Foto nga instagrami i TKE
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ka vënë në skenë shumë shfaqje për të rritur dhe për fëmijë në vitin 2023, të cilat janë ndjekur me mjaft interes nga publiku kryeqytetas, ndërsa do të vijojnë të vihen në skenë edhe gjatë këtij fillim viti shumë nga shfaqjet të cilat ishin premierë vitin e kaluar. Muaji janar për Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nisi programacionin e tij artistik me shfaqjen për fëmijë “Bëhu trim pinguin i vogël”. Këto shfaqje u vunë në skenë që në fillim të vitit, duke e nisur nga 6 janari dhe çdo fundjavë deri më 14 janar të këtij muaji.
Shfaqja për fëmijë "Bëhu trim pinguin i vogël", erdhi nën regjinë dhe koreografinë e Semela Skënderasi, nën performancën e Valentina Mytevelit, Erta Sinës, Denis Duros dhe Semela Skënderasit. "Bëhu trim pinguin i vogël", vjen në kuadër të programit “Edukimi përmes Artit”.
Nga shfaqja BEHU TRIM PINGUINI I VOGEL (Foto nga instagrami i TKE)
Po në muajin janar shfaqja “Dua një vend” u shfaq për publikuan nga 10-14 janar me regjinë e artistes Ema Andrea, në interpretimin e aktorëve Loredana Gjeçi, Adriana Tolka, Matia Llupa, Paolo Kadillari, Artemis Beluli, Eva Gjika, Eraldo Malaj dhe Lindar Kaja. Drama "Dua një vend" me autor Andreas Flurakis, përmbledh ide dhe ndjesi të thjeshta të njeriut për të përshkruar luftën vetjake për mbijetesë të secilit prej atyre që qoftë dhe një herë kanë pyetur veten: “Të rri në këtë vend mes pasigurive, apo të emigroj në një vend tjetër?”
NGA SHFAQJA Dua nje vend (Foto nga instagrami i TKE)
A ndërtohet një vend i ri, duke bartur në vetvete shembujt e papërsosur të një vendi të vjetër? Askush nuk e di se ç’duhet të bëjë, por kujtimi i përkundjes nën ninullat e gjyshes, në prehrin e saj, i shtyjnë personazhet të flenë një herë dhe të vendosin të nesërmen se ç’do të bëjnë.
Drama “Nëna” do vijojë të shfaqet në Teatrin Kombëtar Eksperimental “K.Spahivogli” në Tiranë më datat 18,19,20,21,25,26,27,28 janar.
Shfaqja Nënë (Foto nga instagrami i TKE)
Kjo vepër me autor Florian Zeller është përkthyer nga Adriana Tolka dhe regji nga Mehmet Xhelili. Shfaqja “Nëna” do të ngjisë në skenë aktorët Ema Andrea, Helidon Fino, Enisa Hysa dhe Xhuliano Brisku. Skenografia dhe video do të realizohen nga Albert Dedja, me kostumografi nga Sofi Kara, e asistent regjie Klajdi Malellari. Vepra “Nëna”, e cilësuar nga autori i saj Florian Zeller si një farsë e zezë, na ofron me mprehtësi të jashtëzakonshme dhe na ballafaqon, më shumë sesa me një histori, me një përvojë që krijohet nëpërmjet saj. Në qëndër të shfaqjes drama e nënës, me sëmundjen, krizën dhe dhimbjen e saj, por edhe personazheve të tjerë që e shkaktojnë apo janë edhe vetë viktima të saj. Dashuria amtare për të birin, largimin e të cilit nga shtëpia nëna e përjeton si tradhëti dhe nga devijimet e mundshme patologjike që e shoqërojnë. Kësaj i shtohet situata paralele e një martese, e cila për këtë arsye dhe për arsye të tjera është duke pësuar dekadencën e saj.
Mesazhet e fuqishme të veprës artikulojnë jo përgjigjen, por pyetjen egzistenciale të klithur nga nëna në fund të pjesës: Përse u desh të ndodhte kështu?
Në fund të muajit janar vijon shfaqja për të rritur “E kuqe”, e cila do të jepet për publikun më datat 24,25,26,27,28. Shfaqja “E kuqe” vepër e autorit John Logan, vjen në skenën teatrore me regji nga Altin Basha. Kjo shfaqje shënoi premierën e saj më 15 nëntor në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina”, për të vijuar sërish tani në janar.
Foto nga instagrami i TKE
Mark Rothko është në studion e tij në Nju Jork në vitet 1958/59, pasi është porositur të pikturojë një grup muralesh për restorantin e shtrenjtë dhe ekskluziv “Four Seasons”. Ai i jep urdhra ndihmësit të tij, Kenit, që përzien bojërat, bën kornizat dhe përgatit pikturat. Keni, megjithatë, përfundimisht vë në dyshim teoritë e artit të Rothkos dhe pranimin e tij për të punuar në një projekt të tillë tregtar. Nga ana e tij, Rothko nuk i pëlqen ngritja e artit pop. Në fund, Rothko ndalon së punuari në projekt dhe vendos të kthejë paratë. Ai i shpjegon Kenit se “Four Seasons” është një vend i papërshtatshëm për të parë muralet e tij. Në role interpretojnë aktorët Gentian Zenelaj dhe Urim Aliaj. Skena e kostumet janë realizuar nga Iliriana Loxha Basha dhe kompozitor është Endri Sina. Vepra teatrore e “E kuqe” shënoi premierën e saj në Teatrin Kombëtar Eksperimental dhe rivihet sërish në skenë në janar. John Logan është një dramaturg dhe regjisor i njohur amerikan, i njohur për punën e tij si skenarist i filmave “Aviator” dhe “Hugo” i Martin Scorsese, “Sweeney Todd” i Tim Burton: “The Demon Berber of Fleet Street” dhe filmat e Sam Mendes për “James Bond Skyfall” dhe “Spectre”.
Foto nga instagrami i TKE
Ndërsa dhjetë ditëshin e fundit të janarit do të rivihet në skenë shfaqja për fëmijë “Gjyshja ime perfekte”, në datat 19,20,21,25,26,27,28. Kjo është një komedi plot të papritura dhe teknologji për fëmijët, pjesë e programit “Edukimi Përmes Artit”. Shfaqja me tekst dhe regji nga Endri Çela interpretohet nga kasti i aktorëve: Kleard Gërmenji, Adriana Tolka, video grafic designer Renato Aliçkolli, muzika nga Florjan Hoxha, koreografia: Aledia Kondaj, kostumografia nga Sofi Kara, skenografia Beqo Nanaj, video Shot Marjo Cani, ndriçimi nga Taulant Kotorri, as. regjisor Joan Mezini. Shfaqja “Gjyshja ime perfekte” i zhvillon ngjarjet shumë vite më vonë, saktësisht në vitin 2137, ku në katin e 55-të të një kulle në Tirana City, jeton një djalë i vogël, me emrin 03. Ai jeton me dy prindërit e tij, me dy vëllezërit binjak çamarrokë dhe me një gjyshe tipike shqiptare, 136 vjeçare. Tepër i bezdisur nga gjyshja 136-vjeçare, ai u kërkon ndihmë vëllezërve dhe nëpërmjet një çipi që ia vendosi gjyshes në tru, ata fillojnë ta komandojnë dhe ta transformojnë gjyshen si të duan.
Të gjitha shfaqje si për të rritur ashtu edhe për fëmijë që do të vihen në skenë gjatë muajit janar janë vënë premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vitin e kaluar dhe janë pritur mjaft mirë nga publiku kryeqytetas. Shumë prej tyre kanë patur mjaft interes, duke u rikthyer me data të tjera për gjatë vitit të ri 2024.
Sava Lena