Kina do t'i ofrojë Irlandës heqjen e njëanshme të vizave
2024-01-18 13:19:04

Foto nga Xinhua

Kina do të zbatojë politikën e heqjes së njëanshme të vizave për Irlandën për të lehtësuar shkëmbimet e personelit ndërmjet të dy vendeve, tha të mërkurën kryeministri kinez Li Qiang gjatë takimit me homologun e vet irlandez Leo Varadkar në Shtëpinë "Farmleigh", shtëpinë zyrtare të pritjes së mysafirëve shtetërorë në Irlandë. 

Li bëri një vizitë zyrtare në Irlandë nga e marta deri të mërkurën. 

Kina dhe Irlanda duhet të synojnë përfitimet e ndërsjella dhe ta konsiderojnë gjithmonë njëra-tjetrën si partnere kryesore bashkëpunimi dhe si mundësi zhvillimi, vuri në dukje kreu i qeverisë kineze.

Ai i nxiti të dy palët të zgjerojnë tregtinë, të forcojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si zhvillimi i gjelbër dhe me karbon të ulët, bujqësia e qëndrueshme e financat dhe të zgjerojnë bashkëpunimin në ekonominë digjitale, biomjekësinë dhe inteligjencën artificiale. 

Kina shpreson që Irlanda do të sigurojë një mjedis të hapur, të drejtë e jodiskriminues biznesi për kompanitë kineze, theksoi kryeministri kinez. 

Nga ana e tij, Varadkar tha se Irlanda vlerëson arritjet e mëdha të Kinës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, zbaton gjithmonë parimin e "Një Kine" dhe shpreson se Kina do të arrijë ribashkimin paqësor sa më parë.

Irlanda është e gatshme të zgjerojë investimet e dyanshme me Kinën, u shpreh ai, duke bërë thirrje për më shumë bashkëpunim në bujqësi, krijimin e risive dhe zhvillimin e gjelbër.