Covid/ OBSH: Virusi ende nuk është zhdukur
2024-01-18 17:55:08

Foto nga VCG

Të paktën 1.4 milionë jetë janë shpëtuar në Europë falë vaksinave kundër Covid-19, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke ripërsëritur se virusi ende nuk është zhdukur.

Në rajonin europian të OBSH-së, ku përfshihen 53 shtete, janë regjistruar 277.7 milionë raste me Covid dhe mbi 2.2 milionë vdekje, sipas të dhënave më të fundit, që datojnë dhjetorin e vitit 2023.

“Rreth 1.4 milionë njerëz në rajonin tonë, shumica të moshuar, po e shijojnë jetën me më të dashurit e tyre për shkak se u vaksinuan kundër Covid-19”, tha drejtori për Europën në OBSH, Hans Kluge, duke theksuar se vetëm doza e parë vlerësohet se ka shpëtuar 700.000 jetë.

Kluge tha se është thelbësore që njerëzit të mbrohen gjatë dimrit, sidomos ata që janë më të cenueshëm, shkruan “Panorama”.

“Teksa ne mësohemi të jetojmë me Covid-19 dhe me viruset e tjera që prekin organet e frymëmarrjes, është absolutisht thelbësore që popullata, që është më e cenueshme, të vaksinohet edhe kundër gripit sezonal”,- tha ai.

Ai insistoi që Europa duhet të vazhdojë të investojë në sistemet e kujdesit shëndetësor. Kluge tha se duhen po ashtu më shumë fonde për të adresuar çështjen e mungesës së punëtorëve shëndetësorë dhe furnizimeve me ilaçe thelbësore. (Elona)