Kina do të hapet në mënyrë të palëkundur ndaj botës së jashtme dhe do të ndajë mundësitë e veta me botën, duke u zhvilluar bashkë me vendet e tjera, tha të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning.
foto: VCG
Zëdhënësja u shpreh në një konferencë për shtypin se kryeministri i Kinës Li Qiang mori pjesë dhe mbajti një fjalim në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror 2024 të mbajtur në Davos të Zvicrës. Kryeministri kinez vuri në dukje në këtë fjalim se në kohën e sotme ekonomia botërore është e ndërlidhur ngushtë. Përpjekjet e veçuara vetëm se do ta bëjnë ekonominë botërore më të brishtë. Pala kineze mendon se duhet të forcohen koordinimi e ndarja industriale ndërkombëtare e punës dhe të promovohen në mënyrë të palëkundur liberalizimi dhe lehtësimi i tregtisë e i investimeve. Falë bashkëpunimit më të ngushtë, mund të shtohen përfitimet e ndërsjella, çka është në dobi të të gjitha palëve. Vendet e ndryshme të botës duhet të forcojë komunikimin, të marrin masa më efektive e më të bashkërenduara, të ruajnë sistemin e tregtisë shumëpalëshe, të përmirësojnë sistemin e qeverisjes globale dhe të kultivojnë nxitësit e rinj për zhvillimin ekonomik global.
Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, vitet e fundit Kina ka kontribuuar për rreth 30 për qind të rritjes ekonomike globale, dhe është një motor i rëndësishëm i zhvillimit global. Kina po çon përpara modernizimin kinez në të gjitha frontet përmes zhvillimit me cilësi të lartë dhe do të japë një shtysë të vazhdueshme dhe të fortë për zhvillimin ekonomik të botës. Në kontekstin e kërkesës së pamjaftueshme globale, tregu është burimi më i rrallë. Hapësira e tregut kinez është e gjerë dhe do të ruajë patjetër rol të rëndësishëm për rritjen e kërkesës globale.
foto: VCG
Zëdhënësja shtoi se Kina do të hapet në mënyrë të palëkundur ndaj botës së jashtme, do t'i mundësojë botës që të ndajë mundësitë e Kinës dhe do të zhvillohet bashkë me vendet e tjera. Siç theksoi kryeministri kinez Li Qiang, pala kineze i mirëpret me sinqeritet ndërmarrjet e huaja që të vijojnë të investojnë në Kinë. Kina do të vazhdojë të nxisë një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, të bazuar në ligj dhe të ndërkombëtarizuar të nivelit botëror. Zgjedhja e tregut kinez nuk është një rrezik, por një mundësi. Dera e hapur e Kinës do të hapet gjithnjë e më shumë. (Li Huailiang/Artan)