Muzeu i Artit Mesjetar - foto Muzeu i Artit Mesjetar
Më shumë se 30 mijë turistë kanë vizituar gjatë vitit që lamë pas muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Në këtë institucion ndodhen disa prej ikonave më të rralla të shekullit të 16 dhe 17-të. Muzeu i Artit Mesjetar ne Korçë, i cili ofron një eksperiencë magjepsëse, edhe gjatë vitit 2023 ka qenë institucioni më i vizituar nga turistët vendas e të huaj.
Drejtoresha e këtij muzeu Fjoralba Prifti tha se gjatë vitit të kaluar muzeu është vizituar nga më shumë se 30 mijë turistë, duke theksuar rritjen e interesit edhe turistet vendas. Sipas saj turistët mrekullohen nga objektet e ekspozuara në këtë muze, objekte që i përkasin shekullit të XIII ndërkohë pjesa më e madhe e tyre i përket shekullit të XVI-XVIII, periudhës kur ikonografia shqiptare kishte kulmin e saj.
Viti 2023 ka qenë një vit shumë i suksesshëm dhe numërohen mbi 30 mijë vizitorë, prej të cilëve më shumë janë të huaj, por janë edhe vizitorëve vendas. Harmonia midis ndërtesës bashkëkohore dhe ikonave mesjetare është një surprizë shumë e madhe për vizitorët vendas dhe të huaj. Ata ndihen të kënaqur dhe njihen me vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, të cilën nuk e kanë njohur më parë, kjo e bën shumë të vizituar dhe të kërkuar.
Vizitorët e vegjël në muze - foto Muzeu i Artit Mesjetar
Për të tërhequr sa më shumë vizitore, Muzeu i Artit Mesjetar ka çelur gjatë sezonit turistik disa ekspozita me ikona të cilat u shfaqën për herë të parë. Drejtorja e Muzeumit, Fjoralba Prifti para mediave nënvizoi se krahas ekspozitës së përhershme herë pas here Muzeu prezanron edhe ekspozita të përkohshme, me ikona të pa ekspozuara më parë, të cilat restaurohen nga restauratorët e muzeut. Sipas saj janë do vit diku tek 30 ikona që restaurohen dhe më pas publiku njihet me to. Sa i përket numrit të vizitorëve çdo muaj ka pasur surprizat e veta, por numri më i madh mbetet gjatë sezonit veror ku viz Edhe në ditët e para të këtij viti nuk kanë munguar kureshtarët e historisë dhe kulturës. Vizitorët patën mundësinë të shohin ikonat që i përkasin shekullit të 13-të deri në fillim shek 20.
Procesi i restaurimit te Ikonave - foto Muzeu i Artit Mesjetar
Në muzeun e artit mesjetar në Korçë, i vetmi i këtij lloji në vendin tonë ndodhen me shume se 7200 ikona, 400 prej të cilave janë të ekspozuara për vizitorët.
Ndërkohë çelja në Galerinë e Arteve Digjitale Korçë, e së parës dhe së vetmes galeri të këtij lloji në Shqipëri, me shfaqjen e Ekpozitës “Ikonografia Shqiptare - Mjeshtrat e Mëdhenj”, është një vlerë e shtuar për Muzeun e Korcës. Bëhet fjalë për një koleksion të shkëlqyer të veprave të artit mesjetar, që realizohet përmes një udhëtimi pamor fantastik, nëpër shekuj të ikonografisë shqiptare. Një eksperiencë e magjishme në një botë engjëjsh e shenjtorësh. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar dhe ikonat e tij, vijnë në një formë digjitale e cila të përfshin në një udhëtim magjepsës dhe tepër mbresëlënës në shekuj dhe besim dhe art.
Është një eksperiencë shumë e bukur që ndërthuret me inovacionin, me teknologjinë dhe risjellë shumë herë veprat e artistëve klasikë apo modernë, duke i sjellë në një formë totalisht inovative.
E ndërsa vizitorët e kanë Muzeun e Artit Mesjetar të Korcës stacionin e tyre të zemrës, puna për të sjellë ikona të reja para publikut, ikona që mbahen në arkivat e muzeut, vazhdon nga restauratorët korcarë. Procesi restaurues është një punë e gjatë dhe e mundimshme. Laboratori i Restaurimit dhe specialistët e tij, përgjatë vitit 2023 restauruan dhe rikthyen në jetë 19 ikona me problematika dhe degradime të shumta, të shkaktuara mga koha dhe kushtet.
Proces Restaurues ne Muzeun e Artit Mesjetar - foto Muzeu i Artit Mesjetar
Është një punë e palodhur e specialistëve restauratorë të cilët me durim dhe përkushtim nxorrën në dritë ikona të shek. XVII-XIX, realizuar nga emra të mirënjohur të ikonografisë shqiptare, nga Kostandin Jeromonaku, Kostandin & Athanas Zografi, Nilu Jeromonaku etj…
Mbi 300 ikona në ekspozim dhe pjesë e fondeve u rivlerësuan mbi gjendjen e tyre të deritashme, 13 ikona prej tyre iu nënshtruan konsolidimit dhe trajtimit të mëtejshëm. Zakonisht restaurimi i një ikone, kërkon një kohë të gjatë pune, nga 1 deri në 7 muaj. Pasurimi me vepra të ndryshme të cilat kanë kaluar edhe në restaurim në laboratorin e këtij muzeu, është një nga arsyet e interesit të shtuar të vizitorëve.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është një kryevepër e trashëgimisë sonë kulturore, unik për fondin që ka edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Sipas një programi të hartuar çdo fillim viti, në Laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit të këtij muzeu restaurohen një numër i konsiderueshëm ikonash çdo vit nga autorë të mirënjohur, të cilët ia shtojnë vlerat artistike dhe historike këtij koleksioni muzeal.
Neritana Kraja