2024, Viti premtues energjitik për Shqipërinë
2024-01-19 11:09:13

Impiantet fotovoltaike (Foto RTSH)

Impiantet fotovoltaike (Foto RTSH)

Viti energjitik 2024 paraqitet shumë premtues, mbi bazën e rezultateve të vitit 2023. Gjatë vitit 2023, nuk folëm qoftë një ditë të vetme për vendosjen e fashës 800 kilovatorë për qytetarin dhe biznesin e vogël në Shqipëri. Korporata Energjitike Shqiptare (KESH) diti të drejtojë mirë kaskadën e Drinit, duke mbajtur në prodhim me kapacitet të plotë tre hidrocentralet shtetërore të Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit, të cilat japin mbi 60 përqind të prodhimit të energjisë elektrike në vend.

Nga prodhimi i mirë në kaskadë, deri në muajin nëntor 2023, KESH kishte arketuar rreth 41.5 milionë euro eksporte. Duke i shtuar të ardhurat e siguruara me 2 procedurat e fundit të eksportit në dhjetor 2023, kompania shtetërore eksportoi në total 46 milionë euro.

Tregues të tillë e kanë vendosur në pozita të favorshme KESH, pasi edhe shpenzimet për blerjen e energjisë nga importi, gjatë vitit 2023 rezultuan vetëm 49 milione euro. Kjo përfaqëson një vlerë mbi dhjetëfish më të ulët se ajo e vitit 2022, ku importet e energjisë elektrike kulmuan në 504 milionë euro.

Në Shqipëri, kërkesa për energji elektrike në të 12 muajt e vitit 2023 ra pak, për shkak të prodhimit të shtuar të paneleve diellore, të vendosura në shumë sipërmarrje private dhe në tarraca ndërtesash shtetërore.

Gjatë vitit të kaluar nisi funksionimin Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, ndërkohë që qeveria punoi fort në drejtim të efiçiencës së energjisë, duke ndihmuar rreth dy mijë familje shqiptare të ulin ndjeshëm faturën e konsumit familjar të energjisë. Eksperti i energjitikës  Inxh. Azmer Duleviç në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton situatën energjetike në Shqipëri gjatë vitit 2023 dhe pritshmëritë për këtë vit

 

Eksperti Inxh Azmer Duleviç në intervistë për CMG

Eksperti Inxh Azmer Duleviç në intervistë për CMG

CMG: Gjatë muajit dhjetor 2023. qeveria nuk vendosi fashë 800 kilovat-orë (KWh) mbi energjinë elektrike të qytetarëve dhe biznesit të vogël dhe duket se nuk do ta vendosë as për këto dy muaj të ftohtë janar-shkurt 2024. Pse, në gjykimin tuaj?

Azmer Duleviç: E para, kjo është një nismë shumë e mirë, që nuk  po aplikohet, ose nuk po diskutohet më pjesa e fashës prej 800 kilovat-orë.

Për një arsye shumë të thjeshtë. Ne jemi në dimër dhe e dimë që qytetarët e kanë konsumin më të madh të energjisë elektrike në këtë kohë. Një pjesë e familjeve mund ta tejkalonin këtë fashë dhe do të rëndoheshin nga ana ekonomike.

Në momentin që fasha nuk është aplikuar, në momentin që nuk është në diskutim, patjetër që është pozitive për qytetarët.

Dhe, nga situata në të cilën ne ndodhemi, duke qenë se gjendja hidrike paraqitet mjaft e mirë në kaskadat e  hidrocentraleve kryesore të vendit tonë, shtetërore apo private, nuk ka asnjë kuptim që të kemi një  fashë.

Fasha u lançua vitin e kaluar, pikërisht në momentin që përflitej për krizën elektroenergjitike. Ne nuk kemi krizë, çmimet janë përsëri të larta në bursë, por nuk janë siç ishin përpara një apo dy vitesh.

Pra, nuk ka kuptim që të  diskutohet pjesa e fashës dhe duhet ta them me plot gojën që qytetarët të jenë të qetë momentalisht. Siç duket situata, edhe në muajt në vazhdim nuk do ketë fashë dhe kërkesë për aplikim nga ana e Operatorit Shteteror të Energjisë  pranë ERE-s, për aplikim për vendosjen e fashës 800 kilovat-orë apo më shumë kilovat-orë.

CMG: Ndërkohë, kemi të dhëna nga INSTAT, por edhe nga burime të qeverisë, që konsumi i energjisë elektrike, edhe për këta muaj të ftohtë të dimrit, është ulur pak, në krahasim me dhjetorin e vitit 2022 dhe janarin e vitit 2023. A është kjo rezultat i shtimit të prodhimit vetjak të energjisë nga impiantet e paneleve diellore të biznesit, por edhe të ndërmarrjeve shtetërore?

Azmer Duleviç: Shumë e drejtë. Në kuadër të këtyre që ju thatë, unë nuk do i heq asnjë presje, por desha të shtoj diçka tjetër.

Përsa i përket pjesës se pse ka më pak konsum nga ana e qytetarëve dhe bizneseve, të mos harrojmë, duam apo nuk duam, humbjet janë ulur. Ndërhyrjet e paligjshme në rrjet gjithashtu jane ulur dhe kanë dhënë  impaktin e tyre pozitiv. Sa me pak te jenë ndërhyrje të paligjshme, aq energji kursehet.

Dhe pjesa tjetër, mos ta harrojmë, edhe këto fushatat sensibilizuese që kanë qënë vitin e kaluar kanë dhënë efekt. Fatkeqësisht janë ndalur këtë vit, por unë mendoj që duhet të jenë gjithmonë, në mënyrë që  qytetarët të sensibilizohen për pjesën e kursimit të energjisë elektrike.

Energjia elektrike është një mall që na përket të gjithëve. Të gjitha këto, të kombinuara, patjetër që do të ndikojnë  në më pak energji të marrë nga sistemi prodhues.

Eshtë shumë e vërtetë  që edhe impiantet fotovoltaike kanë dhënë impakt. Pra, e thënë thjesht, po japin më shumë energji , më shumë energji në sistem dhe madje, kilovat-orët e parë kanë ardhur edhe nga Karavastaja në Fier.  

Kanë filluar t’i hedhin në rrjet. Eshtë në fazën e testimit, në fakt, por  patjetër do të ketë impakt pozitiv, përsa i përket sistemit elektroenergjitik.

Pasqyra tjetër, e prodhimit nga familjaret, autokonsumatorët, lë pak për të dëshiruar, pasi jemi në përqindje shumë të vogël. Janë vetëm 1,027 abonentë, që, me paratë e tyre, kanë vendosur panele fotovoltaike për autokonsum. Në këndvështrimin tim, kjo duhet të nxitet dhe duhet të mbështetet edhe nga ana financiare, përsa i përket vendosjes së paneleve fotovoltaike.  Në fund të fundit,  kjo do të kthehet pas disa vitesh, në më pak energji të marrë nga rrjeti.

 

CMG: Në analizën vjetore për vitin 2023, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës njoftoi se edhe për këtë vit, Agjencia e Efiçiencës së Energjisë do të lëshojë një thirrje për 2 mijë aplikime të tjera për konsumatorët, që ata të kursejnë energjinë, duke instaluar njësi të ngrohjes së ujit, përmes paneleve diellore, me subvencion 70 përqind nga shteti. Gjykimi juaj, ju lutem. 

Azmer Duleviç: E para, do të bëjmë një ndërhyrje, sepse e kam parë edhe në mediat e tjera. Ka një paqartësi tek qytetarët. Bëhet fjalë që kjo nismë do të jetë 2 mijë aplikime, siç ishin 3 mijë vitin e kaluar, që u janë dhënë qytetarëve.

Në fakt, u janë dhënë qytetarëve për panele diellore sanitare për ngrohjen e ujit, dhe jo për panele fotovoltaike. Kjo, ngaqë paneli fotovoltaik është panel që gjeneron energji elektrike. Shumë qytetarë duhet ta kuptojnë këtë dhe është shumë e rëndësishme.

Panelet diellore janë vetëm për ngrohjen e ujit, por përkthehen në kursim energjie, pasi nuk vendos boilerin në banesë, për ngrohjen e ujit, por e ngroh nga dielli, e ke falas.

CMG: Është folur për 25-30 përqind kursim.

Azmer Duleviç: Po, patjetër që është kursim, për ata qytetarë apo familje që kanë mundësi. Në pallat nuk kanë ku ta vendosin, sepse në ballkon nuk e vendos dot. Kjo është më tepër për zonat rurale, ose shtëpi private, jo pallate. Pra, kush ka ambjente, është një nisëm shumë e mirë. Por dy mijë aplikime janë shumë pak.

Në mars të vitit 2023 u fol që do të ishin njëzet mijë, por nga mungesa e likuiditetit dhe nga pjesa e buxhetit, nuk u akordua. Megjithate, është praktikë e mirë, që besoj se duhet të vazhdojë vit pas viti.

Seicili qytetar që ka mundësi duhet të aplikojë. Ka një rregull, se kush aplikon i pari merr shërbimin e parë dhe patjetër që kjo do të ndikojë në efiçiencën energjtike dhe në kursimin e energjisë që merret nga rrjeti.

CMG: Në hidrocentralin e Vaut të Dejes, qeveria po përpiqet të realizojë një park energjitik të integruar, ku prodhimi i energjisë elektrike përftohet jo vetëm nga uji që rrjedh nga hidrocentrali, por edhe nga impantet fotovoltaike, të vendosura mbi sipërfaqen e digave ose mbi ujin e liqenit të hidrocentralit. Si e gjykoni si nismë?

Azmer Duleviç: E para, në hidrocentralin e Vaut të Dejës, kjo ka dy tre vite që është realizuar. Në faqen e kaskadës, janë vendos rreth 2 mega të instaluar që prodhojnë energji elektrike dhe pozicioni është fantastik, sepse i kap rrezet e diellit gjatë gjithë kohës dhe unë kam qënë vetë me studentët. I kam çuar për vizitë mësimore dhe e kam parë nga afër se si funksionon.

Patjetër është një kombinim i mirë, Krahasuar me fuqinë e instaluar të hidrocentralit të Vaut të Dejes, është jashtëzakonisht  shumë i vogël, por përsëri jep një impakt.

Ne kemi rastin nga hidrocentralet private të Staatkraft, ku kanë vendosur panele pluskuese. U bënë disa vite që prodhojnë energji elektrike. E njëjta filozofi po vijon të ndiqet nga ana e hidrocentraleve shtetërore.

Duke u bazuar tek shembujt privatë, patjetër që kjo do të japë një impakt pozitiv, për pjesën e kombinimit të prodhimit të energjisë elektrike.

Ajo çfarë dua të shtoj më tepër, e kam në formën e sygjerimit, duhet pare edhe mundësia për pjesën e kthimit mbrapsht të ujit, ose sistemin e pompimit të hidrocentraleve. Kjo na del me leverdi, të paktën për hidrocentralet shtetërore.  Ka një investim fillestar, por  kthehet investimi në një kohë shumë më të shkurtër, se sa vetë investimi.

 

Energjia elektrike (Foto Shqiptarja.com)

Energjia elektrike (Foto Shqiptarja.com)

CMG: Qeveria deklaroi këto ditë se ka dhënë miratim përfundimtar për 64 parqe fotovoltaike me fuqi të instaluar 603 MWh dhe 13 parqe eolike me fuqi 37 MWh. Jemi në rrugën e duhur në diversifikimni e burimeve të energjisë?

Azmer Duleviç: Kjo është një çështje pozitive. E kanë të gjitha vendet europiane. Sytë nga energjia e rinovueshme i kanë, për të mos patur vartësinë nga dalja për ta blerë në treg të lirë.

Pra, e prodhon vetë dhe ke atë pavarësinë ekonomike. Po, patjetër këto janë pozitive dhe besoj do te vazhdojnë  në vitet në vijim. Por, ka një problem që duhet parë në vazhdimësi përsa i perket rrjetit të transmetimit.

Po shtohen këto parqe dhe janë pozitive,  por a ka një studim sa mbajnë këto linja, sa janë kapacitetet transmetuese dhe sa mund të ketë sistemi i transmetimit?

Patjetër këtu kemi fokusin edhe nga ana e qeverisë dhe e institucioneve, qoftë Operatori Shtetëror i Energjisë(OSHE), qoftë Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ose Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), në shtimin ose zëvendësimin e linjave të transmetimit.

Kemi disa linja që janë të amortizuara, që kanë 35 vite pa u ndërruar. Dhe duhet të mos harrojmë sistemin e shpërndarjes, pra linjat fundore , transformatorët 6 mijë kilovolt. Jemi vendi unik dhe jemi të fundit në Ballkan, që kemi gjendje 11,016 copë transformatorë të tillë.

Këta duhen zëvendësuar me transformatorë modernë 20 mijë kilovolt. Që ta themi më thjesht për qytetarët, pra, që qytetarëve në banesa t’u shkojë tensioni 230 volt, dhe jo 160 volt, apo 180 volt. Tek e fundit, cilësia e furnizimit duhet të jetë më e mirë për qytetarët.

CMG: Ndërkohë, qeveria shton se ka në trajtim e sipër projekte për 49 parqe fotovoltaike, me 1,905 MWh fuqi të instaluar, pra janë parqe të përmasave më të mëdha, edhe pse më të pakta në numër nga ato të miratuara, pasi tregu mund të ketë një fuqi të re përthisëse. Ka po ashtu në trajtim e sipër 26 kërkesa-projekte për parqe eolike, të cilat i korrespondojnë 2,053 MWh fuqi e instaluar. A na japin shpresë këto shifra se Shqipëria po shkon për disa vite drejt kthimit në një vend eksportues neto të energjisë, sikurse është opinioni i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë me bazë në Vjenë?

Azmer Duleviç: Po, patjetër. Nëse do të vazhdohet kështu, me këto ritme, me këto fuqi të instaluara, patjetër do të ketë prodhim.

Pra, e thënë ndryshe, do të kemi teprica energjie. Këto teprica do të  shiten dhe do të arketohen për KESH. Për momentin, ne nuk mund të jemi fuqi, për të ardhmen do të shohim.

Por fokusi këtu duhet të jetë për çdo qeveri. Shqipëria është vend i bekuar. Pra, kemi hidrocentrale, kemi ditë me diell dhe jemi ndër vendet unike, pas Norvegjisë, që prodhojmë 98% të energjisë elektrike si energji e pastër.

Kjo na bën shpresëplotë që nuk do të kemi nevojë për termocentrale, për prodhimin e energjisë në të ardhmen. Dhe duke parë këto shifra, unë mendoj se duhet të ketë diskutim, nëse na duhet hidrocentrali i Skavicës në të ardhmen.

Nëse këto parqe fotovoltaike dhe eolike, me këto fuqi të instaluara, do të jenë funksionale në vitet në vijim, nuk është e nevojshme pjesa e Skavicës, por mbetet ecuria dhe interesi i investitorëve privatë. Janë shifra, që për nga ana ekonomike flitet për dhjetra e qindra miliona euro investime. Këtu stepet pak pjesa e invetitorëve.

Pra, duhet parë edhe politika në vitet e ardhshme, të paktën për të lehtësuar barrën fiskale, kur investohet  në sistemin elektroenergjitik. Kjo, pasi kur flasim për këtë sistem, nuk bëhet fjalë për 1, 2 ose 3 vite, por për 20-25 vitet në vijim. Energjia elektrike ka të bëjë me sigurinë elektroenergjitike të vendit. Nuk është një mall sot për nesër. Të gjitha këto na çojnë në një drejtim, që ne  të jemi të pavarur dhe të kemi siguri elektroenergjitike për qytetarët dhe  bizneset në vendin tonë.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli