Li Qiang-u mbërrin në Dublin, duke nisur vizitën zyrtare në Irlandë
2024-01-17 11:15:19

Foto nga Xinhua

Kryeministri kinez Li Qiang arriti të martën në Aeroportin Ndërkombëtar të Dublinit, duke filluar vizitën e tij zyrtare në Irlandë me ftesën e kryeministrit irlandez Leo Varadkar. 

Ministri irlandez për Mjedisin, Klimën e Komunikacionin dhe ministër për Transportin Eamon Ryan, si edhe ambasadori kinez në Irlandë He Xiangdong, e pritën kryeministrin Li në aeroport.

Kreu i qeverisë kineze theksoi se sivjet është 45-vjetori i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e Irlandës. Gjatë këtyre 45 vjetëve, Kina dhe Irlanda kanë shërbyer si model i bashkëjetesës miqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella mes vendeve me sfonde të ndryshme historike e kulturore dhe sisteme të ndryshme politike, me respekt e trajtim të barabartë. 

Li shtoi se, nën udhëheqjen strategjike dhe përpjekjet e përbashkëta të udhëheqësve të të dy vendeve, marrëdhëniet Kinë-Irlandë kanë ruajtur një zhvillim të shëndetshëm e të qëndrueshëm dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka arritur rezultate të frytshme, veçanërisht në vitet e fundit. 

Duke vënë në dukje se Kina dhe Irlanda kanë koncepte të ngjashme zhvillimi, si edhe interesa të përbashkët, kryeministri Li Qiang u shpreh se pala kineze është e gatshme të punojë së bashku me palën irlandeze për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shtetit dhe për të çuar përpara partneritetin strategjik të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella ndërmjet Kinës dhe Irlandës, për të arritur rezultate të reja dhe për të sjellë vazhdimisht përfitime për të dy vendet dhe popujt e tyre. 

Li mbërriti në Irlandë pas pjesëmarrjes në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror 2024 dhe një vizite zyrtare në Zvicër.