Çelsi i suksesit të Shqipërisë në turizëm
2024-01-17 10:23:02

Turistët në Gjirokastër (Foto ATSH)

Turistët në Gjirokastër (Foto ATSH)

Padyshim viti që lamë pas ka qënë një sukses në sektorin e turizmit në Shqipëri dhe për këtë sipas ministres Mirela Kumbaro ka disa faktorë që çuan në arritjen e shifrave të larta të turistëve përtej pritshmërive.

“Është e vërtetë që 2023 pati për kryefjalë turizmin  dhe mesa duket dhe 2024 paralajmëron që kryefjala të mos ndryshojë, por nuk kishte produkt i një viti as rezultat sepse nuk mund të arrihet një kryefjalë brenda një viti. Është rezultat i një periudhë shumë të gjatë do thoja 10 vjeçare, sepse po të shikoni programin e qeverisë, që në 2014, turizmi konsiderohet si një sektor, i cili ishte pjesë e vizionit ku duhet të mbërrijë Shqipëria. Ajo që ndoshta nuk e parashikonim është që disa rezultate ose indikatorë të matshëm do t’i arrinim në 2023 sepse të paktën në mandatin e dytë në 2017 për të thënë një indikator shumë të matshëm tashmë edhe të njohur nga të gjithë, 10 milionë vizitorë të huaj në një vit ishin të parashikuar  për vitin 2030 dhe i realizuam në 2023.”, u shpreh ministrja Kumbaro

Fillesat e një turizmi premtues janë më të hershme.

Mirela Kumbaro (Foto Ministria e Turizmit dhe Mjedisit)

Mirela Kumbaro (Foto Ministria e Turizmit dhe Mjedisit)

“ Por nuk ishte as ky plani i realizimit, nëse mund të shprehemi në terminologji të tillë. Është një investim i nisur me shumë shtresa. Rilindja urbane është fillesa kryesore, promovimi i Shqipërisë jo thjesht në rrugët klasike të diplomacisë, por me atë që quhet pushteti i butë që është kultura, turizmi, natyra, shpirti njerëzor. Janë ambasadorët natyralë të Shqipërisë, përmes artistëve, sportistëve, përmes veprimeve politike të qeverisë në sektorë të tjerë që nuk janë domosdoshmërisht diplomacia me përkufizim, por një diplomaci e një lloji tjetër. Që nga sjellja e shqiptarëve apo e Shqipërisë në raport me refugjatët afganë, pozicioni i Shqipërisë gjatë periudhës së pandemisë, gjithë mënyrat sesi ne jemi sjellë nga shkallët që kemi ngjitur një nga një, në detyrat e vëna në rrugën e integrimit evropian, të gjitha këto janë produkt që kanë bërë që përmirësimi i imazhit të Shqipërisë që ka qenë dhe problemi ynë kryesor, se natyra e bukur aty ka qenë, edhe shpirti shqiptar aty ka qenë, por rilindja urbane me investimet në të gjitha qendrat urbane nga më të voglat deri më të mëdhatë krijoi një hartë të re të destinacioneve, krijoi një hartë të re të itinerareve. “

Shtrirja e investimeve edhe në zonat rurale e pasuroi edhe më tej guidën turistike për atë që u  ofrohet sot vizitorëve të huaj.

“Në mandatin e dytë ne i shtuam fuqishëm atë e quajtëm rilindja rurale përmes investimeve në agroturizëm dhe krijimi i një modeli të ri sesi bujqësia, e rëndësishme për ekonominë shqiptare e bashkuar me turizmin mund të prodhojë një ofertë të diversifikuar, një ofertë përgjatë gjithë vitit. E treta, një ofertë të shtrirë në të gjithë territorin, janë tre momentet kryesore që mund ta garantojmë turizmin si një sektor ekonomik të rëndësishëm. E gjitha kjo krijoi një hartë të re turistike të Shqipërisë. Duke sjellë jo thjesht ofertë, por duke ndryshuar dhe qasjen e vetë sektorit privat brenda për brenda Shqipërisë, që nga destinacionet klasike që përgjithësisht shoqërohen me destinacionet e trashëgimisë kulturore, ne kuptuam, e ofruam dhe prezantuam Shqipërinë në të gjitha fytyrat e saj të bukura, zonat e mbrojtura që tani përbëjnë 21.5% të territorit dhe vetëm në vitin 2023 mirëpritën 4.1 milionë vizitorë” vuri në dukje më tej në fjalën e saj Kumbaro.

Ministrja ndalet tek disa destinacione të kthyera në atraksione turistike.

 

Ksamil (Foto albazone)

Ksamil (Foto albazone)

“Agroturizmi që e shtrin itinerarin e turistëve nga Tropoja, Vermoshi deri në Përmet, Tepelenë, apo në Voskopojë, deri në Gramsh, në Elbasan, pra edhe kur i përmendim si destinacion e kuptojmë të gjithë që nuk kanë qenë ndonjëherë destinacione që në përfytyrimin tonë kolektiv, të mendoheshin si destinacion turistike. Belshi është kthyer në një destinacion të jashtëzakonshëm, Funara gjithashtu, Mrizi i zanave, Tropoja, Kukësi, Dibra nuk kanë qenë destinacione turistike, kanë qenë vetëm vendbanime, sot janë destinacione turistike.” , shtoi ajo

Edhe investimet private kanë patur një rol të rëndësishëm në krijimin e mundësive të reja në shërbimin turistik.

“Të gjitha këto me investimet që janë bërë në infrastrukturë, në rrugë, porte, aeroporte dhe në marinat e tjera të cilat tashmë janë në ndërtim e sipër, kanë krijuar një vizion dhe një fizionomi komplet të ri të Shqipërisë. Nga ana tjetër, sektori privat ka pasur një energji të jashtëzakonshme dhe në një lloj mënyre në një garë të mirë dhe të shëndetshme me sektorin publik. Pra edhe dorë për dore investimet publike, duke lehtësuar dhe nxitur sektorin privat dhe shpeshherë energjia që ka gjeneruar sektori privat diku-diku ka sfiduar sektorin publik, që do të thotë që sektori privat shtrihet në destiancione të reja ka qenë sektori publik që ka justifikuar motivuar dhe investuar në këto destinacione, ose anasjelltas, atje ku janë shtrirë rrugët dhe ujësjellësit dhe ndriçimi në përputhje me vizionin e qeverisë kur duhet të zhvillohet vizioni, sektori privat ka ndjekur menjëherë. “

Infrastruktura e krijuar të çon edhe në destinacionet më të pa zbuluara.

Alpet shqiptare (Foto The Albanian)

Alpet shqiptare (Foto The Albanian)

“Mjafton të kujtojmë një segment shumë interesant. Do marr një nga jugu dhe një veriu. Rruga Kardhiq- Delvinë në momentin që mbaroi u ndryshua i gjithë fluksi i vizitorëve. Përkundër se ç’mendohej që do të linte në harresë Gjirokastrën, përkundrazi e ka gjallëruar dhe e ka shtuar në mënyrë shumë evidente numrin e turistëve në Gjirokastër, por dhe ka rikonfiguruar hartën e investimeve private qoftë në zonën rurale dhe ato urbane sepse e ka bashkuar Sarandën me Gjirokastrën, duke shtrirë hartën e destinacioneve. Rruga e Thethit në veri, Qafë Thora, Vermoshi kanë qenë destinacione shumë të vështira për t’u arritur. Atje pas investimit në rrugët e gjithë pjesës së Malësisë së Madhe në Tamarë, praktikisht kemi destinacion të reja turistike.”

Ndër sukseset e turizmit për vitin 2023, ministrja Kumbaro përmendi edhe promovimin e 1100 eventeve e 25 mijë shkarkimeve të aplikacionit TEA, duke shprehur dhe ambicien që ky kalendar digjital eventesh të kthehet në një “One Stop Shop”, i cili përveç promovimit të sigurojë edhe ndërlidhje mes bizneseve.