Valbona Ostreni : Dua të realizoj koncertit tim recital me muzikë xhaz
2024-01-21 16:44:02

Valbona Ostreni në intervistë për Radio Ejani

Valbona Ostreni në intervistë për Radio Ejani

Valbona Ostreni e ka shfaqur talentin e saj për muzikën që në moshë të vogël. Ajo është aktivizuar në shumë aktivitete për fëmijë dhe ka studiuar Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në moshën 19 vjeçare në vitin 1997, në bashkëpunim me artistin Joe Artid Fejzo, këngëtarja Valbona Ostreni erdhi në një duet në Festivalin e 36-të në RTSH me këngën "Nesër një tjetër ditë....". Më pas në muajin dhjetor 2001, Valbona Ostreni mori pjesë në Festivalin e 40-të në RTSH me këngën "Për dikë". Pas këtij festivali ajo pati dy pjesëmarrje në “Kënga Magjike”, ku mori pjesë në vitin 2007 me këngën "Mike Mediatike", dhe në vitin 2008 me këngën "Të dua më shumë se dje”. Ajo u rikthye në publik në vitin 2017, me videoklipin e këngës "E imja çmenduri", një këngë me muzikë e orkestrim nga Gent Myftaraj e tekst nga Pandi Laço. Prej vitesh Valbona ka qenë e shkëputur nga festivalet dhe konkurrimet, por përherë e pranishme pranë publikut shqiptar me koncerte live, por edhe në mjaft skena e ambiente familjare. Një tjetër dashuri  e  madhe e saj është aktrimi, ku numëron dhjetëra role, i fundit në filmin “5 herë jo”. Valbona ka qenë e ftuar edhe në spektaklin “Krishtlindje në Tiranë” në fundvit. Në intervistë për Radio Ejani, ajo rrëfen planet e shumta për vitin 2024, ndër të cilat dëshiron të  realizojë një koncert recital, vetëm me muzikë xhaz.

CMG: Në spektaklin e fundvitit  interpretove në një skenë të madhe, ku shkëlqeje e veshur me fustan të kuq

Valbona Ostreni: Aty ku më keni ndjekur isha e ftuar në spektaklin “Krishtlindje në Tiranë” dhe për këtë arsye kisha veshur një fustan të kuq, sepse ishte atmosferë feste, Krishtlindje.

Valbona Ostreni  (Foto personale)

Valbona Ostreni  (Foto personale)

Ishte kënaqësi që kisha një material për kohën aktuale që gjithë globi po jeton, një këngë e John Lennon “Happy Xmas (War is Over)”, duke shpresuar që lufta të mbarojë  dhe njerëzit të jetojnë në paqe.

CMG: Festën e Krishtlindjes dhe të Vitit të ri e kalove pranë familjes apo duke kënduar?

Valbona Ostreni: Me familjen në zemër ishim duke kënduar. Prej shumë vitesh unë nuk i shijoj gatimet e mia, apo të mamit në natën e ndërrimit të viteve, por gjithmonë jam e përgjumur më datë 1 dhe 2 janar, sa për t’i shijuar pak. Këto vitet e fundit e kam ushtruar profesionin vetëm duke interpretuar live dhe për vitin e ri kam qenë duke kënduar live, në një ambient familjar. Muzika është dashuria e jetës time që ka nisur që në kopsht.

CMG: Do flasim dhe për fëmijërinë, por le të mbetemi tek pjesëmarrja jote e fundit në “Krishtlindje në Tiranë”, ku u riktheve për publikun e ekranit pas shumë vitesh në një skenë të madhe…

Valbona Ostreni: Kam munguar në eventet e rëndësishme televizive muzikore, por  kam qenë prezente në aktivitetet që organizon bashkia në Amfiteatrin e Tiranës, kam qenë në një spektakël në Durrës, etj. Nuk kam qenë pjesë e festivaleve me çmime, por kam dalë në skenë pranë publikut. Të dalësh në skenë është një tjetër emocion, ndryshe nga ai i interpretimit  live në ambient të caktuar.

Valbona Ostreni  Krishtlindje ne Tiranë (Foto personale)

Valbona Ostreni  Krishtlindje ne Tiranë (Foto personale)

CMG: Ke qenë pjesë e festivalin e Rtsh-së,  te “Kënga Magjike”, por unë e kujtoj ende Valbonën e vitit 1997, kur interpretove në një duet me artistin Joe Artid Fejzo “Nesër një tjetër ditë”. Si është raporti yt me festivalet?

Valbona Ostreni: Një shprehje thotë “Shpresa vdes e fundit”, pastaj kam dëgjuar vazhdimin e kësaj shprehjes që thotë; “Lum ai që nuk vdes, duke shpresuar”, por do e doja vërtetë që ta shpalosja edhe një herë talentin tim në këto festivale, apo kompeticionet. Më kujtohet ajo kohë kur isha në festival, ngaqë do interpretonin live dhe duhet të ishim mirë me zërin, konsumonim lëngun e qepës dhe kundërmonim era qepë dhe era parfum njëkohësisht (qesh).  

CMG: Tashmë në festival këngëtarët  konkurrojnë jo vetëm për kënaqësi, por është shtuar edhe dëshira për pjesëmarrje për Eurovizionin.

Valbona Ostreni: Ka një tjetër përgjegjësi të madhe. Do doja që të kisha një tjetër pjesëmarrje të denjë dhe nëse publiku do ta pëlqejë, pse jo t’i përfaqësoja edhe në Eurovizion.

 

CMG: Valbona, përpos këngës një dashuri e jotja është edhe kinematografia. Vitin që lamë pas t’i more pjesë në filmin “5 herë jo”, na trego për këtë profesion të fshehtë?

Valbona Ostreni: Me thënë të drejtën shumë i fshehtë është. Ka lindur me kohë tek unë, që kur isha në shtëpinë e pionierëve. Përveç këngës  kisha dëshirë edhe të interpretoja poezi, gjë që ma kanë korrigjuar mësuesit, sepse interpretimi krijonte probleme në teknikën e të kënduarit dhe e kisha shumë pasion aktrimin dhe prezantimin. Me të filluar punën në Administratën e Universitetit të Lartë të Arteve, filloi bashkëpunimi në filmin e parë “Honey moon”,  më pas me filmin ”7 ditë” dhe i fundit ishte në filmin “5 herë jo”, ku unë luaj në rolin e mamit të Gjergjit, emri i personazhit në film që interpretohet nga Doland Veshaj. Në projektet e studentëve të regjisë së filmit në Akademinë e Arteve, nga të cilët kam patur disa role, kanë qenë role komike, por herë -herë edhe dramatike.  

Valbona Ostreni   (Foto personale)

Valbona Ostreni   (Foto personale)

CMG: Edhe pse jo nëpër festivale ti ke qenë e pranishme pranë  publikut që të ndjek gjatë netëve live. Si është marrëdhënia jote me publikun në netët live?

Valbona Ostreni: U bënë më tepër se 20 vjet që unë interpretoj në netët live, në Shqipëri apo jashtë saj. Brenda meje fle muzika xhaz dhe një ëndërr e imja që është më e arritshme se ajo e Eurovizion-it, është që të bëj një koncert recital vetëm me muzikë  xhaz.  Madje ka ardhur momenti që ta mendoj më seriozisht se deri tani, por edhe dëshira që kam shprehur në natën e ndërrimit të viteve ishte që ta realizoj sa më shpejt këtë koncert.

Shpresoj që ky vit të jetë viti i  realizimit të këtij koncerti. Do të shtoja, lidhur me diçka që më ngacmove pak më parë, unë kur interpretoj live në minutat e para kam gjithmonë emocione. Mendoj se si do ndjehen të pranishmit në ambientin që unë performoj.  Unë këndoj me sy mbyllur, jo se i di gjithmonë tekstet përmendësh, por e shijoj shumë brenda meje muzikën. Besoj shumë se nëse një artist ndjehet mirë dhe beson shumë tek ajo që po bën, të njëjtën kënaqësi e merr edhe publiku që e ndjek. Vazhdoj t’i kem ende minutat e para me emocione, sepse më bëjnë mirë, që të jap më të mirën time. Jeta është e bukur se ka emocione brenda.

CMG: Ndalemi pak në periudhën e festivaleve, në atë kohë kur ka pasur vërtetë shumë sakrifica, duke filluar që nga veshja …

Valbona Ostreni: Po, le ta nisim me veshjen. Në vitin 1997 kur kam interpretuar në një duet me artistin Joe Artid Fejzo, nuk kisha çfarë të vishja. Në atë kohë isha 19 vjeç dhe nuk e kisha një veshje për festival. Pasi bëra disa telefonata nga telefoni i shtëpisë së xhajes (sepse në atë kohë nuk kishim të gjithë telefona), kontaktova nëpër fis apo miq që mendoja se mund të kishin diçka të përshtatshme për mua për të veshur në festival. Më mbetej të qaja, me shpresën që Zoti të më ndihmonte me zgjedhjen e duhur.

Valbona Ostreni  (Foto personale  )

Valbona Ostreni  (Foto personale  )

Erdhi tekstshkruesi nga Italia që të shijonte festivalin, sepse ishte italian dhe  pa e ditur problemin tim, më kërkoi që ta zgjidhte dhe ta blinte ai fustanin me të cilin duhet të interpretoja këngën. Kështu që Zoti jo vetëm që ma zgjidhi problemin që kisha, por ma zgjidhi edhe pa kosto fare. Isha shumë e lumtur që do merrja pjesë  në festival. Mbaj mend gjatë perfomancës sonë, në gjysmën e këngës ne do kapeshim dorë për dore me Artidin dhe kur erdhi momenti duart e mia ishin të ftohta dhe të lagështa, në të njëjtën kohë më dridheshin nga emocionet. Me shumë frikë dhe me siklet e shijova performancën. Natën pasardhëse, kur kam kënduar live, mbylla sytë dhe i thashë vetes para se të dilja në skenë; “Bona këtu nuk je për t’u parë, je për t’u dëgjuar”  dhe i dhashë forca vetes që të këndoja ashtu si duhej, dhe në fund ja dola.

CMG: Valbona, ke realizuar një videoklip, por a do të shohim sërish me këngë të reja?

Valbona Ostreni: Unë kam gjashtë materiale muzikore dhe njëri prej tyre është e pajisur me videoklipin përcjellës, të cilin nuk e kam publikuar shumë. Me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në këto vite tranzicioni, e kam pasur gjithmonë dëshirën që të bëja një material të ri, që mund ta shoqëroja me një videoklip. Edhe kjo do të jetë një nga gjërat që pres t’i realizoj në vitin 2024.

CMG: Valbona, ti e ke nisur muzikën që në moshë të vogël, na trego për fillimet e tua në muzikë?

Valbona Ostreni: Përveçse këndoja në shtëpi që e vogël, më pikasi dhe  mësuesja e këngës, në rrethin e shtëpisë së pionierit, në lagjen nr. 3 në Tiranë. Ajo vinte më merrte në kopsht, më çonte tek rrethi i këngës. Kujtoj kur ishte periudha e dimrit, hyja në shtëpinë e pionierit ditën dhe dilja kur ishte errësuar.  Mbaj mend që i  thoja mësueses se isha e lodhur e më vinte gjumi. Kur isha në klasën e gjashtë, mora pjesë në festivalin që bënte shtëpia e pionierit, në bashkëpunim me fëmijët e pallatit të pionierit në Tiranë dhe aty më pikasi profesor Agim Duro. Asokohe ai ishte solist në TKOB dhe më sygjeroi se, nëse doja të bëhesha këngëtare profesioniste, duhej të ndiqja patjetër shkollën e muzikës, Liceun Artistik në degën e Kantos. Punova disa kohë me të, por më vonë e mbyllën shtëpinë e pionierit dhe unë u trishtova shumë sepse nuk kisha ku të përgatitesha për konkursin që ishte në korrik. Rastësisht babai im takoi profesoreshën Suzana Frashëri, të cilën e kishte pasur 8 vjet në klasë, madje kanë qenë në një bankë. Ajo përveçse ishte pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve asokohe, ishte edhe mësuesja e rrethit të Kantos në Pallatin e Pionierëve, gjë që unë nuk e dija se kishte një rreth kanto-je. Ajo më mori dhe për dy muaj deri në kohën e konkursit u përgatita me të.

Valbona Ostreni  në interpretimet live (Foto personale)

Valbona Ostreni  në interpretimet live (Foto personale)

Kështu e fitova konkursin dhe hyra në Liceun Artistik, ku ishte një tjetër jetë, një tjetër botë. Përveç Kantos, studiova katër vjen piano në Lice, katër vjet fizarmonikë, një vit fyell, se kishim vegël muzikore popullore dhe kam bërë edhe një vit çifteli. Ka qenë periudhë që e kujtoj me nostalgji. Të gjithë pedagogët në atë kohë i dëgjonim me kërshëri, asokohe ishin shumë të mirë, kishim shumë respekt, ndryshe nga sa është sot.

CMG: A luan sot në ndonjë instrument?

Valbona Ostreni: Në ndonjë ambjent miqësor mund të luaj në piano, thjesht për të shoqëruar veten kur këndoj, jo për të dhënë ndonjë koncert.

CMG: Duket se i ke të shumta dëshirat rreth muzikës, por cilat janë ato plane që pret t’i konkretizosh në vitin 2024?

Valbona Ostreni: Pres që të marr pjesë në një tjetër spektakël të “Guga Production”, ku do të jetë eventi “Shën Tereza” që do të mbahet në muajin maj, njëkohësisht vazhdoj të jem këngëtarja e preferuar e resortit “Fllad” ku ende kam performuar, me materiale të huaja për një audiencë vetëm me të huaj. Do vazhdoj të kem një sezon sërish me muzikë xhaz, por shpresoj shumë edhe për realizimin e koncertit tim recital, sepse e dua shumë muzikën xhaz.   

Intervistoi: Sava Lena