Li Zhizhen
Në vitin 2022, me gjithë kundërshtimin e fortë të prindërve të tij, Li Zhizhen-i hoqi dorë me vendosmëri nga puna që kishte dhe u kthye në vendlindjen e vet për t'u bërë fermer. "Po zhvillohemi drejt bujqësisë së zgjuar dhe po i japim bujqësisë 'krahët e digjitalizimit'," tha ai.
Li Zhizhen-i është nga fshati Senpu i qytetit Huangshi të provincës Hubei. Pas diplomimit në universitet në vitin 2020, ai shkoi për të punuar në një kompani në kryeqendrën e provincës Hubei Wuhan, me një pagë të mirë. "Gjithmonë ndieja se në jetën time mungonte pasioni, se nuk ishte jeta ime ideale." Rritja në fshat kishte mbjellë një "farë" te ai që kur ishte i vogël, duke shpresuar që një ditë të arrinte të ndryshonte metodat e prodhimit të bujqësisë tradicionale dhe të përdorte teknologjinë e lartë për të rritur prodhimin bujqësor.
Qysh 10 vjet më parë, Li Guoxian-i, babai i Li Zhizhen-it, bleu makineri e pajisje të ndryshme bujqësore dhe realizoi mekanizimin e plotë të operacioneve bujqësore.
“Babai im është 65 vjeç dhe unë dua të marr 'stafetën' prej tij për ta zhvilluar më tej bujqësinë", tha Li. Pasi hoqi dorë nga puna dhe u kthye në vendlindje, ai instaloi sistemin e navigimit "Beidou" në të gjitha makineritë dhe pajisjet bujqësore në shtëpinë e tij. Ky ishte hapi i parë drejt bujqësisë së zgjuar. Instalimi i sistemit të navigimit "Beidou" kërkon shumë investime. Pas bindjes nga i biri, Li Guoxian pranoi, por me njëfarë ngurrimi.
Pas instalimit të sistemit të navigimit "Beidou", Li Guoxian pa se pajisjet bujqësore u bënë vërtet më "të zgjuara". Ai thotë: "Makineritë bujqësore, si makinat mbjellëse, makinat korrëse, spërkatësit dhe traktorët, janë më të standardizuara se më parë dhe rrugët e funksionimit të tyre janë më të drejta se ato të njerëzve.” Teknologjia po i ndihmon ata të shtojnë të ardhurat.
Për të ardhmen Li Zhizhen-i po përgatitet të ndërtojë sallën e makinerive për shirjen e orizit dhe platformën e tregtisë elektronike.
Ai u jep shpesh kurse fshatarëve që merren me kultivimin e grurit për teknologjinë e pajisjeve bujqësore. Li Zhizhen-i ka besim të plotë tek e ardhmja. Ai thotë: "Kam në plan të ndihmoj të gjithë kultivuesit e grurit në vendlindjen time që të realizojnë bujqësinë e zgjuar.”
Xia Qiutong
Xia Qiutong-u është bija e një fermeri në periferinë e Pekinit, Changping. "Luleshtrydhet e Changping-ut janë një specialitet i vendlindjes sime dhe janë gjithashtu një produkt me tregues gjeografik kombëtar. Jam rritur duke ngrënë luleshtrydhet e Changping-ut dhe kam një dashuri të veçantë për luleshtrydhet. Tani jam e angazhuar në industrinë e luleshtrydheve, " tha Xia.
Në vitin 2020, Xia Qiutong-u dha dorëheqjen nga një kompani e madhe dhe u kthye në vendlindjen e saj për të drejtuar dhe menaxhuar fermën e luleshtrydheve me të atin. Ajo përdori epërsitë e saj në studimin e biznesit ndërkombëtar për të eksploruar rrugën e zhvillimit të prodhimit të luleshtrydheve.
Për të rritur rendimentin e luleshtrydheve, Xia Qiutong-u përdori modelin tredimensional duke ndryshuar modelin origjinal të kultivimit të tokës, e në të njëjtën kohë, duke zhvilluar menaxhimin e rreptë të ujit dhe plehrave. Kështu, rriti rendimentin e luleshtrydheve.
Ajo ka një gjykim të mprehtë për prirjen e konsumimit të frutave me cilësi të lartë. Përveç mbjelljes së varieteteve tradicionale të luleshtrydheve, ajo futi gjithashtu lloje të reja, prandaj situata e shitjeve është e mirë.
Xia Qiutong-u ndihmoi më shumë se 100 familje fshatare në Changping. Ajo është lidhur me shumë fermerë për të krijuar kooperativën profesionale të luleshtrydheve "Tianrunyuan" dhe tani ata kanë 91 serra luleshtrydhesh me një prodhim vjetor prej 125 000 kilogramësh.
Long E
Long E është shtylla kurrizore e Kompanisë për Zhvillimin e Bujqësisë së Zgjuar "Datian" në kryeqendrën e provincës Jiangxi, Nanchang. Ajo është njëkohësisht inxhiniere e teknologjisë bujqësore dhe drejtore e operacioneve të markës. Që nga nisja e punës në këtë sektor 5 vjet më parë, Long E ka udhëhequr ekipin që të promovojë në mënyrë aktive shkallën bujqësore, automatizimin dhe digjitalizimin, duke bërë përpjekje që të krijojë markën, të promovojë përmirësimin e bujqësisë tradicionale, të shtyjë fermerët të rrisin të ardhurat dhe të ofrojë forca për modernizimin e bujqësisë.
"Ne nuk fokusohemi vetëm në përfitimet ekonomike, por gjithashtu marrim parasysh përfitimet sociale, fuqizimin e bujqësisë përmes shkencës dhe teknologjisë, rritjen e vlerës së tokës dhe rritjen e të ardhurave të fshatarëve." Long E tha se përmes menaxhimit të transferimit të tokës dhe fondeve të projektit të zbutjes së varfërisë, të ardhurat vjetore të fshatarave u rritën me më shumë se 600 000 juanë.
Pas hetimit të thellë, ajo zbuloi se vetëm kultivimi i orizit kishte fitim të ulët, prandaj duhej të ngrihej ndikimi i markës dhe të gërmohej më thellë në vlerën e shtuar të produkteve. Për këtë qëllim, Long E udhëhoqi ekipin për të trajnuar fshatarët mbi teknologjinë dhe për të promovuar produkte të reja pa pagesë, dhe rekomandoi banka për të ofruar kredi pa interes për fshatarët.
Nën drejtimin e saj, produktet e tyre realizuan shitjen në internet duke hapur rrugën e re të tregtisë elektronike. (Çang Çuo)