Kitaristi Sheki Hoxha (Foto personale)
Shefqet Hoxha - Sheki karrierën e tij si kitarist e ka nisur në Ferizaj të Kosovës, në kohën kur muzika rrok kishte nisur të merrte hov. Në vitet ’70 dhe ’80, Sheki ka qenë anëtar i grupeve muzikore që kanë bërë jehonë, duke u vlerësuar dy herë si basisti më i mirë. Ai ishte një nga muzikantët më të njohur të asaj kohe.
Gjatë viteve ’80 Sheki ka qenë instrumentist dhe orkestrues në Orkestrën e Radio Prishtinës, ku ka dhënë kontribut në afirmimin e shumë grupeve muzikore. Prej vitit 1992 për shumë vite Sheki ka jetuar në Sofje, ku ka bërë muzikë me emrat më të njohur të xhazit në Bullgari. Më 2003 publikoi albumin e tij të pare solo, “Kosova blues”, ndërkohë që u ftua të kontribuonte në Big Band-in e RTK-së. Sheki mund të konsiderohet si njëri nga pinjollët e Rock ‘n’ Roll-it, i cili me emrin e tij ka fituar famë botërore. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për karrierën e tij muzikore, aktivitetet në vende të ndryshme të botës dhe projektet.
Sheki Hoxha ne vitet 70 (Foto personale)
CMG: Ke nisur jetën e artistit shumë i ri dhe nuk je ndarë prej atëhere nga muzika
Shefqet Hoxha - Sheki: Unë muzikën e kam nisur shumë i ri sepse pasioni ishte shumë i madh ndaj muzikës dhe trendit të asaj kohe. Kam qenë vetëm 10 vjeç, por qëkur isha 9 vjeç fillova të këndoj para dërrasës së zezë në klasë kur mësuesja më ngrinte në këmbë dhe më thoshte të këndoja dhe të vallzoja. Kjo ka qenë një punë pa përtesë, sepse pasioni im i madh për muzikën dhe ndaj grupit “The Beattles”, sepse ëndërroja që të bëhem si ata. Ndërkohë vëllai im ishte në Zagreb dhe kur erdhi në Ferizaj dhe më bleu kitarën e parë, e cila kushtonte shumë shtrenjtë. Prej atij momenti formova bendin tim në atë kohë, që ishte dhe qendra e kulturës në Ferizaj, madje drejtori i saj na la çelësat që të bënim prova. Ne në ato kohë me bendin argëtonim qytetarët në mbrëmjet me ballo argëtuese, që i organizonin qytetarët e Ferizajt në vitet 60-të dhe atëhere në trend ishin grupet “The Beattles”, “Animals”, “The Doors”. Pastaj dhe Xhimi Hendriks i cili bëri revolucion për pop-rock, dhe nga ai moment unë rashë në dashuri me pop-rockun dhe asnjëherë nuk e kam ndërprerë, ndaj sot jam akoma më i pasionuar si muzikant.
Sheki and Friends gjate nje performance (Foto personale)
CMG: Në cilin instrument muzikor luani tani?
Shefqet Hoxha - Sheki: Është shumë interesante se qëkur isha fëmijë me grupin “The Lords” kam përqafuar bas-kitarën me katër tela, ku isha bas-kitarist dhe këngëtar udhëheqës. Këndoja repertorin e asaj kohe, ku në fillim grupi “The Shadows” ishte më interesant dhe në mbrëmje bënim më shumë instrumentale, por dhe këndoja këngë të grupeve të njohura. Kështu që isha bas-kitarist dhe vëllai im Nehat Hoxha ritëm-kitare, Luigj Deda ishte kitarë solo dhe një anëtar tjetër i bendit ishte në bateri. Patëm sukses si grup sepse pas dy-tre vjetësh shkuam në kitariadën që zhvillohej në atë kohë në Prizren, ku mblidheshin të gjitha grupet e Kosovës nga çdo qytet dhe organizohej një festival shumë i këndshëm.
Sheki and Friand Band (Foto personale)
CMG: Je një artist i kompletuar që i përket brezit të artë të viteve 60-të e në vazhdim. Çfarë është transformuar tek ti në gjithë këto vite karrierë?
Shefqet Hoxha - Sheki: Transformimi është i dukshëm sepse me zhanret muzikore që vijojnë, ku ndërrohet shija muzikore me teknologjinë që na ofron koha. Në atë periudhë ishte interesant sepse unë e bleva kitaren akustike te Xha Antoni të rëndomtë, por të kesh kitarë elekrike që tingëllon me kabllo dhe përforcues ishte sfida më e madhe dhe shumë interesante. Bas-kitarën elektrike dhe të tjera kitara, vetvetiu koha na impononte që të transferohemi me ato lëvizje të pop-rockut, sepse ne ishim krejtësisht të lirë të luanim atë muzikë, ku Grupi “The Beattles” ishin me flokë të gjata dhe ne i imitonim. Unë formova një bend të mirë dhe të konsoliduar, ku morëm pjesë në disa festivale në vitet 60 – të.
Sheki Hoxha gjate nje koncerti (Foto personale)
CMG: Gjatë viteve të karrierës si muzikant je vlerësuar me shumë çmime. Çfarë janë për ty vlerësimet, përgjegjësi apo madhështi?
Shefqet Hoxha - Sheki: Mendoj se janë të dyja, ku përgjegjësia është shumë e rëndësishme, por madhështia është një motiv dhe një rivalitet, por te ne shqiptarët këtë rivalitet e vret xhelozia. Ne ishim shumë të kënaqur me atë që bënim, ku prej qytetit të Ferizajt unë u shpërngula në Prizren për t’u regjistruar në shkollën e mesme të muzikës dhe aty ishin grupet me të mëdha të Kosovës në atë kohë.
CMG: Mendon se për një artist të vërtetë 90% duhet të jetë punë dhe 10% talent?
Shefqet Hoxha - Sheki: Unë mendoj krejtësisht të kundërten dhe absolutisht nuk jam dakort me atë mendim. Nuk duhet të jetë 10% talent dhe 90% punë, por mendoj si një mik i imi në Bullgari që bën muzikë të xhazit, i cili thotë se nuk ecet në këtë mënyrë, por duhet të kesh 90% talent dhe tre herë nga 90% punë.
Sheki Hoxha me grupin (Foto personale)
CMG: Një pjesë të karrierës e ke zhvilluar në Bullgari. Ishte një shkuarje e rastësishme atje?
Shefqet Hoxha - Sheki: Unë kam qëndruar 32 vjet në Bullgari dhe momentalisht jetoj në Sofje dhe Prishtinë. Gjithashtu kam punuar me të gjithë bendet, ku si muzikant dhe kompozitor merrja pjesë në festivalin e tyre qëndror, që quhej “Orfeu i artë”. Kam marrë pjesë disa herë në festivalin e këngës në RTSH, ku në vitin 1997 më vlerësuan me orkestrimin më të mirë të atij viti, me këngën time “Valët e detit” e kënduar nga Sinan Vllasaliu.
Sheki Hoxha ne skene (Foto personale)
CMG: Cili nga albumet që ke publikuar është më i dashuri për ty?
Shefqet Hoxha - Sheki: Albumi muzikor që ne e xhiruam në vitin 1977 në Londër ishte me grupin tim që bëri jehonë, grupi quhej “Puthja e zjarrtë”. Shkuam xhiruam albumin dhe kur u kthyem u bëmë grupi me emër të madh sepse shitëm albumin në tirazh platin, argjent dhe ari. Ai ishte albumi shumë i rëndësishëm për mua, por albumi më i ri është kur e realizova në vitin 1999, një ento-xhaz album “Kosova blues”, që mund të gjindet në Spotify apo në YouTube vetëm nëse klikohet si Sheki Hoxha dhe mund ta shikoni apo dëgjoni. Ky është albumi me të cilin unë mburrem sepse ja dedikova Kosovës time.
Sheki Hoxha dhe Dukagjin Lipa (Foto personale)
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Shefqet Hoxha - Sheki: Unë jam vetëm 70 vjeç i ri, por me bas-kitarë akoma luftoj në skenë, pa marrë parasysh që këngëtarja e grupit është vetëm 24 vjeç dhe me të qëndroj stoik në skenë. Në datën 10 gusht 2023 morëm pjesë në “Interline jazz festival” në Bullgari, ku marrin pjesë emrat më të mëdhenj të pesëshes më të mirë të botës në muzikën xhaz. Kështu që kënaqësia ime ishte që morëm pjesë me bendin që tani quhet “Sheki and Friends”. Gjithashtu para një muaji morëm pjesë në edicionin e katërt të festivalit të xhazit në qytetin e Pejës, që po bëjnë mrekullira duke e realizuar mjaft mirë atë festival. Në të ardhmen shpresoj të realizoj një album tjetër, sepse në “Kosova blues” unë përmbledh këngët popullore sepse është etno-xhaz, këngët qytetare të Shqipërisë së mesme, jugut, Kosovës dhe gjithëandej, ku i përpunoj shtatë kompozime dhe dy janë të kompozuara nga unë.
Intervistoi: Gazmend Agaj