Kina dhe Zvicra kanë përfunduar studimin e përbashkët të zbatueshmërisë për përmirësimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kinë-Zvicër (MTL) dhe pranuan të mbështesin fillimin sa më parë të negociatave zyrtare për përmirësimin e MTL-së, njoftuan të dy palët të hënën.
Deklarata u bë gjatë bisedimeve mes kryeministrit kinez Li Qiang dhe presidentes së Konfederatës Zvicerane Viola Amherd.
Të dy palët do të zhvillojnë gjithashtu një raund dialogësh strategjikë në nivel ministrash të jashtëm Kinë-Zvicër, mbledhjet e grupit të punës mbi financën dhe energjinë, dialogët e politikës së arsimit, si dhe konsultimet mbi çështjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së brenda këtij viti.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Li vuri në dukje se Kina dëshiron të punojë me Zvicrën për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur ndërmjet dy krerëve të shtetit, për të forcuar më tej themelet e besimit të ndërsjellë politik, për ta çuar përpara bashkëpunimin me frymën e barazisë, inovacionit e përfitimeve të përbashkëta, për të promovuar zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe për të arritur rezultate më praktike në bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella.
Kina dëshiron të vazhdojë shkëmbimet e ngushta të nivelit të lartë me Zvicrën, të përdorë më mirë mekanizmin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërqeveritar mes të dy vendeve dhe të përshpejtojë rifillimin e shkëmbimeve në të gjitha nivelet e në të gjitha fushat, shtoi ai.
Li u bëri thirrje të dy palëve të eksplorojnë më shumë pika takimi të interesave të përbashkëta, të forcojnë bashkëpunimin në fushat si tregtia e lirë dhe doganat, të kultivojnë pikat e reja të rritjes së bashkëpunimit në ekonominë e gjelbër, financiare e digjitale dhe të promovojnë ngritjen e cilësisë e të nivelit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes të dy vendeve.
VCG
Kina shpreson se pala zvicerane do të vazhdojë të ofrojë një mjedis biznesi të hapur, të barabartë e jodiskriminues për ndërmarrjet e financuara nga Kina në Zvicër, theksoi kryeministri kinez.
Ai shprehu edhe gatishmërinë e palës kineze për të forcuar bashkëpunimin me palën zvicerane në fushat e relikteve kulturore, të arsimit, të rinisë dhe të sportit.
Të dy palët duhet të komunikojnë e të bashkërendohen në mënyrë të ngushtë brenda OKB-së dhe mekanizmave të tjera shumëpalësh, të forcojnë bashkëpunimin në fusha si financimi i ndërlidhjes infrastrukturore, asistenca ndërkombëtare për zhvillimin dhe trajtimi i ndryshimeve klimatike, dhe të japin kontribut të përbashkët për kauzën e paqes dhe zhvillimit botëror, shtoi Li.
Presidentja e Konfederatës Zvicerane Viola Amherd tha se Zvicra është e gatshme që të vazhdojë promovimin e dialogut dypalësh me cilësi të lartë me Kinën dhe të thellojë shkëmbimet e bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke trajtuar së bashku sfidat globale si ndryshimi i klimës, shëndeti publik dhe siguria kibernetike, për të nxitur një zhvillim më të madh të partneritetit strategjik inovativ Zvicër-Kinë në Vitin e Dragoit.
Të dy palët njoftuan të hënën se Kina do të zbatojë politikën e heqjes së njëanshme të vizave për shtetasit zviceranë dhe pala zvicerane do të ofrojë më shumë lehtësi në dhënien e vizave për shtetasit dhe ndërmarrjet kineze që investojnë në Zvicër.
VCG
Të dyja palët ranë në një mendje gjithashtu që ta shfrytëzojnë rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike vitin e ardhshëm për të forcuar shkëmbimet njerëzore.(Xu Guang)