Fitim Nuhiu ( foto personale)
Fitim Nuhiu punon profesor i gjuhës dhe letërsisë angleze në Preshevë. Ai është themelues i grupit letrar “Lexo”, që funksionon në kuadër të Shkollës Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë. “Ç’njerëz” është libri i tij i parë, në të cilin shtjellon raportet e sotme njerëzore me një stil unik dhe është mirëpritur nga lexuesit. Fitim Nuhiu ka botuar vëllimin me poezi “Vdekja është femër” (2023), ku ka përshkruar përjetimet dhe ndjenjat e tij, një gjeografi përshkruese e ndërthurjes mes shpirtërores dhe materiales, një mishërim dyshimesh, pikëpyetjesh, hamendësimesh të tij, ku shtron dilemën për fatin e njeriut dhe njerëzores. Në këtë vëllim poetik është përfshirë edhe poezia e tij “Çaste lumturie”, e shpërblyer me çmimin e dytë në konkursin e poezisë në Ferizaj më 2020.
Misioni im është që njerëzve t’ia bëj të ditur se vetëm letërsia është ajo që mund të na bëjë njerëz të mirë dhe të vetërealizuar, thotë ai për Radio Ejani
CMG: Fitim, nëse do të duhej të ishe përballë një pasqyre, çfarë do të shikoje si reflektim tek vetja?
Fitim Nuhiu: Do të shihja një njeri që do të më bënte të mendoja sesi të nxirrja më të mirën nga vetja dhe t’ia jap të tjerëve.
CMG: Si ka qenë marrëdhënia juaj me librin që në vogëli?
Fitim Nuhiu: Nuk kam lexuar kushedi sa shumë libra, megjithatë kam pasur fatin që babai im ka qenë profesor në shkollë dhe më sillte ndonjë libër, e kjo më ka lehtësuar qasjen time dhe admirimin drejt librit.
CMG: Kush ka qenë njeriu i parë që i ka lexuar librat tuaj?
Fitim Nuhiu: Kam qenë me fat që librat e mi i ka lexuar fillimisht poeti, shkrimtari Shkëlzen Halimi, i cili tani drejton gazetën kulturore dhe elektronike Hejza. Ai më ka motivuar që t’i botoja, sepse sipas tij, kanë brumë letrar që duhen botuar doemos. Kjo mua disi më jepte krahë për të fluturuar. Modestisht e them këtë, më jepte kurajo, duke u nisur nga vlerësimi im për të, sepse poeti në fjalë është kritik i ashpër kundrejt poetëve të rinj që janë të shumtë sot, e që mendon se nuk janë të denjë për t’u quajtur poetë.
CMG: Cili është misioni juaj si autor ?
Fitim Nuhiu: Ah, misioni! E vështirë ta thuash, por do ta thjeshtëzoj: misioni im është që njerëzve t’ia bëj të ditur se vetëm letërsia mund të na bëjë njerëz të mirë dhe të vetërealizuar.
CMG: A është e vështirë të jesh autor në diasporë ?
Fitim Nuhiu: Jashtëzakonisht shumë e vështirë, të gjitha “punët” duhet t’i bësh vetë, ka momente që ndjehesh si një tregtar që tregton me “mallin” tënd se si ta dërgoj aty-këtu për ta lexuar, jo për ta shitur. Te pjesa komerciale çaloj shumë, nuk di të bëj matematikat siç duhet, nuk kam shitur dhe as që do të shes ndonjëherë. Librat i jap falas miqve, lexuesve që dinë të vlerësojnë letërsinë, thjesht dua që të lexohen sa më shumë poezitë e mia. Kjo është e vështirë në diasporë sepse s’ke mekanizmat që mund të të përkrahin, nuk ke rrethin e duhur letrar që të bën të ndjehesh komod, ndryshe nga ajo që shohim në Shqipëri.
Fitim Nuhiu ( foto personale)
CMG: Nëse do duhej të flisje për një moment sfidues gjatë karrierës suaj, cili ka qenë ?
Fitim Nuhiu: Meqë jam i ri në moshë, s’do të thoja që ka qenë kushedi se sa sfidues, por kur kërkova të promovoja librin tim me poezi në një ambient dhe më kërkuan një shumë goxha të madhe, vetëm për ambientin më bëri të ulja kokën e të vazhdoja punën time aq sa mundem, e të mjaftohesha me thënien “Shyqyr që kemi hapësirën falas në rrjetet sociale dhe elektronike!”
CMG: Ju ushtroni edhe detyrën si mësues, si gërshetohet kjo me letërsinë?
Fitim Nuhiu: Ka lidhshmëri të lloj-llojta. Para afro 3 viteve kam themeluar grupin letrar “Lexo” në kuadër të shkollës ku punoj dhe kam dy nëngrupe që zgjedhim libra letrarë për moshat e tyre përkatëse dhe i diskutojmë. E veçanta e këtij grupi letrar është liria e shprehjes, e gjykimit, e perceptimit se si e shohin një libër nga këndi i tyre dhe nuk kërkoj ndonjë kronologji të ngjarjes për ta shpjeguar, por thjesht u them: të diskutojmë vetëm ato gjëra që juve ju kanë bërë përshtypje! Nxënësit ndjehen të çliruar, dhe mendoj se kështu edhe mund të funksionojë që ata të duan librat letrarë, sepse nuk ndjehen të shtrënguar për gjëra që do të thonë.
CMG: A ka momente kur ti ndihesh i bllokuar pra si vjen tek ju bllokimi i shkrimtarit?
Fitim Nuhiu: E thjeshtë, nuk më del asnjë fjali, asnjë frymëzim s’më viziton, ndoshta për shkak të jetës monotone e rutinore, që ndonjëherë mund të bëj. Kot nuk thonë se rutina s’është për artistët.
CMG: Libri “Ç’njerëz”, çfarë ka në thelbin e vet?
Fitim Nuhiu: Tani kur e mendoj ndjehem i turpëruar, se si kam guxuar t’i drejtohem publikut (lexuesve) me “predikime” morale, por ka gjëra që të bëjnë të mendosh për brendësinë njerëzore, për shpirtin e sotëm të njeriut. Në këtë libër kam tentuar të bëj një himn për njeriun, për njerëzoren e humbur. Libri kryekëput fokusohet rreth denoncimit të njerëzve të sotëm, rreth ligësive që ata mbartin, rreth raporteve të çuditshme mes njëri-tjetrit, hipokrizinë. Shtrohet pyetja kujt po ia denoncon këtë denoncim, cilit autoritet? Përgjigja është: ndërgjegjes njerëzore, po i drejtohem njerëzve intelektualë, që të rimendojmë bashkarisht dimensionin e shpirtit të sotëm njerëzor se për ku është nisur...
Titulli është paska intrigues: “Ç’njerëz”, që ka dy kuptime: kuptimi i parë bën pyetjen se çfarë lloj njerëzish janë këta njerëzit e sotëm dhe vjen përgjigja: këta s’janë njerëz, por janë çnjerëz...
CMG: Çfarë fenomeni të shqetëson më shumë në shoqëri, që ti më pas ke zgjedhur që të shkruash ?
Fitim Nuhiu: Siç e ceka më lart, më shqetëson njerëzorja që ka humbur mes njerëzve. Më neverit hipokrizia, që na është bërë si një modë që presin radhën për ta veshur gjithsecili prej nesh, përndryshe rezulton në demode.
CMG: A është jeta një luftë e përditshme për të arritur qëllimet dhe synimet tuaja?
Fitim Nuhiu: Sigurisht. Fjalën tuaj - luftë do ta quaja sfidë, që them se shyqyr që e kemi, se pikërisht është ajo që na dallon se çfarë jemi dhe çfarë kemi brenda vetes.
CMG: Libri “Vdekja është femër” ku fokusohet ?
Fitim Nuhiu: Është libër me poezi. Ky vëllim me poezi është mishërimi i asaj që kam përjetuar dhe kam ndjerë, një gjeografi përshkruese e ndërthurjes mes shpirtërores dhe materiales, një mishërim dyshimesh, pikëpyetjesh, hamendësimesh, mund të them edhe një hutim, një rrugë e pagjetur që vazhdimisht jam në kërkim të së vërtetës edhe domosdoshmërisht duhet gjetur ajo rrugë dhe ngris dilemën mes rreshtash për fatin e njeriut dhe njerëzores se për ku është drejtuar...?!
Libri i Fitim Nuhiut ( foto personale)
CMG: Pse ky titull?
Fitim Nuhiu:Me ta parë titullin mendoj që provokohen dhe neveriten gjinia femërore, por është krejt e kundërta e asaj që të jep pështypjen e parë. Vdekja, femra, dashuria janë tema që s’mund t’u ikë asnjë poet/e gjatë karrierës së tij/saj letrare. Pikërisht kam menduar që të bëj një thurje poetike që të ngjall mendimin (imagjinatën) tek lexuesi im.
Vdekja është ajo e vërteta, ajo gjëja e fortë që me të vetëm femra që mund të përballet, në dyluftim. Mashkulli në këtë pikë është jashtë loje plotësisht, ai nuk e ka këtë forcë që femra e ka. Më pëlqen provokimi, sepse nxit debatin dhe si rezultat dalin disa të vërteta që heshten me ose pa të drejtë...
CMG: Çfarë do i rekomandoje lexuesit që lexon librat e tu?
Fitim Nuhiu: Duke u nisur nga thënia e Çehovit: “Roli i artistit është të ngrejë pyetje, jo të japë përgjigje”, synoj që lexuesit e mi pasi kanë lexuar librat e mi, të kenë më shumë pyetje, të mendojnë më thellësisht për jetën e tyre, për atë që njeriu ka (fsheh) brenda vetes dhe i rekomandoj në njëfarë mënyre që të shkëlqejnë në atë se çfarë janë e çfarë kanë. Thjesht, do t’i thoja: lexoni në shumë kuptime, me shumë ngjyrime ato që shkruaj, sepse ka edhe një të vërtetë tjetër, që lexuesi është shumë i rëndësishëm. Lexuesi mund të shohë diçka më shumë që edhe autorit i ka ikur ndonjë detaj, sepse frymëzimi vjen edhe nga nënvetëdija dhe shkrimtari kur shkruan ndodh që nuk është i vetëdijshëm ndonjëherë. Prandaj me të drejtë një autor thotë, që: lexuesi është vazhdimësi e shpirtit krijues të autorit, me një fjalë plotëson atë shpirt krijues dhe kjo kimi është ajo pjesa e rëndësishme që një autor shkruan.
CMG: Si e gjen veten tek poezia ?
Fitim Nuhiu: Shpesh e mendoj, po të mos ishte letërsia (kupto poezia), jeta do të ishte një ferr i vërtetë, një jetë e mjerë, e zymtë, e mangët. Poezia është e tërë jeta ime. Ajo është kryekëput mishërimi im, ngushëllimi im, forca ime, që më jep krahë të fluturoj aty ku këmbët nuk më shpien dot.
CMG: Cilat janë pritshmëritë tuaja për 2024, a na presin punime të tjera ?
Fitim Nuhiu: Kam filluar të shkruaj librin e dytë me poezi, por ecën ngadalë dhe më bëhet qejfi për këtë gjë.
Intervistoi Megi Latifi