Rigers Cupi ne interviste per CMG
Rigers Çupi jeton prej vitesh bashkë me familjen në Athinë. Ai është i pasionuar pas futbollit dhe artit në përgjithësi dhe së fundi ka marrë pjesë si aktor në filmin aksion të producentit Ergys Keta, “Tryeza e Zezë”. Ky film u shfaq premierë para pak ditësh në kinematë e Tiranës, pjesë e të cilit ishin emra të njohur të kinematografisë shqiptare. Rigersi ka vizituar Kinën dhe e pëlqen shumë Pekinin, ndërsa shpreh dëshirën për të luajtur në ekipet kineze të futbollit. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pjesëmarrjen në film, pasionin për futbollin dhe synimet për të ardhmen.
CMG: Sa kohë kishe pa ardhur në Tiranë?
Rigers Çupi: Unë në Tiranë kam qenë në muajin gusht të vitit të kaluar, sepse kam shumë punë në Greqi. Ndërkohë që tani gjeta momentin të vij vetëm dy ditë për premierën e filmit. Pasi të mbarojë premiera e filmit do të shkoj sërish në Greqi.
CMG: Si u bërë pjesë e filmit aksion “Tryeza e zezë”?
Rigers Çupi: Unë u bëra pjesë e këtij filmi nga kushëriri im Ergys Keta, i cili më ftoi që të luaja në filmin e tij. Kur u realizuan xhirimet e filmit unë nuk kisha shumë punë dhe mendova që ta provoja këtë eksperiencë. Për mua të bëhesh aktor ose këngëtar është diçka shumë fantastike. Kur e provova këtë eksperiencë më kanë pëlqyer shumë xhirimet e filmit.
CMG: Xhirimet e këtij filmi janë bërë në ishullin grek Mikonos dhe në Shqipëri. Ti ku ishe pjesë e xhirimeve?
Rigers Çupi: Unë vetë kam xhiruar në Shqipëri, ndërsa në Mikonos kam shkuar bashkë me grupin e filmit sepse ndihmoja dhe stafin, ngaqë e njoh shumë mirë gjuhën greke, por njihja dhe vendet atje.
CMG: Si u ndjeve përkrah aktorëve të njohur në këtë film?
Rigers Çupi: Jam ndjerë shumë i lumtur sepse kisha fatin të jem afër aktorëve të mëdhenj. Unë kam parë shumë filma shqiptarë dhe i njihja këta aktorë, si Arben Derhemin nga seriali “Njerëz dhe Fate”, apo aktorin e madh Kastriot Çaushi e kam ndjekur në filmat e tij, por dhe si analist me sportin. Gjithashtu dhe këngëtaren Rovena Dilo apo aktoren Monika Lubonja, që i kam ndjekur dhe isha shumë i lumtur që luaja përkrah tyre. Sigurisht që dhe kushëriri im Ergys Keta, me të cilin kam qenë afër gjatë xhirimeve të filmit.
Rigers Cupi gjate xhirimeve te filmit
CMG: Ke një vëlla më të vogël që ka pasion muzikën. A e ndihmoni atë me këshilla për artin?
Rigers Çupi: Unë vëllain tim e ndihmoj dhe sikur mos të kisha pasion aktrimin ose futbollin. Gjithashtu dhe vëllai më ndihmon mua, pavarësisht se ai është më i vogël, por ne e mbështesim shumë njëri-tjetrin.
CMG: Një pasion tjetër i juaji është futbolli, ku vazhdon të aktivizohesh me skuadra të ndryshme. Si ke ecur në këtë rrugëtim?
Rigers Çupi: Pasioni im është futbolli, ku tani jam totalisht gati për të luajtur me ndonjë skuadër më të madhe, me një nivel shumë më të madh. Besoj se unë jam talent si futbollist dhe do kënaqem shumë nëse do të luaj me një skuadër të mirë. Pres ndonjë ftesë për të më provuar dhe shikuar sesi luaj në fushë, sepse kudo që të shkoj do jap maksimumin tim.
CMG: Beson se mosha juaj do ndikojë për të luajtur me ndonjë skuadër të mirë të futbollit?
Rigers Çupi: Besoj se mosha nuk ndikon, sepse mosha është thjesht numër. Mendoj se ajo që ndikon është fiziku i një lojtari në çfarëdolloj sporti, sepse ne shikojmë tani futbollistët më të mirë të botës që luajnë dhe kur janë mbi 30 vjeç. Patjetër që dhe mosha luan rolin e vet, sepse është tjetër gjë të jesh më i ri dhe tjetër të jesh më i madh, por 25-27 vjeç besoj se është mosha e kulmit për futbollin dhe nuk është diçka e frikshme.
CMG: Në cilin vend do dëshiroje të kishe një eksperiencë si futbollist?
Rigers Çupi: Në Greqi kam pasur eksperiencë dhe me bekimet më të mëdha, por kam dëshirë të luaj në Europë. Gjithashtu kam dëshirë të luaj dhe me ekipet e Shqipërisë.
Posteri i filmit Tryeza e Zeze
CMG: Ke udhëtuar në mjaft vende të botës, madje edhe në Kinë. Si ka qenë eksperienca juaj në Kinë?
Rigers Çupi: Është tjetër gjë të jesh në Kinë dhe tjetër gjë të jesh në një vend tjetër të botës.
Kina ka popullsi të madhe, dhe ka një cilësi tjetër me njerëzit, sidomos me punëtorët. Kina sikur e dinë të gjithë është vendi i parë i botës që prodhon telefona, televizora që vijnë të gjitha nga Kina.
CMG: Cili nga qytetet të ka lënë më shumë mbresa, Pekini apo Shangai?
Rigers Çupi: Në Shangai kam shkuar shumë herë me punë me traget, ku ka më shumë trafik. Mua më ka pëlqyer më shumë Pekini sepse kam vizituar mjaft vende të bukura dhe kam ngrënë në restorante të mira. Pekini më ka pëlqyer shumë dhe do të shkoj prapë.
CMG: Do dëshiroje të provoje një eksperiencë si futbollist në Kinë?
Rigers Çupi: Patjetër që po, çdokush do kishte dëshirë të provonte Kinën ose Arabinë Saudite, sepse këto janë dy vendet që të gjithë futbollistët kanë dëshirë të shkojnë. Ka shumë lojtarë të njohur që kanë luajtur në Kinë apo dhe vende të tjera.
CMG: Ke dëshirë të provosh eksperienca të tjera në fushën e aktrimit?
Rigers Çupi: Nëse do më bëhet ndonjë ftesë tjetër për të luajtur në film do të shkoja. Kështu që nëse më jepet rasti do ta provoj sërish në Shqipëri, Greqi ose kudo tjetër.
CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në Athinë?
Rigers Çupi: Një ditë e imja në Athinë është e mbushur plot me punë. Kam stërvitje dy-tre herë në ditë, stërvitje që bëj vetë, palestër dhe stërvitje me skuadrën që po luaj. Gjithashtu gjatë ditës kam dhe punë të tjera.
Rigers Cupi me vellain
CMG: Sa të ka mbështetur familja në rrugën e sportit dhe të artit?
Rigers Çupi: Familjen e kam patur afër gjithmonë në gjithë jetën time. Besoj se askush tjetër në botë nuk të mbështet më shumë se familja jote. Sidomos familja ime mua më ka mbështetur 1 milion për qind dhe jam shumë i lumtur që kam këto prindër dhe vëllain tim.
CMG: Ke shkuar shumë i vogël në Greqi, ku je rritur dhe shkolluar. Sa shqiptar ndjehesh në Greqi?
Rigers Çupi: Gjaku im është shqiptar, pavarësisht se kam shkuar shumë i vogël në Greqi. Atje unë kam kryer dhe shërbimin ushtarak, por që unë ndjehem shqiptar 100%.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Rigers Çupi: Shumë faleminderit për intervistën dhe i përshëndes të gjithë dëgjuesit, duke ju uruar të gjithëve të kenë shëndet, mbarësi dhe shumë dashuri në familje.
Intervistoi: Gazmend Agaj