Ana Gjymshana kthen një hapësirë të ngurtë në një fole të ngrohtë
2024-01-16 11:20:57

Arkitektura është një nga format më të mira të të bërit art dhe këtë na e rrëfen Ana Gjymshana. Ajo është një arkitekte, e cila për një periudhë të gjatë kohe iu përkushtua profesionit të saj duke punuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa vendosi që të sjellë diçka të sajën në Tiranë.

Ana Gjymshana ( foto personale)

Ana Gjymshana ( foto personale)

Një atelie, e cila siguron që shtëpia jote të të bëjë të ndihesh si “në shtëpi”. Vendi i saj i punës sot quhet “Gjysm'Hana”. Kjo studio prodhimi nxjerr punë të jashtëzakonshme në biznese tepër të njohura në vend dhe jo vetëm. Falë eksperiencës së saj në Shqipëri dhe jashtë saj, kryesisht në Itali, Ana e di mirë se çfarë kërkon tregu shqiptar.

Por  Ana ka edhe mënyrën e vet të të kuptuarit se çfarë i nevojitet një klienti. “Unë në mënyrë autodidakte i bëj një pyetje amvisave: “Me cilën dorë e hap frigoriferin, sepse kjo ndikon në gjithë orientimin e kuzhinës”, “Në momentin që zgjohesh në mëngjes, çfarë do të shohësh, do të shohësh dritare, pasqyrë apo dollap?”. Këto janë gusto personale, unë mbledh gjithë të dhënat pastaj nëpërmjet normativave teknike, të jap një rehati dhe një cilësi hapësire sa më të mire. Unë i vendos nëpër vende, por është klienti ai që zgjedh. Kur projektohet shtëpia mendohet deri në detaje sikurse janë enët e palara, apo rrobat e palara. Nëse një arkitekt ka projektuar një hapësirë që funksionon në momentin e vet më kaotik, ja ka dalë mbanë.”

CMG: Ana shumë i veçantë mbiemri juaj ...

Ana Gjymshana: Mbiemri im është shumë i veçantë dhe në fakt nuk është hera as e parë dhe e fundit që ma shtrojnë si pyetje sepse gjithnjë i kuriozon qoftë historia apo edhe mënyra se si unë e shqiptoj mbiemrin tim. Kam arritur në një pikë që mendoj se gjërat në jetë për të qenë më të bukura mund të thjeshtohen e pikërisht për këtë thjeshtim unë vendosa që biznesit tim t’i shtoj në emër thjesht dhe vetëm, një apostrof. Pra biznesi im quhet “Gjysm'Hana” dhe e ka marrë këtë emër rrjedhimisht prej mbiemrit. Kur më pyesin se kush je, unë them : Unë jam Ana Gjymshana dhe kam Gjysm'Hana.

CMG:  A do doje që biznesi yt të  trashëgohet ndër breza?

Ana Gjymshana: Patejter që po dhe ka qenë kjo një arsye shumë e fortë që unë i vendosa mbiemrin tim sepse mban mbi supe një trashëgimi. Unë jam kjo qe jam dhe kam mbi kurrizin tim një bagazh të madh me eksperiencë dhe do doja që këtë gjë ta trashëgonin edhe fëmijët e mi e pasardhësit e tjerë .

Ambientet e Studios se Ana Gjymshanes ( foto facebook)

Ambientet e Studios se Ana Gjymshanes ( foto facebook)

Ajo që mua më ka nxitur të kem këto mendime ka qenë ekspertiza e huaj. Në Itali kam marrë shembullin konkret se si duhet të rritesh dhe të mbash një biznes.  Ata e kanë trashëguar nga njëri brez në tjetrin dhe kështu edhe kanë krijuar emrin e vërtetë të një brandi dhe ndaj unë jam kaq shumë e entuziazmuar kur them që biznesi im mban mbiemrin tim. Kjo studio, e cila ka marrë jetë prej meje do të trashëgohet dhe do të jetë një nga gjerat që unë me modesti do ta cilësoja sukses .

CMG: Kush ka qenë një njeri tepër i rëndësishëm që në rrugëtimin e biznesit ju ka ndihmuar?

Ana Gjymshana: Babai im ka qenë shpëtimtari dhe dhënësi i ndjenjave brenda ëndrrave të mia. Ai në fakt nuk ka pasur të njëjtin profesion si unë, madje unë shumë vonë kam kuptuar që ai ka pasur dorë në pikturë dhe në këtë fushë por kurrë nuk e shfaqi. Ai e kishte programuar tek unë punën si një arkitekte sepse tani që e mendoj e kap shpesh veten duke kujtuar se çfarë motivimi të lartë ai më jepte dhe sa shumë përpiqej që unë kurrë mos të dorëzohesha përballë ndonjë sfide. Përpara se ai të ikte nga kjo jetë kërkoi që unë ta vazhdoja me të njëjtën dashuri këtë punë dhe unë ja plotësova atij ëndrrën dhe patjetër edhe vetes, pasi unë e dua këtë profesion.

CMG: Çfarë sheh si tipare të patjetërsueshme tek vetja ?

Ana Gjymshana: Une jam një vajzë,  që kam ndryshuar në kohë dhe rrethana. Kam kaluar metamorfozën e jetës  e në çdo etapë të saj kam shijuar çdo moment. Jam luftarake në shpirt dhe ja vlen te luftosh për jetën dhe për të bukurën. E kam të vështirë të ndaj kujtimet sepse shpesh me bëhen shumë dhe bashkë, por nëse do t’i ndaja me faza do kujtoja periudhën më të bukur atë të shkollës. Unë kam qenë një studente shumë e mire, por njëherësh edhe stratege për të nxjerrë dhe për të bërë çdo gjë në pak kohë dhe me më shumë rezultat. Ky tipar i bukur më ka zgjatur në kohë edhe në këtë etapë të jetës të cilën unë po e shijoj shumë sepse mbi të gjitha jam duke shijuar edhe sukseset e mia për të cilat vite më parë veproja duke punuar.

Ana Gjymshana ( foto personale)

Ana Gjymshana ( foto personale)

CMG: Cila ka qenë puna juaj e parë?

Ana Gjymshana: Unë bëj pjesë tek ata të rinj të shumtë në numër, të cilët nuk kanë punuar menjëherë në profesion dhe nuk kanë marrë menjëherë atë që kanë dashur nga jeta. Përkundrazi, unë kam qenë recepsioniste, por këtë gjë e doja dhe më mësoi shumë për fazën në të cilën isha. Më pas nisa të menaxhoja biznese të ndryshme edhe aty kam kalitur durimin dhe shumë elemente në jetë. Më vonë u bashkova me grupin e njerëzve të cilët ushtruan profesionin e tyre.

CMG: Si ishte momenti kur  dolët në profesion?

Ana Gjymshana: I papërshkueshëm. Unë ndihesha një tjetër njeri dhe vetë përgjegjësia më bënte të mendoja shumë gjatë dhe të kuptoja se çfarë kisha bërë me jetën time deri në ato momente. Fillova të mësoj që çdo gjë vjen në kohën e saj dhe sado që ne të nxitojmë koha i ndalon për ne disa gjëra dhe shumë të tjera i dërgon përpara. Unë nisa të mendohesha me idenë që nga ai moment dhe mbrapa unë isha një Arkitekte

CMG: Çfarë marrëdhënie vendos me klientët ?

Ana Gjymshana: Marrëdhënien që të tjerët do të dëshiroja të kishin me mua. Ne jemi produkte të sjelljes dhe sjellja jonë na afron ose na largon më të tjerët. Arritja ime më e madhe janë klientët që rikthehen tek unë, ata të cilët e kanë pëlqyer punën tonë dhe rikthehen për të tjera punime se bashku. Jam shumë e dashuruar me këtë profesion dhe çdo gjë që bëj për punën time e shoh si një investim të përjetshëm tek vetja. Jam një dëgjuese shumë e mirë përballë klientit dhe përpiqem që çdo dëshirë t'ia realizoj sepse të jesh arkitekte e një shtëpie apo biznesi apo çfarëdo qoftë është njësoj si të sjellësh në jetë  një fëmijë.

Ana Gjymshana ( foto personale)

Ana Gjymshana ( foto personale)

CMG: Cila do të ishte këshilla më e madhe që do të dëshiroje t'ia dërgoje një të riu?

Ana Gjymshana: Para pak kohësh fola me një vajzë rreth të 20-tave. Ajo ishte shumë pasionante për jetën, por më trishtoi shumë kur tha: Nuk kam bërë asnjë gabim në jetë!

Jeta është krijuar për të mësuar nga gabimet dhe nëse nuk i bëjmë ato ne do mbetemi gjithmonë njerëz të parritur. Ndaj të rinjve do dëshiroja t'iu këshilloja që ta jetojnë jetën ,me gabime, rrëzime dhe ringritje të fuqishme.

Intervistoi:Megi Latifi