Kryediplomati kinez Wang Yi takohet me presidentin brazilian Lula da Silva, 19 Janar 2024(Foto:MPJ)
Kina dhe Brazili së bashku do të ndërtojnë një tjetër "50-vjeçar të artë" në marrëdhëniet dypalëshe. Kështu tha të premten ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në një konferencë shtypi të organizuar së bashku me homologun brazilian Mauro Vieira.
Wang bëri thirrje për promovimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Brazil në një nivel të ri, pasi ky vit shën edhe 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Wang dhe Vieira gjithashtu bashkëkryesuan të premten Dialogun e 4-t Strategjik Gjithëpërfshirës të Ministrave të Jashtëm Kinë-Brazil në kryeqytetin Brazilia.
Të dy palët e kuptojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin për çështjet që lidhen me interesat e tyre thelbësore dhe shqetësimet kryesore, gjë që ofron një garanci solide për zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Brazil, tha Wang në takimin me homologun brazilian.
Duke e përshkruar bashkëpunimin dypalësh si reciprokisht të dobishëm, në shkallë të gjerë, me cilësi të lartë dhe rritje të shpejtë, Vieira tha se ai ka ofruar mbështetje jetike për zhvillimin e të dy vendeve dhe ka sjellë përfitime të prekshme për të dy popujt.
Ministri Wang Yi me homologun brazilian Mauro Vieira, 19 Janar 2024(Foto:MPJ)
Siç mësohet, të dy palët patën një komunikim të thellë, duke arritur konsensus të gjerë për bashkëpunimin praktik, situatën ndërkombëtare, koordinimin shumëpalësh dhe çështje të tjera të nxehta.
Ata u zotuan të forcojnë shkëmbimet e nivelit të lartë dhe ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në fusha tradicionale si bujqësia, mineralet, energjia, infrastruktura, hapësira kozmike, aviacioni dhe të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha si ndërlidhshmëria, shëndetësia, zhvillimi i gjelbër, ekonomia digjitale, energjia e pastër dhe inteligjenca artificiale.
Ata premtuan të mbështesin njëri-tjetrin në ndjekjen e rrugës së tyre të modernizimit, të cilat i përshtaten kushteve të brendshme kombëtare dhe të eksplorojnë sinergjinë strategjike përmes bashkëpunimit të nismës "Një brez, një rrugë" dhe programit të riindustrializimit dhe përshpejtimit të rritjes së re të Brazilit.
Bashkëbiseduesit ranë dakord gjithashtu të nxisin përpjekjet për rivendosjen e plotë të shkëmbimeve njerëzore dhe të konsolidojnë mbështetjen publike për miqësinë Kinë-Brazil. Ata nënshkruan një marrëveshje për lehtësimin e ndërsjellë të vizave për të zgjeruar më tej shkëmbimet e personelit midis dy vendeve.
Duke njohur ndikimin global në rritje të marrëdhënieve Kinë-Brazil që ka shkuar shumë përtej fushëveprimit dypalësh, të dy homologët shprehën vullnetin e tyre për të forcuar koordinimin strategjik brenda kornizave të OKB-së, të Grupit të 20 Vendeve (G20-ës), BRICS-it dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, duke ngritur zërin dhe përfaqësuar vendet në zhvillim si dhe duke mbrojtur interesat e përbashkëta të tregjeve të reja dhe vendeve në zhvillim.
Ministri Wang Yi me homologun brazilian Mauro Vieira, 19 Janar 2024(Foto:MPJ)
Wang dhe Vieira u zotuan gjithashtu të bëjnë përpjekje për zgjidhjen politike të çështjeve të nxehta ndërkombëtare dhe të kontribuojnë në zhvillimin paqësor.
Duke rënë dakord që bashkëpunimi Kinë-Amerikë Latine u shërben interesave të përbashkëta të Kinës dhe Amerikës Latine dhe është në përputhje me prirjen e kohës, të dy palët shprehën gatishmërinë për të aktivizuar më tej këtë bashkëpunim për të ndihmuar vendet e rajonit të forcohen përmes bashkimit dhe të përshpejtojnë zhvillimin dhe rigjallërimin. (Zhang Yan/Edmond)