Përparimi i klasikëve kinezë në Turqi
2024-01-18 10:07:36


Foto nga VCG

Giray Fidan, një ekspert turk për gjuhën dhe historinë kineze në Universitetin “Haci Bayram Veli” në Ankara, është i përkushtuar për të prezantuar kulturën kineze të paqes te një audiencë turke në zgjerim, e etur për të kuptuar mënyrën e të menduarit kinez.

Falë ekspertizës së Fidan, libri kinez mbi strategjinë ushtarake, “Arti i luftës”, i shkruar nga Sun Tzu, mbi 25 shekuj më parë, është bërë një bestseller në Turqi.

Qëkur Fidani dhe kolegët e tij përkthyen librin e famshëm nga kinezishtja klasike, në vitin 2014, ai ka pasur 25 ribotime. Publikimet e mëparshme mbështeteshin në përkthimet nga anglishtja ose frëngjishtja.

Në Turqi, ku shitja e mbi 100.000 kopjeve të një libri konsiderohet gjerësisht një sukses i jashtëzakonshëm, “Arti i luftës” ka shitur mbi 400.000 kopje në nëntë vjet.  Fidan ia atribuon suksesin e librit në Turqi rëndësisë së qëndrueshme të filozofisë së paqes të Kinës, duke pohuar se ai mbetet një ideal i vlefshëm njerëzor si në kohët bashkëkohore ashtu edhe në ato të lashta.

 “Arti i luftës” pasqyron mençurinë kineze. Në të thuhet se konflikti nuk është i nevojshëm, nëse nuk është i pashmangshëm. Bota është mjaft e madhe për të gjithë dhe ne mund të kemi një rrugë paqësore. E ka vërtet titullin “Arti i luftës”, por argumenti kryesor është shmangia e luftës. Një strateg apo gjeneral i suksesshëm duhet ta shmangë luftën kur është e mundur”,- thotë ai.

Foto nga VCG

Sipas sinologut turk, klasikët kinezë janë të çmuar dhe një trashëgimi e përbashkët e njerëzimit. Ai thekson interesin e konsiderueshëm të lexuesve turq, të etur për të kuptuar filozofinë dhe mënyrën e të menduarit kinez.

Fidan thotë se ka përkthyer një gamë të gjerë veprash kineze që nga “Arti i Luftës”. E fundit është “Zhen Guan Zheng Yao” (Elementet thelbësore të qeverisjes), e cila u botua në dhjetor 2023 dhe tregon për interesin në rritje për kulturën kineze midis turqve.

Suksesi ekonomik i Kinës në dekadat e fundit dhe hapja e saj kanë ofruar mundësi të mëdha për njerëzit anembanë globit, përfshirë edhe Turqinë, për të mësuar gjuhën dhe kulturën kineze, thotë Fidan.

“Jo vetëm në Turqi, por ka një interes të madh për Kinën në të gjithë botën, nga Evropa në Shtetet e Bashkuara”,- thotë ai, duke treguar se shumë më tepër njerëz po mësojnë kinezisht për të rritur njohuritë e tyre të përgjithshme. Sipas tij, kjo ndodh pasi ata mendojnë se është një investim i rëndësishëm për të ardhmen e tyre.

Me vendosjen e marrëdhënieve strategjike të bashkëpunimit Kinë-Turqi në vitin 2010, bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor midis dy kombeve ka lulëzuar.  Iniciativa e propozuar nga Kina “Një brez, një rrugë” është bërë gjithashtu një mjet i bashkëpunimit të gjerë shumëpalësh midis dy vendeve.

Universiteti ku punon Fidan i është përgjigjur interesimit në rritje të të rinjve turq për kulturën kineze, duke ofruar për herë të parë këtë vit një diplomë në gjuhën kineze.  Klasa është plot 100 për qind, thotë i emocionuar sinologu, duke theksuar se sipas tij kjo tregon se sa interes ka në Turqi për të mësuar kinezisht dhe për të zbuluar historinë dhe kulturën e Kinës.