(Foto nga Portali shkollor Albas)
Kalendarit festiv të Shqipërisë që nga java e kaluar i është shtuar një tjetër festë zytare 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Lajmi u njoftua nga ministri i jashtëm Igli Hasani, i cili theksoi për mediat se propozimi do t’i bëhet Kuvendit të Shqipërisë. Numri i festave zyrtare tani shkon në 15, një ditë më shumë pushimi për administratën publike. Ministri Hasani theksoi se 22 Nëntori ka një simbolikë të veçantë, si dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve.
“Këshilli i Ministrave sapo miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore. Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është një ditë me simbolikë të veçantë, 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin. E kemi marrë këtë iniciativë, bazuar në diskutimet që kemi patur pas Samitit të Diasporës. Kryeministrimi i Shqipërisë e njoftoi në prani të të gjithë përfaqësuesve të Diasporës Shqiptare, por duke patur parasysh edhe faktin që ky vit 2024, është një vit shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët në rajon, ku Shqipëria shpreson që të ketë një rrugë sa më të qartë e sa më të shpejtë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe ata të Kosovës, Preshevës apo të Malit të zi, janë në procese të rëndësishme përfaqësuese dhe integruese”.
Ministri i jashtëm Igli Hasani (Foto nga instagrami i Kryeministrisë)
Kryediplomati shqiptar tha se së bashku me Ministrinë e Arsimit është përgatitur një kalendar i rëndësishëm eventesh për vitin 2024 të lidhura me gjuhën shqipe.
Në Kongresin e Manastirit 22 nëntori është shënuar Dita e Alfabetit Shqip, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave, duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë Kongres. Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.
Me këtë vendim të qeverisë kalendarit të festave zyrtare iu shtua edhe Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe me 22 nëntor. Kështu numri i festave zyrtare në vend shkon në 15 të tilla, në të cilat Administrata Publike do të jetë pushim në 2024-ën. Në total bëhen 142 ditë pushimi për punonjësit e administratës publike duke marrë parasysh të shtunat, të dielat dhe pushimet vjetore.
Pjesëmarrësit në Kongresin e Manastirit (Foto Albas)
Kalendari i festave zyrtare në Shqipëri për vitin 2024
01 janar 2024 Festat e Vitit të Ri
02 janar 2024 Festat e Vitit të Ri
14 mars 2024 Dita e Verës
22 mars 2024 Dita e Nevruzit
31 mars 2024 E diela e Pashkëve Katolike*
10 prill 2024 Dita e Bajramit të Madh**
01 maj 2024 Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve
05 maj 2024 E diela e Pashkëve Ortodokse*
16 qershor 2024 Dita e Kurban Bajramit**
05 shtator 2024 Dita e Shenjtërimit të Shenjt Terezës
22 nëntor 2024 Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
28 nëntor 2024 Dita Flamurit dhe e Pavarësisë
29 nëntor 2024 Dita e Çlirimit
08 dhjetor 2024 Dita Kombëtare e Rinisë
25 dhjetor 2024 Festa e Krishtlindjeve.
Sava Lena