Studentja nga Fixhi vlerëson realitetin e Kinës
2024-01-17 10:54:42

Kina i tregoi studentes nga Fixhi Katriena Wong se të shohësh është të besosh.

Foto:Xinhua

Katriena Wong në punë(Foto:Xinhua)

“Kina e vërtetë që pashë me sytë e mi ishte kaq e ndryshme nga ajo që kisha lexuar për vite me radhë”,- tha Wong, e cila ka studiuar më parë në Kinë.

Qeveria kineze i dha asaj një bursë në vitin 2013. Wong studioi gjuhën kineze në Universitetin Normal të Kinës Qendrore në Wuhan, në provincën Hubei, për një vit, dhe më pas shkoi në Shijiazhuang  në provincën Hebei dhe përfundoi diplomën e saj në drejtësi në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit në vitin 2018.

“Kina ishte kaq e gjallë dhe plot energji. Ajo që më goditi me të vërtetë ishte shkalla e madhe e infrastrukturës së saj, grataçelat e shkëlqyeshëm, aeroportet, qendrat tregtare, transporti super efikas dhe pagesat e përshtatshme me celular”,- kujton Wong.

Shumica e asaj që ajo kishte dëgjuar më parë për Kinën erdhi nga mediat në gjuhën angleze, të cilat e portretizonin Kinën si rurale, thotë ajo.

Ajo vizitoi disa vende, duke përfshirë Pekinin dhe Shangain dhe rajonet autonome të Xinjiang Uygur dhe Mongolisë së Brendshme. Wong thotë se i ka bërë përshtypje kultura, njerëzit dhe peizazhet.

“Kam me të vërtetë kujtime të mrekullueshme nga vizitat e mia. Ndihem gjithmonë nostalgjike për to”,- thotë Wong.

Ajo vlerësoi veçanërisht se sa e sigurt është Kina edhe në orët e vona të natës dhe në orët e para të mëngjesit. Po ashtu, përshtypje i kanë bërë edhe rrugët e pastra dhe parqet urbane.

“Ne fixhianët mund të mësojmë shumë më tepër nga Kina”,- thotë ajo.

Foto:Xinhua

Katriena Wong në punë(Foto:Xinhua)

“Ne gjithashtu shpresojmë të sjellim në Fixhi gjërat e mira që kemi mësuar dhe t'i zbatojmë ato në shoqërinë tonë, për të modernizuar vendin tonë”,- tha ajo.

Wong tani punon si menaxhere në “Dingjin Real Estate Development Co” dhe mbikëqyr “Nausori Plaza”, e cila është një nga investimet e saj më të mëdha në Fixhi. Ajo është qendra tregtare më e madhe e rajonit të Nausorit dhe do t'i shërbejë tre provincave kufitare.

Wong beson se arsimi sfidues por me cilësi të lartë që mori në Kinë e përgatiti atë për tregun e punës.

Ambasadori i Kinës në Fixhi, Zhou Jian, thotë se rreth 300 studentë fixhianë si Wong kanë studiuar në Kinë përmes programeve të bursave të qeverisë kineze që nga viti 1996.

Zhou thotë se fixhianët po bëhen më të interesuar të mësojnë për Kinën. Kohët e fundit, shumë nga ministrat e kabinetit të vendit arkipelag, anëtarë të Parlamentit, zyrtarë qeveritarë, sipërmarrës, të rinj dhe studentë kanë udhëtuar në Kinë.

Shumë prej tyre i thanë ambasadorit se këto udhëtime ndryshuan perceptimin e tyre për Kinën.

“Nëse nuk keni qenë kurrë në Kinë, duhet ta vizitoni. Kjo është mënyra e vetme që ju të dini se çfarë është Kina në të vërtetë”,- thotë Wong.