Projektet e rëndësishme rrugore dhe ajrore të 2024-ës
2024-01-16 10:17:29

Tuneli i Llogarasë (Foto Albanian Post)

Tuneli i Llogarasë (Foto Albanian Post)

Viti 2024 do të jetë i rëndësishëm për infrastrukturën rrugore, ajrore dhe transportin në tërësi në Shqipëri. Ky vit do të shënojë dy momente të rëndësishme për infrastrukturën rrugore. Së pari, në qershor 2024 do të përfundojë Tuneli i Llogarasë, i nisur në nëntor të vitit 2021. Ky tunel do të jetë i gjatë 6 kilometra. Ai përfaqëson tunelin më të gjatë rrugor në vend. Tuneli kalon nën Qafën e Llogarasë (1027 metra mbi nivelin e detit) dhe lidh Vlorën me Rivierën Shqiptare.


Rruga e re përmes tunelit, është njëmbëdhjetë kilometra më e shkurtër se e mëparshmja, e cila është rrugë e vështirë, e përpjetë dhe me kthesa të shumta, përgjatë Qafës së Llogarasë. Kështu, shkurtohet ndjeshëm edhe koha e kalimit të turistëve për në perlën e Jugut, Rivierën Shqiptare, me të paktën 35-40 minuta. Tuneli i Llogarasë eliminon rreth 600 metra lartësi dhe kalimet e ngushta dhe të pjerrëta të rrugës. Me këtë tunel, mbërritja e vizitorëve në destinacionet e njohura turistike si Palasë, Dhërmi dhe Himarë realizohet shumë më shpejt dhe me një udhëtim me komod, duke u kursyer ndjeshëm edhe karburantin.

Po në qershor 2024, do të përfundojë edhe rruga Thumanë-Kashar, një nga akset e rëndësishme të Korridorit Blu, e gjatë 20.8 km, e cila lidh Veriun e Shqipërisë me kryeqytetin dhe me Jugun. Rruga e re lehtëson ndjeshëm trafikun, për shkak të vëllimit të lartë të trafikut, nga ngarkesa në Fushë Krujë dhe në nyjën e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.

 

Për vitin 2023, Rinasi përpunoi 7 milionë pasagjerë, ndërkohë që rruga për në aeroport u ndërtua, e planifikuar për një numër tre herë më të pakët pasagjerësh, të cilët lëvizin që të gjithë me automjete, pasi ende nuk kemi linjë hekurrudhore.

ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në fjalën e saj në prezantimin e këtyre projekteve, theksoi se:

“Me shumë kënaqësi duhet të them që viti 2024 do të shënojë dy momente të rëndësishme për infrastrukturën rrugore. Fillimisht me dorëzimin e tunelit të Llogarasë, një tunel i cili ka qenë një ëndërr në sirtar për shumë qeveri shqiptare, por që u realizua nga qeveria Rama.

Ai ka nisur atëherë kur duhej, pikërisht në nëntor të vitit 2021 dhe do të përfundojë ashtu siç kemi premtuar. Pavarësisht një kontrate 36 mujore, ne kemi premtuar që do të hapet në fillim të sezonit veror të vitit 2024 dhe ashtu do të ndodhë.

Zv,kryeministrja Belinda Balluku (Foto Këshilli i Ministrave)

Zv,kryeministrja Belinda Balluku (Foto Këshilli i Ministrave)

Ka qenë një proces i gjatë, por një proces i mirëstudiuar, me dy gara ndërkombëtare. Fillimisht garën ndërkombëtare të studimit dhe projektimit të detajuar edhe më pas, ndërtimi i këtij tuneli, i cili ka pasur dhe ai sfidat e tij, përsa i përket gjeologjisë. Padyshim, ka qenë e favorshme, për aspektin se ka qenë gjeologji e qëndrueshme dhe nuk na është dashur që të lëvizim nga kalendari i punimeve.

Ju jeni informuar herë pas here për ecurinë e kësaj vepre madhore dhe ashtu siç kemi premtuar, në 30 qershor të vitit 2024, vepra do të dorëzohet sipas të gjitha parametrave të parashikuar.

Ndërkohë, një lajm tjetër të mirë. Kemi nisur vitin me një inspektim në aksin Thuman-Kashar, si një ndër akset më të rëndësishme të Korridorit Blu. Korridori blu është i gjithi një aks i rëndësishëm, por përsa i përket Thuman-Kasharit, edhe për shkak të volumeve të trafikut të vizitorëve të huaj në vendin tonë, që gjatë vitit 2023 arriti 10 milionë vizitorë, ngarkesa e cila ndodhi në pjesën e Fushë-Krujës, apo në nyjen e Rinasit, ka bërë që padyshim të ndjejmë problematikën,  që duhet zgjidhur sa më parë.

Kështu që kemi kërkuar nga kompania koncesionare e këtij aksi që të vijohet sa më parë dhe të dorëzohet para afatit. Kështu që rruga Thuman-Kashar, së bashku me dy nyjet e saj të rëndësishme, do të futet në funksion edhe ajo gjatë verës së këtij viti, duke shfryrë njëherë e mirë të gjithë trafikun që krijohet nga Autostrada e Veriut, si dhe të gjithë problematikën që krijohet nga fluksi i automjeteve për në dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit”.

 

Unaza e Madhe e Tiranës (Foto Tirana Post)

Unaza e Madhe e Tiranës (Foto Tirana Post)

Përveç këtyre dy veprave madhore rrugore, të cilat do të përfundojnë në qershor 2024, në mënyrë që të ndihmojnë fort pikun e turizmit veror në Shqipëri gjatë muajve korrik-shtator, në dhjetor 2024 dorëzohet edhe një tjetër aks kombëtar me rëndësi të madhe, sikurse është Unaza e Madhe e Tiranës. Në dhjetor 2024, ajo do të jetë e disponueshme për të gjithë trafikun nga autostradat e Jugut, Veriut dhe Lindjes së Shqipërisë.

Po në vitin 2024 mbaron edhe rruga Korçë-Ersekë, si  dhe rruga që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës me Autostradën Fier-Vlorë dhe qytetin e Vlorës.

Në vitin 2024 do të përfundojë së ndërtuari edhe Qendra e Monitorimit të Trafikut, e cila është një strukturë shumë e rëndësishmë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve që udhëtojnë në akset rrugore dhe për kontrollin e trafikut. Skuadrat e monitorimit të kësaj qendre do të përbëhen jo vetëm nga ekspertët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, por edhe nga ekspertë të Policisë Rrugore dhe të Urgjencës dhe Emergjencave Civile. Qendra e Monitorimit të Trafikut do të menaxhoje edhe akset rrugore që do të vendosen në sistemin me pagesë, si Tunelit i Llogorasë dhe Korridori Blu.


Lidhur me aviacionin civil dhe aeroportet, gjatë vitit 2024, në Aeroportin e Tiranës do të kryhen investime të vazhdueshme për zgjerimin e kapacitetit të tij dhe të parkimit të avionëve, si dhe do të përfundojnë punimet e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Deri tani, janë kryer 32 përqind të punimeve të tij dhe punimet e mbetura, sipas ZvKryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, po ecin me shumë shpejtësi. Në dhjetor 2024, kompanitë ndërtuese e përfundojnë Aeroportin e Vlorës, duke i dhënë mundësi Autoritetit të Aviacionit të Shqipërisë dhe operatorit të Aeroportit të Vlorës, që është aeroporti i Mynihut, që të nisin operimet, për të kolauduar çdo procedurë dhe pajisje të navigimit, në mënyrë që në pranverë të vitit 2025 të nisin fluturimet e para nga Vlora. Ky aeroport nuk do të jetë sezonal, por aeroport ndërkombëtar.

Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (Foto Argumentum.al)

Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (Foto Argumentum.al)

Përsa i takon aeroportit tjetër të Jugut, i cili fillimisht ishte menduar në Sarandë, ai do të zhvendoset në Gjirokastër, pasi e gjithë zona e Jugut përreth këtij qyteti ka pasur shumë investime në hoteleri. Ka fushë ajrore në Gjirokastër, infrastrukturë të vjeter të ndërtuar dhe, duke pasur parasysh që në Shqipëri nuk po zhvillohet vetëm turizmi bregdetar, por edhe ai rural dhe malor, aeroporti tjetër i Jugut është projektuar të jetë në zonën e Gjirokastrës. Ai do t’i shërbejë gjithë zonës së Jugut, si dhe Sarandës dhe Ksamilit ne bregdet.

Fatos Çoçoli