Këshilli Ekonomik Kombëtar dhe zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë së Shqipërisë
2024-01-23 10:13:08

Turizmi shqiptar 2023 (Foto Revista Monitor)

Turizmi shqiptar 2023 (Foto Revista Monitor)

Më 12 janar rinisi punën Këshilli Ekonomik Kombëtar, me mbledhjen e parë të zgjeruar për këtë vit, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i tij.

Këshilli Ekonomik Kombëtar mblidhet nën përgjegjësinë e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe kryesohet nga Kryeministri. Në të bëjnë pjesë përfaqësuesit e shoqatave të biznesit dhe personalitete të ekonomisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Në mbledhjet e këtij këshilli marrin gjithashtu pjesë si të ftuar përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare të rëndësishme, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Korporata Financiare Ndërkombëtare, Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe drejtues të rëndësishëm që kanë ndikim në sistemin e ekonomisë dhe në sistemin fiskal.

Këtë vit, në mbledhjen e tij të parë, ai çeli një kapitull të ri për riaktivizimin e një dialogu sa më të hapur dhe konstruktiv mes qeverisë dhe biznesit. Këshilli Ekonomik Kombëtar synon të shërbejë si një platformë për dialogun e shtuar, duke krijuar edhe disa komitete sektoriale të veçanta, të cilat janë të domosdoshme me qëllim marrjen dhe përthithjen e dijes që komuniteti i biznesit zotëron për sektorët specifikë. 

Përmes Sekretariatit të tij, Këshilli Ekonomik Kombëtar do të bëhet pika hyrëse e adresimit të problematikave dhe shqetësimeve që biznesi ka në kryerjen e aktivitetit të përditshëm. 

Këshilli Ekonomik Kombëtar ka për qëllim institucionalizimin e dialogut mes qeverisë dhe sipërmarrjes, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit, duke hedhur bazat e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe në përgjigje të kërkesave të një tregu dinamik.

Përveç drejtuesve dhe anëtarëve të Këshillit Ekonomik Kombëtar, në mbledhjen e parë këtë vit morën pjesë edhe  personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare, disa prej të cilëve të pranishëm online, përfaqësues të organizatave të biznesit dhe të ftuar të tjerë të fushës.

Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit (Foto Scan Tv)

Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit (Foto Scan Tv)

Kryeministri Edi Rama cilësoi në këtë mbledhje se “Faktikisht është diçka që e thonë të gjithë, që viti që sapo mbyllëm ishte një vit i mirë për ekonominë shqiptare dhe ishte një vit i jashtëzakonshëm në mënyrë të veçantë për turizmin në Shqipëri, duke bërë që të ardhurat nga turizmi të kalojnë shifrën e 3 miliardë eurove, duke bërë që numri i turistëve të jetë më shumë se trefishi i popullsisë rezidente në Shqipëri dhe nga ana tjetër, duke bërë që gjithë kjo situatë pozitive e ekonomisë të reflektohet edhe në një rënie të mëtejshme të papunësisë, në 10.5%.  

Në anën tjetër, viti i shkuar ishte viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja direkte dhe po ashtu edhe një vit që na dha progres të mëtejshëm edhe në hapjen e ekonomisë sonë në rajon, por jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, me më shumë aktorë, më shumë aktivitet edhe jashtë kufijve të vendit me një bilanc tregtar të përmirësuar më tutje, me eksporte të rritura dhe me një interes shumë të rritur të investitorëve të huaj, sidomos në fushën e energjisë dhe turizmit për të investuar në Shqipëri”.

Gjatë mbledhjes, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj komunikoi edhe risinë e ngritjes së Shtëpisë së Biznesit, një strukturë e posaçme, e cila do të shërbejë ndër të tjera, edhe si pikë takimi e sekretariateve teknike, të cilat do të krijohen në vijim.

Shtëpia e Biznesit ndodhet në krah të Kryeministrisë. Ajo do të shërbejë si një shtëpi, ku përfaqësuesit e lartë të qeverisë në vendim-marrjen ekonomike publike, jo vetëm do të mirëpresin bizneset për adresimin e problematikave të tyre, por do të shërbejë edhe si vend për takime të përjavshme të sekretariateve teknike, që do të ngrihen pas mbledhjes së parë të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Takimi dy ditë pas mbledhjes së Këshillit Ekonomik Kombëtar, më 14 janar 2024, ishte me përfaqësuesit e industrisë së tekstileve dhe këpucëve për eksport, ku qeveria u angazhua me një paketë konkrete në ndihmë të tyre.

Ndihma konkrete per sektorin e eksporteve të mallrave të Shqipërisë, që , sipas INSTAT, dha mbi 1.2 miliardë euro eksporte për vitin 2023, është vetëm fillimi i një strategjie të ndërveprimit, të komunikimit dhe harmonizimit të iniciativave ligjore dhe nënligjore, që qeveria do të marrë në vijim, me qëllim marrjen e dijes që gjendet në të gjitha bizneset dhe në të gjitha shoqatat e sipërmarrjes.

Qeveria synon të krijojë një platformë model  të partneritetit publik-privat, me qëllim mirëqeverisjen dhe marrjen e vendimeve të duhura për nxitjen e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit.

Këshilli Ekonomik Kombëtar do të garantojë bashkëpunimin institucional dhe partneritetin publik-privat për zhvillimin e politikave ekonomike, për garantimin e dialogut dhe këshillimin ndërmjet organeve të administratës shtetërore dhe sektorit privat, për rritjen e transparencës në vendimmarrjen politike të qeverisjes dhe përfaqësimin e sektorit privat në këtë proces.

Mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar (Foto ATSH)

Mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar (Foto ATSH)

Këshilli Ekonomik Kombëtar do të vazhdojë të ushtrojë të gjitha funksionet që ka në bazë të ligjit, duke qenë Këshilltari më i mirë ekonomik i Kryeministrit për politikat ekonomike. Ai do të ndërmarrë nisma për rishikimin e mënyrës së organizimit dhe funksionimit, më konkretisht nëpërmjet:

1.    Identifikimit të nismave ligjore për lehtësimin e rregullave dhe procedurave të sipërmarrjes për ushtrimin e aktivitetit;

2.    Përgatitjes së informacioneve orientuese dhe edukuese për biznesin në sferën e mbështetjes dhe lehtësimit të sipërmarrjes, për përmirësimin e qëndrueshëm të klimës së biznesit;

3.    Garantimit të bashkëpunimit institucional të partneritetit publik-privat për zhvillimin e politikave për garantimin e dialogut dhe këshillimit ndërmjet organeve të administratës shtetërore dhe sektorit privat;

4.    Dialogut me biznesin për përgatitjen e tij në procesin e Integrimit Europian.

Këshilli, i miratuar nga Kryetari do të trajtojë çështjet e evidentuara, një herë në muaj. Në ndihmë të kësaj vijnë Komisionet Sektoriale të cilët mund të mblidhen çdo javë ose çdo dy javë për të diskutuar çështjet në shqyrtim, si dhe Grupet Teknike të punës, të cilat mblidhen 3 herë javë ose sa here të jetë e nevojshme, për sektorët e çështjeve të caktuara.

Fatos Çoçoli