Fansat e Taylor Swift e ndërrojnë skenën me ekranin e madh
2024-01-19 11:05:38

Foto nga China Daily

Kur shtetësja nga Pekini, Jin Yu, mbërriti për një shfaqje speciale të “Taylor Swift: The Eras Tour”, filmi koncert me fitimet më të larta të të gjitha kohërave, ajo u befasua kur pa shumë pjesëmarrës nga audienca të cilët tundnin shkopinj me shkëlqim, kërcenin e këndonin me zë të lartë së bashku me interpretuesin.

“Më dukej sikur po ndiqja një koncert nga Taylor Swift për gati tre orë, por që kushtoi vetëm 100 juanë (14 dollarë). Përveç kësaj, mund të nxirrni smartfonin për të bërë foto ose video. Kjo zakonisht është e ndaluar kur shikoni një film në kinema”,- tha ajo.

Nën drejtimin e regjisorit fitues të çmimeve “Emmy”, Sam Wrench, filmi ndjek ikonën e popit 34-vjeçare dhe kërcimtarët e saj në skenë, ndërsa Swift performon 40 këngë nga 10 albume gjatë turneut të saj “The Eras” 2023-2024.

Filmi ka fituar mbi 261 milionë dollarë në mbarë botën, duke përfshirë më shumë se 78 milionë juanë në Kinën kontinentale, sipas statistikave nga “Box Office Mojo” dhe “Beacon”.

Filmi 169-minutësh është bërë gjithashtu dokumentari i importuar me fitimet më të larta të të gjitha kohërave në Kinën kontinentale.

Me “The Eras Tour”, që thyen rekordin botëror “Guinness” për turneun muzikor me fitimet më të larta në histori, “Alibaba Pictures”, që njihet për importimin e filmave të huaj të mirënjohur si “Green Book”, “Bohemian Rhapsody”, “Capernaum” dhe “Departures”, njohu perspektivat e filmit dhe lehtësoi hyrjen e tij në tregun kinez dhe ndihmoi në promovimin e tij.

Që nga publikimi i tij në kinematë vendase në natën e Vitit të Ri, filmi ka marrë një rezultat mbresëlënës prej 9.3 pikësh nga 10 në “Douban”, një nga faqet më të njohura të kritikave në Kinë, për shkak të efekteve të tij vizuale spektakolare dhe superyllit Taylor Swift.

Song Zhe, regjisore 29-vjeçare e videove të shkurtra nga provinca Henan, është një nga fansat kinezë që u mahnit aq shumë nga formati inovativ i dokumentarit, saqë bleu dy bileta për shfaqje të njëpasnjëshme.

“Unë rrallë kam përjetuar më parë një përvojë kaq emocionuese dhe zhytëse duke parë filmat. Kur bëhej fjalë për disa nga këngët më të njohura të Swift-it, publiku spontanisht qëndroi në hapësirën e zbrazët poshtë ekranit të madh dhe filloi të kërcente dhe të këndonte së bashku. Prej të bërtiturave të fansave nuk arrihej të dëgjohej as zëri i këngëtares”,- tha Song, e cila punon në Pekin.

Dokumentari u filmua gjatë performancës së Swift në stadiumin “SoFi” në Los Anxhelos, një vend që ka pritur shumë evente mbresëlënëse, ndër të cilat edhe “Super Bowl 2022”.

Efektet e tij vizuale janë tepër mbresëlënëse, duke lejuar shikuesit të shohin pamjet nga afër të Swift në ekranin e madh.

Zhi Feina, profesor në Akademinë Kombëtare Kineze të Arteve, thotë se suksesi i filmit ka ndihmuar shumë të rinj të shoqërohen. Edhe pse ky format është i ri për shikuesit kinezë të kinemave, Zhi thotë se filma të ngjashëm që dokumentojnë ngjarje të njohura tashmë janë bërë një zhanër i rregullt jashtë shtetit.

Për shembull, Japonia ka prezantuar shfaqjet ODS (Other Digital Stuff) që nga viti 2005, të cilat paraqesin versione të regjistruara të shfaqjeve skenike, të tilla si Kabuki, muzikore dhe drama, si dhe regjistrime koncertesh dhe transmetime sportive.

“Kina ka më shumë se 80.000 ekrane në mbi 12.000 kinema, por shumica e vendeve mbeten të pashitura gjatë sezonit relativisht të ngadaltë të biletave.

Filmi i Swift mund të shërbejë si një shembull i mirë për operatorët vendas të kinemave që të mësojnë se si të tërheqin një audiencë më të madhe”,- thotë Zhi.

Sha Dan, kuratore në Arkivin e Filmit në Kinë dhe një kritike arti, e sheh popullaritetin e filmit si një sinjal për tregun kinez të filmit për të kërkuar një përparim në tërheqjen e brezit të lindur midis fundit të viteve 1990 dhe 2000.

Ai përmend gjithashtu se një nga shqetësimet kryesore në vitet e fundit ka qenë tendenca në rritje e audiencës së re për të ndjekur në platforma video të shkurtra në vend që të shkojnë në kinema.

“Nëse distributorët kinezë do të mund të importonin më shumë filma të tillë, tregu vendas do të bëhej më i larmishëm kulturalisht dhe kinematë mund të ringjallnin funksionet e tyre si vende për shoqëri dhe argëtim”,- thotë ai.