Botohen “Romanca”-t e Avni Mulës, si pjesë të antologjisë me veprën e artistit
2024-01-22 09:34:31

Kopertina e librit - foto Toena

Është prezantuar  në Tiranë, në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë volumi i parë i një antologjie që do të përmbledhë të gjithë punën krijuese të kompozitorit të njohur shqiptar Avni Mula.

Prof. Zhani Ciko, prof. Alqi Lepuri, pianistja Adelina Mula Qerfozi, drejtoresha e Liceut Artistik të Tiranës Etleva Kolnikaj dhe botuesja e Shtëpisë Botuese Toena,  Irena Toçi percollën për të pranishmit vlerat e këtij botimi të veçantë e të munguar.

Është vajza e madhe e kompozitorit  Avni Mula, Adelina ideatorja dhe realizuesja e volumit të parë të romancave të kompozitorit, punë e cila ka zgjatur dy vite. Libri përmban romanca dhe këngë të shkruara ndër vite nga kompozitori i ndjerë Avni Mula, konkretisht  zë fill me romancat e 15 viteve të para të krijimtarisë së tij muzikore. Ato janë shkruar për këngëtarë të shquar, për studentë, për Ninën bashkëshorten e tij pianiste, si dhe për vajzën tjetër, sopranon e johur Inva Mula. Disa të harruara nëpër sirtare, disa të kënduara nga të gjithë, tashmë ato janë të përmbledhura në një libër.

Avni Mula ka lënë një pasuri të paçmuar në muzikë. Jo vetëm si bariton e autor këngësh, por edhe me kompozimet e tij. Një pjesë e kësaj pasurie, gjendet në këtë botim, të prezantuar së pari në Liceun Artistik. Ndonëse mbi tre vjet mungesë fizike, Mula ritakohet përmes veprës me artistët e ardhshëm.

Puna për botimin e veprës së plotë të autorit, siç rrëfen vajza e tij e madhe, Adelina, nisi pas vdekjes së të atit. Ai vitet e fundit e humbi shikimin e saktë për t'i parë, kështu që shumë gjëra i la pa mbaruar, nuk mundi më të shkruante në pjesën e fundit të jetës së tij.

Promovimi i librit kushtuar Avni Mules - foto Toena

Ajo tregon se duke rrëmuar, gjeti një romancë, pastaj një tjetër dhe midis tyre u mblodhën 26, kështu që mendoi se me to mund të krijonte një libër vetëm me romanca. Si këngëtar, kjo ishte fusha më e dashur e Avni Mulës, pasi ai e preku fushën e vokalit në të gjitha format e saj.

Kompozitori, siç rrëfen e bija iku duke e ditur që kishte lënë shumë vepra pas në dorëshkrime. Opera “Borana” e digjitalizuar i pati falur shumë gëzim në vitet e fundit. Por, të tjera, si këto romanca që shënojnë fillimin e një antologjie, shkruar me laps, janë gjetur të zbehura nga vitet. Me ndihmën edhe të profesor Alqi Lepurit, i cili realizoi digjitalizim e partiturave, sot të gjithë mund ta shfletojnë librin, i cili vjen si vlerë dokumentare dhe artistike e krijimtarisë së pasur së autorit.

Treçereku i romancave të përmbledhura vazhdon të këndohet dhe të punohet nëpër shkolla. Tashmë libri mund të gjendet në çdo librari. Vëllimi i parë me romanca që Avni Mula krijoi gjatë viteve 1960-1975 , do të pasohet nga dy volume të tjerë, pjesë e antologjisë së veprës së tij që të bijat artiste po përgatisin në vijim. Nëse puna më madhe me partiturat është bërë nga Adelina, edhe Inva ka një rol të madh në krijimin e librit, pasi që në fillim çdo gjë është menduar mirë nga dy motrat, të cilat kanë dashur ta ruajnë dhe ta nderojnë punën e të atit, ashtu siç e meriton. 

Në ceremoninë e promovimit të librit, pjesmarrësit kujtuan Mjeshtrin e madh të artit shqiptar, kompozitorin dhe këngëtarin e skenës dhe ekranit, të madhin Avni Mula. Mirënjohja e secilit prej folësve shkoi për kontributin e tij, thesarin e çmuar muzikor që ka krijuar, por edhe për kontributin e të gjithë pjesëtarëve të familjes së tyre, duke nisur me Ninën, pianisten e talentuar, Adelinën që eci në gjurmët e saj e formoi sa e sa pianistë të rinj që sot performojnë kudo në botë dhe Inva Mulën që pushtoi me zërin e saj magjik skenat më të mëdha të kësaj bote…

Te ftuarit ne promovimin e librit flasin per aktivitetin e Avni Mules - foto Toena

Në pjesën e dytë të aktivitetit vëmendja u përqëndrua te romancat e Mulës të përfshira në libër, të cilat u interpretuan në piano nga Adelina Mula dhe këngëtarë të ftuar.

Avni Mula (1928 – 2020)  është kompozitor dhe muzikant shqiptar, këngëtar e bariton. Ai lindi në Gjakovë, jetoi në Shkodër, studioi muzikë në Moskë dhe të gjithë aktivitetin e tij e shtriu në Tiranë, si këngëtar lirik në TOB.

Ai ishte këngëtar lirik bariton, kompozitor dhe kantautori i parë shqiptar. I përket artistëve të parë që vunë themelet e artit operistik shqiptar. U diplomua në konservatorin “P. J. Çajkovski” në Moskë me medalje ari. Më pas kthehet dhe realizon mbi 30 role si bariton me kryeveprat botërore operistike dhe ato shqiptare, ku lë një vulë të padiskutueshme të belkantos. Që në këtë kohë fillon të krijojë romancat e para, si edhe këngët e para me të cilat mori famën si kompozitor e kantautor.

Në vitet ’70 i kushtohet seriozisht kompozimit, ku shkruan kantata, suita, poemën simfonike “Nënë Shqipëri”, dy opera, “Borana” dhe “Nëna e trimave”, operetën “Karnavalet”, muzikë filmash, tablo koreografike. Që nga vitet 1960-2000 u shkruan shumë romanca, ku janë zgjedhur 26 prej tyre për t’u vënë në libër, të renditura në një radhë kohore sipas krijimit të tyre. Në romancat e fundit kompozitori është edhe krijuesi i poezisë.

Autori është krijuesi i shumë këngëve pjesëmarrëse në 33 festivale në RTSH (me shumë çmime). Këtu mund të përmendim festivale për fëmijë, anketa muzikore, festivale pranvere etj. Libri përmban një buqetë me këngët më të njohura të autorit, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e popullit të tij.

Neritana Kraja