tanë.

Flori Zavalani: Shpresoj që gjithë të rinjtë dhe shqiptarët të kenë një vit sa më të mbarë, të jenë të plotësuar dhe të lumtur kudo. Ndërsa këshillë për të rinjtë, që të investojnë sa më shumë te vetja, të krijojnë sa më shumë pasione dhe të eksplorojnë sa më shumë gjëra të reja. Shijojeni momentin sepse asnjëherë nuk i dihet sesi do të jenë gjërat në të ardhmen.

Intervistoi: Gazmend Agaj