Këngëtari i muzikës popullore të Gramshit, Endrian Koxhaj ka tre vjet që është në treguan muzikor. Ai muzikën e ka të trashëguar nga familja dhe vazhdon ta përcjellë bukur traditën e folklorit gramshiot. Endriani ka publikuar dy këngë popullore në bashkëpunim me mikun e tij Lirim Zeneja, të shoqëruara me videoklipe, njëra prej të cilave i kushtohet një vendi të shenjtë në Ermenj të Gramshit. Së shpejti ai pret të realizojë tre këngë të tjera popullore, që do t’i publikojë dhe në kanalin YouTube. Në një intervistë për Radio Ejani Endriani tregon për fillimet e tij me këngën popullore, aktivitetet muzikore dhe projektet në vazhdim.
CMG: Je një këngëtar i ri që po vazhdon traditën e këngës popullore të Gramshit. Si ka nisur pasioni për këngën popullore?
Endrian Koxhaj: Gramshi ka një traditë të bukur të muzikës popullore, siç janë fyejt e Gramshit, një traditë e folklorit të zonës sonë. Unë jam këngëtar i ri dhe e kam nisur si këngëtar në dasma dhe më pas në koncerte të ndryshme. Kam tre vjet që shkoj në koncerte brenda dhe jashtë vendit.
CMG: Këngën e ke të trashëguar nga familja?
Endrian Koxhaj: Babai im ka qenë klarinetist prej shumë vitesh, por ka gati shtatë vjet që e ka lënë këtë zanat. Gjithashtu daja im ka qenë këngëtar në zonën e Gramshit dhe tani e kam marrë unë stafetën e këngës.
Endrian Koxhaj ne interviste per CMG
CMG: Përveç këngës a luan dhe me fyell?
Endrian Koxhaj: Unë vetë nuk luaj me fyell, por kam qejf t’i dëgjoj kur luajnë të tjerët. Kur bënim prova te shtëpia me babain unë i bija dajres. Kam dhe vëllain Ervinin që jeton në Greqi, i cili është organist dhe punon me koncerte në Volos të Greqisë. Ai gjithashtu bëri prova për të mësuar dhe klarinetën.
CMG: Sa këngë ke publikuar dhe si janë pritur nga publiku?
Endrian Koxhaj: Unë kam realizuar deri tani dy këngë të shoqëruara me videoklipe, dhe një këngë tjetër që nuk e kam publikuar akoma. Kënga e dytë erdhi nga një miku im nga zona e Tomorricës të Gramshit. Lirim Zeneja kishte një ide të lënë brez pas brezi nëna e tij, për të bërë një këngë për një vend të mirë që quhet Ermenj. Ne u takuam rastësisht në një koncert, ku ai më dëgjoi duke kënduar këngë gramshiote dhe më ftoi për të realizuar një këngë me videoklip për këtë vend të mirë, duke më treguar dhe historinë e atij vendi.
CMG: Si je ndjerë me kostumin popullor të trevës suaj, gjatë interpretimit të këngës ?
Endrian Koxhaj: Jam ndjerë shumë mirë me kostumin popullor sepse më është dukur vetja vërtet gramshiot.
CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?
Endrian Koxhaj: Unë i jam shumë mirënjohës Ildi Borës, i cili është djali i artistit të njohur gramshiot Xhevahir Bora. Ildi ka punuar shumë mirë me këngët dhe unë jam shumë i kënaqur, ndaj për çdo projekt muzikor që do të kem do shkoj tek studio e tij.
Endrian Koxhaj dhe Lirim Zeneja me veshje popullore (Foto personale)
Endrian Koxhaj me grupin e tij muzikor (Foto personale)
CMG: Sa e vështirë ka qenë për ty të jesh në mes të këtij tregu të madh këngëtarësh?
Endrian Koxhaj: Në fillim e kam nisur pak me emocione kur shikoja që më ndiqnin shumë njerëz, por tani jam mësuar me publikun dhe muzika më duket gjë e bukur. Kur shkoj tani në koncerte me ndonjë këngëtar që është shumë i njohur nuk më bën shumë përshtypje dhe nuk e ndjej konkurencën.
CMG: Ke ndonjë këngëtar idhull?
Endrian Koxhaj: Këngëtar që e kam idhull është Emanuel Biba, që e përshëndes dhe kam dëshirë ta takoj sa më shpejt.
CMG: Si je pritur nga njerëzit kur ke qenë në koncerte dhe festa familjare?
Endrian Koxhaj: Unë jam pritur shumë mirë kur kam qenë i ftuar në zonën e Gramshit, jam ndjerë mirë nga mikpritja e tyre. Gjithashtu dhe në Greqi jam pritur mirë, sepse i pëlqejnë shumë këngët e trevës sonë.
CMG: Kur shkon nëpër koncerte këndon vetëm këngë të zonës së Gramshit apo dhe të trevave të tjera?
Endrian Koxhaj: Unë këndoj më shumë këngë të zonës sime, por kur ka kërkesa këndoj dhe këngë të trevës së veriut dhe mundohem t’i interpretoj të gjitha trevat e vendit.
Endrian Koxhaj ne duet me Lirim Zeneja (Foto personale)
CMG: Ku ndryshon muzika popullore e Gramshit nga trevat e tjera të Shqipërisë?
Endrian Koxhaj: Ne e ruajmë shumë tabanin popullor. Po nuk na goditi defi në vesh, nuk kënaqemi shumë. Nuk besoj se ka ndryshim të madh nga zonat e tjera, por ne ruajmë tabanin tonë.
CMG: Lirim si je ndjerë ti në bashkëpunimin e parë me Endrianin?
Lirim Zeneja: Ne nga Ermenji i Tomorricës kemi më shumë këngë burrash me iso. Unë kam punuar me klarinetisitn Xhelo Vasjari dhe këngëtaren e njohur Maja Aliçkaj, por jo si këngëtar, vetëm dy këngë që i kërkonte kryshqia në dasëm i këndoja. E falenderoj Endrianin për realizimin e kësaj kënge. Tekstin e bëri Elmira Tafa që e falenderoj dhe videoklipi u realizua nga kameramani më i mirë në Gramsh Eri Durmishi. Kështu që mua më është realizuar amaneti i nënës sime, e cila tha për të realizuar një këngë për këtë vend të mirë. Ne do bashkëpunojmë sërish dhe në mars do të realizojmë një videoklip akoma më të bukur për fshatin tim Ermenj.
CMG: Endrian, cilat janë projektet tuaja muzikore?
Endrian Koxhaj: Kam tre projekte muzikore të reja, që do t’i nxjerr së shpejti.
Intervistoi: Gazmend Agaj