Festivali i 40-të Ndërkombëtar i Akullit dhe i Dëborës u hap më 5 janar 2024 në qytetin Harbin të provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore / foto nga Xinhua
Harbini, kryeqendra e provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore, quhet "qyteti i akullit". Në dimër, temperatura jashtë aty bie nën minus 10 gradë ditën dhe nën minus 20 gradë natën. Megjithatë, Harbini është bërë qyteti turistik "më i nxehtë" në Kinë që nga fillimi i vitit 2024.
Gjatë pushimeve 3-ditore të Vitit të Ri, Harbini priti mbi 3 milionë turistë dhe fitoi afro 6 miliardë juanë (825 milionë dollarë amerikanë) të ardhura prej turizmit. Të dy këto shifra shënojnë rekord për këtë qytet.
Ç'do të thotë 6 miliardë juanë në tre ditë? Në dimër, dy destinacionet kryesore të turistëve kinezë janë krahinat veriore me akull e dëborë, të përfaqësuara nga Harbini, dhe ishujt në jug, të përfaqësuar nga qyteti Sanya i provincës Hainan të Kinës Jugore. Por gjatë këtij Viti të Ri, numri i turistëve dhe shuma e të ardhurave turistike në Harbin janë mbi 5 herë më shumë se ato në qytetin Sanya. Ky raport pasqyron parapëlqimin e Harbinit nga kinezët.
Festivali i 40-të Ndërkombëtar i Akullit dhe i Dëborës u hap më 5 janar 2024 në qytetin Harbin të provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore / foto nga Xinhua
"Unë dhe gruaja ime po mendonim të shkonim në Tajlandë për udhëtim në dimër, por u tërhoqëm nga videot e shkurtra për gjërat interesante me akull dhe dëborë në Harbin, të përhapura gjerësisht në internet. Kjo është arsyeja që ndodhemi këtu tashmë në Harbin," tha z. Sun Chengzhe, një turist nga provinca Fujian e Kinës Juglindore.
Sipas një raporti nga platforma e rezervimeve turistike në internet "Trip.com", turistët që vizituan Harbinin gjatë pushimeve të Vitit të Ri janë kryesisht nga metropolet si Shangai, Shenzhen-i dhe Pekini. Numri i rezervimeve ndërmjet kësaj platforme për turizëm në Harbin në kuadrin e Vitit të Ri u rrit 158 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndërkohë, bashkia e Harbinit vendosi ta bënte ditën e hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Akullit dhe të Dëborës më 5 janar si një ditë pushimi publike për të nxitur atmosferën e festës.
Një turiste preku skulpturën e akullit të zotiakut kinez me kalë në një park të qytetit Harbin më 2 janar 2024/ foto nga CFP
Shumë banorë mikpritës të Harbinit dolën vullnetarë për t'i ndihmuar vizitorët të shmangnin ftohtësinë.
Një prej tyre, z. Hu, ka qenë vullnetar në shërbim të turistëve që nga ditët e fundit të vitit 2023 e deri tani. Në kulmin e trafikut të vajtje-ardhjes nga puna në mëngjes dhe në mbrëmje, kur taksitë janë të zëna, ai transporton me makinën e vet falas turistët nga krahina të tjera. Gjatë tre ditëve të pushimeve të Vitit të Ri, z. Hu ishte çdo ditë në rrugë me makinën e tij, duke harxhuar një serbator karburant në ditë. "Kur pashë që kishte aq shumë turistë në Harbin dhe që ata e pëlqenin qytetin tonë, u kënaqa pa masë," thotë ai.
Pronari i një restoranti në Harbin, Yin Zhi, ofroi falas 600 gota uji të ngrohtë me xhenxhefil dhe hide në ditë për turistët që vizituan bulevardin qendror të qytetit.
"Duam t'u shfaqim vizitorëve gjithçka të bukur këtu, qofshin ushqimet e shijshme dhe pijet e mira, ashtu edhe panoramat e bukura," tha Yin. "Kjo është mënyra e veçantë e banorëve të Verilindjes për të pritur mysafirët e tyre."
Z. Hu, banori i Harbinit ka qenë vullnetar në shërbim të turistëve që nga ditët e fundit të vitit 2023 e deri tani / foto nga "bjnews.com.cn"
Dimri ka qenë stina e rëndësishme turistike e Harbinit, po pse ky qytet u bë "i nxehtë" befasisht këtë dimër? Ge Lei, specialist i sektorit të turizmit, analizoi se këtë dimër Harbini zgjidhi një hallkë shumë të rëndësishme në shërbim të turistëve, që do të thotë se ka formuar një mjedis turistik shumë miqësor për vizitorët dhe me pjesëmarrjen e të gjithë banorëve të vet. P. sh., në të kaluarën mungesa e taksive ishte një nga vështirësitë e vizitorëve në Harbin, por sivjet vullnetarët e zgjidhën këtë problem. "Sinqeriteti dhe zemërmirësia janë forca tërheqëse më e madhe e një qyteti," shtoi Ge.
Në fakt, për këtë "nxehtësi të befasishme", bashkia e Harbinit bëri përgatitje për një vit të tërë. Sipas z. He Jing, drejtori i Drejtorisë së Kulturës dhe të Turizmit të provincës Heilongjiang, qysh prej janarit 2023, Harbini ka bërë përpjekje për përmirësimin e mjedisit të turizmit dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve turistike. Harbini ka krijuar edhe dhjetëra video të shkurtra me karakteristika unike për të "ndezur" tregun turistik, duke bërë reklama për më shumë se 100 aktivitete të sezonit dimëror 2024. "Jo vetëm publikuam video të shkurtra, por tregojmë më shumë vëmendje për komentet mbi këto video. Të gjitha vërejtjet e turistëve do të gjejnë reagimin tonë dhe të gjitha kërkesat e tyre do të plotësohen," tha He.
Festivali i 40-të Ndërkombëtar i Akullit dhe i Dëborës u hap më 5 janar 2024 në qytetin Harbin të provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore / foto nga Xinhua
Provinca Jilin, fqinje e Heilongjiang-ut, ka 75 qendra skish, numri më i madh ndër destinacionet e skive në Kinë për shumë vjet.
Sergi Drago Gonzalez nga Spanja vlerësoi se qendra e skive në malet Changbai mund të krahasohet me ato në Alpet në Evropë dhe në Malet Shkëmbore në Amerikën Veriore, që janë të njohura për dëborën e butë, të parapëlqyer nga skidashësit.
"Në krahasim me Evropën, dëbora në qendrat e skive në Jinlin ndikohet më pak nga moti, gjë që krijon lehtësi për udhëtimin e shkurtër për ski," tha ai.
Qendra e skive "Huamei Shengdi" në malet Changbai të provincës Jilin më 9 dhjetor 2023 / foto nga CFP
Tre provincat e Kinës Verilindore, Liaoning, Jilin dhe Heilongjiang, që njihen si baza e vjetër industriale e Kinës, janë quajtur si "brezi i ndryshkut", si pasojë e vështirësive të mëdha në këto provinca gjatë transformimit e zhvillimit ekonomik. Edhe shumë banorë në këto provinca u larguan nga vendlindja. Gjatë dhjetë vjetëve të kaluar, nga rajoni i Verilindjes së Kinës u shpërngulën 11 milionë veta.
Pjesërisht falë kontributit të zhvillimit të vrullshëm të industrisë së turizmit të akullit e dëborës, rritja ekonomike në provincën Liaoning në tre tremujorët e parë të vitit 2023 e kaloi nivelin mesatar të vendit, për herë të parë gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Ndërkohë, provinca Jilin pati një rritje të PBB-së prej 5.8 për qind, 0.6 pikë përqindjeje më e lartë se mesatarja e vendit.
Megjithëse rritja ekonomike e provincës Heilongjiang ishte ende më e ulët se niveli mesatar kombëtar gjatë kësaj periudhe, industria e saj tretësore pati një rritje të dukshme prej 4.7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shumë më e madhe se në industrinë parësore dhe industrinë dytësore.
Ekonomia e akullit dhe e dëborës përfshihet në sektorët kryesorë për nxitjen e mëtejshme të një përparimi në rigjallërimin e Verilindjes së Kinës në epokën e re. (Wang Lei/ Artan)