Foto nga gmw.cn
Studiuesit kinezë kanë filluar eksperimentet e kultivimit të mbi 66.500 farave të patateve që u dërguan në hapësirë në anijen kozmike Shenzhou-16 me ekuipazh dhe qëndruan për mbi 180 ditë, njofton “Xinhua”.
Pas mbirjes, kultivimit dhe transplantimit të farës, varietetet superiore të farave do të zgjidhen dhe vlerësohen më tej, tha Zhang Linhai, drejtor i Qendrës së Inovacionit Teknologjik të “Xisen Potato Industry Co., Ltd.”, e cila është përgjegjëse për detyrën.
Studiuesit nga qendra në qarkun Shangdu në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës veriore planifikojnë të kultivojnë varietete të patateve me tolerancë ndaj kripës-alkaline dhe rendimente më të larta, përmes eksperimenteve që përdorin teknologji të avancuar të modifikimit të gjeneve për të ndihmuar kultivimin tradicional gjenetik.
Kjo qasje ka potencialin për të reduktuar ciklin e kultivimit nga më shumë se një dekadë në vetëm disa vjet, tha Zhang.
Kjo është hera e dytë që “Xisen Potato Industry Co., Ltd.” dërgon fara në hapësirë. Në qershor 2022, rreth 20.000 fara të patateve të përzgjedhura nga kompania u dërguan në stacionin hapësinor të Kinës nëpërmjet Shenzhou-14, duke u kthyer në tokë pas 182 ditësh.
Në vitin 1987 Kina dërgoi në hapësirë farat e saj të para, oriz dhe piper, duke shënuar fillimin e rrugëtimit të vendit për kultivimin në hapësirë.
Gjatë këtyre viteve, janë kryer mbi 30 eksperimente të tilla hapësinore duke përfshirë farat, fidanët dhe shtamet e bimëve, duke rezultuar në kultivimin e pothuajse 1000 varieteteve të reja. (Fatosi)