Foto nga CFP
Vargjet e frutave të kuqe të kafesë po tërheqin turistë të shumtë në Pu'er, një zonë e njohur e prodhimit të çajit, e cila tani po bën emër si kryeqendra e kafesë në Kinë.
Në fshatin Dakaihe të rrethit Simao, në Pu'er, turistët kureshtarë pozojnë për foto përpara “Moon Meditation House” me ngjyrë kafeje.
Shtëpia, një vepër arti e bërë nga kafeja e bluar dhe sende të ricikluara, ndodhet në një kopsht kafeje dhe është bërë një vend popullor për vizitorët për të pushuar, për të pirë kafe dhe për të kaluar kohën e lirë duke admiruar retë që lëvizin, malet dhe yjet e mbrëmjes.
Liu Ziyue, nga provinca jugore e Guangdong, qëndroi në të për një pasdite të tërë. “Është e mrekullueshme të shijosh një filxhan kafe nga kokrrat që janë korrur dhe përgatitur pikërisht këtu”, -tha ai.
Edhe jashtë sezonit të pikut të turizmit, kopshti i kafesë ende vizitohet nga mbi 500 persona çdo ditë, vuri në dukje Hua Runmei, e cila drejton kopshtin e kafesë.
Disa prej turistëve janë baristë profesionistë dhe pronarë kafenesh që vizitojnë vendin për të provuar metoda të reja fermentimi të përdorura për të prodhuar kafe me shije të ndryshme.
Terreni, lartësia dhe klima e Pu'er-it e bëjnë atë një vend të përsosur për të kultivuar kafe. Aktualisht, mbi 95 për qind e kafesë në Kinë prodhohet në provincën Yunnan, me mbi 60 për qind të kafesë së Yunnan-it që vjen nga Pu'er.
Në vitin 2022, sipërfaqja e mbjelljes së kafesë në qytet ishte 45.267 hektarë dhe vlera e prodhimit i kalonte 5 miliardë juanë (rreth 703 milionë dollarë amerikanë).
Me industrinë e kafesë në këtë rajon që tani tërheq vëmendjen globale dhe duke pasur parasysh popullsinë në rritje të shpejtë të konsumatorëve të kafesë në Kinë, pronarët lokalë të shtëpive të kafesë kanë eksploruar vazhdimisht mënyra novatore për të nxitur turizmin e lidhur me kafenë.
Në një fermë të drejtuar nga “Aini”, një kompani lider kafeje në Yunnan, në 1000 hektarë rriten varietete të ndryshme të bimëve të kafesë, ku vizitorët bëhen dëshmitarë në një linjë prodhimi se si kafeja prodhohet në masë. Ata gjithashtu mund të zgjedhin fruta kafeje dhe të bëjnë vetë një filxhan kafe nga Pu'er-i.
Xia Mengjie, nga provinca Hunan, kaloi dy ditë të tëra në këtë vend, duke mësuar rreth kulturës së kafesë, madje dhe duke i kaluar vetë proceset e bërjes së kafesë, duke u zhytur kështu në madhështinë e natyrës.
“Natyra dhe industria moderne përzihen aq mirë këtu sa duket sikur koha është ngadalësuar”,- tha Xia.
Popullariteti i vizitave në fermat e kafesë është mundësuar nga përpjekjet e bëra nga autoritetet në Yunnan vitet e fundit, të cilat kanë punuar shumë për të nxitur integrimin e industrive të kafesë dhe turizmit, duke nisur një paketë me temën e kafesë.
Të dhënat nga Zyra e Kulturës dhe Turizmit në Pu'er tregojnë se gjatë festës së Vitit të Ri të këtij viti, Pu'er-i pati rreth 435.500 vizita turistike, ndërsa të ardhurat nga turizmi arritën në 309 milionë juanë, një rritje përkatësisht me rreth 35 për qind dhe 38 për qind në baza vjetore.
Sipas Zhang Qiying, Zyrës së Kulturës dhe Turizmit në Pu'er, aktivitetet turistike të lidhura me kafenë, si mbledhja e kokrrave të kafesë, përgatitja e kafesë deri te hedhja në filxhan, po shndërrohen në një paketë tërheqëse turistike në Pu'er, e favorizuar nga konsumatorët që zgjedhin eksperienca më të larmishme dhe më të personalizuara.