Davos, kryeministri kinez: U realizuan objektivat ekonomikë për 2023-shin
2024-01-18 20:03:14

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Njësoj si vendet e tjera kryesore të botës, më 2023 edhe ekonomia e 2-të më e madhe në botë ka pasur sfida të ndërlikuara, që u krijuan nga ndryshimet e gjendjes ndërkombëtare. Në fillim të vitit 2023, Kina deklaroi heqjen e kontrollit antiepidemik, duke filluar procesin e vet të mëkëmbjes së gjithanshme ekonomike.

Deklarim përpara botës në Davos

Këtë javë në Zvicër, kryeministri kinez Li Qiang theksoi në forumin e Davosit 2024 që ekonomia kineze në vitin 2023 ka pasur mëkëmbje të shëndetshme dhe parashikohet që rritja e GDP-së është rreth 5.2% (shifër kjo që u konfirmua nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës më 17 janar), duke qenë mbi nivelin e parashikuar.

Foto nga CMG

Foto nga CMG

Në Davos ishin të pranishëm edhe liderët e vendeve kryesore të zhvilluara dhe në zhvillim të botës, të cilat kanë pasur rezultate të ndryshme ekonomike në vitin e kaluar. Sipas vlerësimeve nga FMN-ja, në vitin 2023 rritja e GDP-së së ekonomive të zhvilluara është 1.5 % dhe e tregjeve të reja 4 %. Eurozona parashikohet të ketë një rritje rreth 0.7 %. Faktikisht, ekonomitë kryesore në BE kanë pasur paraqitje të ndryshme: Gjermania ka pësuar ulje me -0.3 % (Statistikat Kombëtare Gjermane), Italia shënoi rritje me 1.2 % (OECD), ndërsa GDP-ja e Francës është rreth 1% (sipas countryeconomy.com).

Nga këto shifra, mund të shohim që, në krahasim me ekonomitë kryesore europiane, ekonomia kineze e ka tejkaluar periudhën e vështirë dhe kjo rritje është një sinjal i dukshëm për mëkëmbjen e vazhdueshme të saj.

Rriten shpejt prodhimet bujqësore e industriale

Bujqësia dhe industria janë dy shtylla bazë për zhvillimin ekonomik. Me masa të shumta nxitëse dhe me drejtim të qartë nga qeveria qendrore, bujqësia dhe industria kineze në vitin 2023 kanë realizuar rritje të shpejtë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës, në vitin 2023, prodhimi i përgjithshëm i drithërave arriti në 695 milionë e 410 mijë tonë, që është 8.88 milionë tonë ose 1.3 % më shumë se një vit më parë.

Në krahasim me vitin 2022, më 2023 vlera e shtuar industriale e Kinës ka shënuar rritje me 4.6 %, sektori i prodhimit u rrit 5 % dhe prodhimi e furnizimi i energjisë elektrike, energjisë termike, gazit natyror dhe ujit u shtua me 4.3%. Ndërkohë, sektori i prodhimit të pajisjeve pati një rritje 6.8%.

Ndër to, produktet kryesore, si bateritë diellore, makinat me energji të reja dhe grupet e gjeneratorëve dhe pajisjeve të prodhimit të energjisë patën përkatësisht rritje prej 54 %, 30.3 % dhe 28.5 %

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Nxitësit e rinj në tregti

Si një ndër tre motorët kryesorë të rritjes ekonomike, tregtia ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kinës prej shumë vjetësh.

Vitet e fundit, tregtia ndërkombëtare ka pësuar luhatje të shumta dhe tregtia kineze po përballon një gjendje të re.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Në vitin e kaluar, tregtia e jashtme e Kinës ka pasur ndikime të shumta nga gjendja e jashtme dhe arritja e një rezultati me rritje të qëndrueshme dhe me zhvillim cilësor është vërtet një punë e vështirë,” u shpreh zv.drejtori i Administratës Shtetërore të Doganave të Kinës, Wang Lingjun.

Sipas të dhënave doganore, në vitin 2023, import-eksporti i mallrave i Kinës arriti në 41.76 trilionë juanë, 0.2 % më shumë se në vitin 2022. Eksporti shënoi vlerën 23.77 trilionë juanë, me një rritje me 0.6 %. Krahas rritjes së qëndrueshme, tregtia kineze ka gjetur nxitës të rinj, që njihen si “tre të rejat”: makinat elektrike, bateritë e litiumit dhe bateritë diellore.

Në vitin 2023, eksporti i produkteve mekanike dhe elektrike shënoi vlerën 13.92 trilionë juanë, me një rritje 2.9 % dhe duke zënë 58.6 % të eksportit të përgjithshëm. Eksporti i “tre të rejave” arriti në 1.06 trilionë juanë, 29.9 % më shumë se në vitin 2022.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sinjalet pozitive nga shifrat

Drejtori Wang Lingjun u shpreh që, nga shifrat, mund të shohim se rritja është ngadalësuar krahasuar me disa vjet më parë. “Duhet të kuptojmë që kjo është një rritje me bazë të lartë. Tregtia kineze pati jo vetëm rritje të arsyeshme, por edhe një nivel të qëndrueshëm në ekonominë botërore,” u shpreh ai.

OBT-ja vlerëson që në vitin 2023, eksporti i Kinës ka zënë 14 % të tregut ndërkombëtar, që është një nivel i lartë.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Ekonomisë Ndërkombëtare në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit Ndërkombëtar të Kinës, Zhuang Rui, u shpreh që në vitin 2023 tregtia kineze i ka kaluar vështirësitë, duke pasur rritje të arsyeshme. “Ky është një rezultat i arritur me vështirësi, por më vështirë është që në një rritje të qëndrueshme, struktura tregtare e Kinës po përmirësohet vazhdimisht”, theksoi Zhuang Rui.

Foto nga CMG

Foto nga CMG

Për të ardhmen, ndërmarrjet votojnë “pro”. Në një sondazh me ndërmarrjet kryesore të import-eksportit, mbi tre të katërtat parashikojnë që biznesi i tyre në vitin 2024 do të mbajë të njëjtin nivel ose do të rritet në krahasim me vitin 2023.

Siç ka theksuar kryeministri kinez në forumin e Davosit: “Kina është një vend që e mban fjalën dhe bën gjithmonë përpjekje maksimale me sinqeritet maksimal, duke i treguar botës me arritje praktike që Kina ia vlen të besohet!” (Jiang Lei)