Interpretuesi i njohur i operës Jin, Wu Lingyun (në mes) / foto nga CFP
Operat kineze kanë marrë një tjetër dimension përmes rrjeteve sociale. Interpretuesit e tyre janë mahnitur nga audienca e re që e përqafon këtë zhanër muzikor. Përmes videove dhe transmetimeve të drejtpërdrejta në platformat sociale, ata kanë filluar të zgjojnë interesin e të brezit të ri dhe të tërheqin gjithnjë e më shumë të rinj të interesuar tashmë për operën. Kërkimi për fjalët kyçe “opera kineze” në aplikacionin e shkurtër video “Douyin” shfaq gjithashtu video të panumërta, shumë prej të cilave kanë marrë mbi një milion pëlqime.
Disi skeptik në fillim, interpretuesi i njohur i “Jin Opera”, Wu Lingyun, u fut në transmetim të drejtpërdrejtë në vitin 2020, kur shfaqjet skenike u kufizuan për shkak të pandemisë Covid-19. Për habinë e tij, ai nuk e kishte parashikuar që ky art tradicional, me një histori mbi 200-vjeçare, të magjepste një audiencë kaq të madhe.
“Në fillim hezitova të nisja transmetimin e drejtpërdrejtë, por përgjigjja nga përdoruesit e rrjeteve sociale ndryshoi mendimin tim për këto platforma”,- tha artisti 59-vjeçar nga Taiyuan, kryeqendra e provincës Shanxi të Kinës veriore.
Shfaqja e operës Jin / foto nga CFP
Në transmetimin e parë të drejtpërdrejtë, që zgjati mbi dy orë, Wu dhe familja e tij, të gjithë interpretues të suksesshëm të “Jin Opera”, prezantuan fragmente nga pjesët klasike të Operës Jin. Ata ndanë gjithashtu njohuri dhe histori interesante rreth operës, duke mbledhur rreth 50.000 shikues.
“Më vjen mirë që shoh se ka kaq shumë njerëz që pëlqejnë operën tradicionale”,- tha Wu, i cili tani ka mbi 40.000 ndjekës në rrjetet sociale.
Kina është shtëpia e disa qindra zhanreve të operave lokale, disa me rrënjë historike që shtrihen në shekuj. Megjithatë, në dekadat e fundit, tërheqja e tyre për të rinjtë është zvogëluar disi me popullaritetin e gjerë të internetit që ofron forma të ndryshme argëtimi. Por, edhe kjo ka rezultuar të jetë një bekim. Falë mediave sociale, interpretues si Wu kanë qenë në gjendje të lidhen me më shumë të rinj. Disa artistë madje kanë përfshirë elementë të muzikës pop, ndërthurje dhe forma të tjera arti në operat tradicionale.
Duke kujtuar momentin kur u dashurua për herë të parë me operën tradicionale, 22-vjeçarja Hong Feinan tha gjatë ndërveprimeve në mediet sociale se kur dëgjoi një fragment të “Exploring the Clearwater River”, një opera popullore në Pekin, asaj iu ndez menjëherë interesi për operën.
“Toni i operës nuk është i njëjtë me atë të muzikës që dëgjojmë sot, por ajo ka hijeshinë e saj unike”,- tha ajo.
Në mënyrë të ngjashme, 25-vjeçari Lin Yuanxin shpjegoi se magjepsja e tij me operën tradicionale e kishte origjinën nga videot e shkurtra në mediat sociale.
“Dikur besoja se opera ishte ekskluzivisht për brezin e vjetër, por pasi pashë videon, e pashë të ishte mjaft intriguese dhe padyshim jo siç e kisha perceptuar fillimisht”,- tha ai.
Shfaqja e operës Yue/ foto nga CFP
Në rrjetin social të njohur kinez “Sina Weibo”, tema “Sa mahnitëse është opera kineze” është lexuar 26.32 milionë herë dhe ka ngjallur 18.000 diskutime.
Kërkimi për fjalët kyçe “opera kineze” në aplikacionin e shkurtër video “Douyin” shfaq gjithashtu video të panumërta, shumë prej të cilave kanë marrë mbi një milion pëlqime.
Kohët e fundit, shfaqjet e Chen Lijun, një aktore e re e “Operës Yue”, fituan vëmendje të gjerë në “Douyin” kur ajo portretizoi një personazh mashkull.
Deri në fund të vitit 2023, shfaqja e saj ishte vënë në skenë mbi 140 herë, me 70 për qind të audiencës, kryesisht të rinj, që nuk ishin ndjekës të rregullt të operës tradicionale. Transmetimi i parë i drejtpërdrejtë i performancës në mediat sociale mblodhi më shumë se 9 milionë shikime dhe mbi 14.000 komente.
Interpretuesja e re e operës Yue, Chen Lijun / foto nga "Douyin"
Integrimi i platformave kineze të operës dhe videove të shkurtra, në fakt, filloi disa vite më parë. Në vitin 2021, fitimet e prezantuesve në “Douyin” të specializuar në kulturën tradicionale dëshmuan një rritje të jashtëzakonshme prej 101 për qind në baza vjetore, ndër të cilat prezantimet e operës patën rritje të të ardhurave të tyre me 232 për qind në baza vjetore, mesatarisht 3719 postime në ditë.
Sipas Zhang Yiwu, profesor i studimeve kulturore në Universitetin e Pekinit, transmetimi i drejtpërdrejtë në mediat sociale ofron një shans që operat relativisht të veçanta të arrijnë një audiencë më të madhe.
“Është bërë trend promovimi i kulturës tradicionale përmes videove të shkurtra dhe transmetimeve direkte”, tha ai, duke shtuar se ka ende një potencial masiv të pashfrytëzuar në këtë fushë.